English

Arrestohen dy persona për trafik klandestinësh, do përfitonin 3000 Euro

Gjirokastër, 10 tetor, NOA - Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë ndaluar dy persona të dyshuar për ndihmë ndaj trafikut të klandestinëve, kundrejt përfitimit financiar.

Burimet policore konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se dy të ndaluarit janë Krenar Hamataj, 30-vjeç dhe Emarildo Muho, 20-vjeç, që të dy lindur dhe banues në Përmet.

Ndalimi i tyre u bë për arsye se këta dy persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shfrytëzuar kufirin jeshil pranë pikës doganore të Tre Urave në Përmet, kanë ndihmuar për ta kaluar atë në mënyrë të paligjshme për në shtetin grek tre persona, kundrejt përfitimit 1000 euro për person.

Por të tre klandestinët, së bashku me këta dy persona janë kapur nga policia greke dhe janë kthyer si deportivë, ku janë shoqëruar për në drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës për të kryer veprimet e mëtejshme ligjore, pasi disponoheshin informacione në rrugë operative se këta ishin autorët e kësaj vepre penale.

Në përfundim të veprimeve hetimore dhe intervistimeve të bëra klandestinëve nga ana e specialistëve, rezultoi se dy të lartpërmendurit i kishin ndihmuar për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale të "Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim fitimi', vepër kjo e parashikuar nga neni 298/2 i Kodit Penal.

n.e/NOA

Â

KOMENTE