English

Kriza globale ka ndikuar direkt në projektet e mëdha energjitike të planifikuara në Shqipëri

Tiranë, 9 Tetor NOA - "Kriza globale financiare ka ndikuar drejtpërdrejt në projektet e mëdha energjitike të parashikuara për t'u zbatuar në vendet e Europës Juglindore përfshi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë Kosova dhe Shqipëria".

Përfundimi i mësipërm erdhi nga Forumi Ndërkombëtar i Energjisë "Kosova-mundësi energjetike", që u zhvillua këto ditë, organizuar nga Konfindustria në bashkëpunim me KEK/Korporatën Energjetike të Kosovës dhe KOSTT/Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Energjitikës dhe Minierave të Kosovës.

Në takim, ishin të pranishëm përfaqësues të kompanive të rëndësishme europiane energjitike, institucioneve financiare, kompanive ndërkombëtare të konsulencës, etj. Në Forum ishte i pranishëm dhe Kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi, përfaqësues të qeverive të vendeve të Ballkanit, etj,.

Takimi konsideroi se kompanitë kryesore investitore energjitike të vendeve të Bashkimit Europian dhe SHBA janë dëmtuar rëndë nga pasojat e rënies ekonomike botërore dhe në këtë mënyrë janë shtrënguar të rishikojnë thelbësisht madhësinë e projekteve si dhe mënyrat e financimit të tyre në kohë.

Sipas pjesëmarrësve në konferencë, "të njëjtën gjë duhet të bëjnë dhe qeveritë e vendeve te rajonit të Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor përfshi Shqipërinë dhe Kosovën në fushën energjitike".

Në konferencë u evidentua se shembull i qartë i pasojave të krizës financiare edhe në fushën energjitike ishin shenjat e dhëna për tërheqjen e kompanive të tilla të mëdha si RWE/GJermani, ENEL/Itali, CEZ/Ceki, etj. nga projekti i ndërtimit të termocentralit "Kosova e Re" në Kosovë, i parashikuar në fuqi 2100 MGW, bazuar në linjitin sipërfaqësor, që mbahej para disa vitesh një nga projektet strategjike europiane.

Shembuj të ngjashëm të tërheqjes së kompanive të mëdha investitore nga projekte të tjera energjitike ka pothuaj në të gjitha vendet e tjera të Europës dhe më gjerë si Poloni, Serbi, Rumani, etj.

Bazuar në të dhënat dhe përfundimin e mësipërm u ka kërkuar vendimmarrjes politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshi Kosovës dhe Shqipërisë, që duhet urgjentisht ti përshtaten kushteve të reja ekonomike dhe financiare si pasojë e krizës globale për zhvillimin e projekteve energjitike të parashikuar në vende të tilla.

Në kushtet e vështirësimit maksimal të tërheqjes së investimeve të huaja vendimmarrjet politike duhet të rishikojnë ndërtimin me faza të projekteve me qëllim zvogëlimin e masës së financimeve të nevojshme, parashikimin e burimeve publike të financimit, bashkëpjesëmarrjen e financimit publik të disa vendeve të interesuara, etj,.

Forumi Ndërkombëtar "Kosova - mundësi energjitike" ishte i pari i llojit te tij i zhvilluar në Kosovë dhe një nga më të rëndësishmit të zhvilluar në Evropën juglindore për vitin 2009.

f.sh/NOA

KOMENTE