English

Shoqërohet një dëshmitar okular në vrasjen e çiftit, policia jep detaje të reja

Bulqizë, 11 tetor NOA - Policia e Bulqizës në bashkëpunim me një ekip të posaçëm hetimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, po përpiqen të zbardhin tërësisht vrasjen e dyfishtë sot në mëngjes në këtë qytet të vogël minatorësh.

"Viktimat janë Bledian Bilali, 28 vjeç, lindur në Shkodër dhe me banim të përkohshëm në lagjen "Gjeologu" të qytetit të Bulqizës dhe 21 vjeçarja nga Shkodra, Arieta, e cila ishte bashkëjetuese me Bledianin", - i konfirmuan korrespondentit të agjencisë NOA, në vendngjarje, burime zyrtare policore.

Sakaq, policia sqaroi për agjencinë NOA, se çifti shkodran i vrarë nuk janë bashkëshortë por jetonin së bashku prej tre muajsh, në një banesë në pallatin nr 6 të lagjes "Gjeologu" te "Qyteti i Vjetër".

Nga hetimet e para që janë kryer, ka rezultuar se një djalë 20 vjeçar nga Shkodra, ishte dëshmitar okular në vendin e ngjarjes.

"Ne kemi shoqëruar një djalë 20 vjeçar, banor i Shkodrës, i cili është provuar se ishte i pranishëm në momentet që ka ndodhur vrasja e dyfishtë dhe jemi duke sqaruar rrethanat", - deklaroi policia duke mos dashur të publikohet identiteti i të shoqëruarit për efekt hetimi të mëtejshëm.

Ndërkohë nga burime jozyrtare policore, mësohet se çifti i ri që kishte ardhur prej pak muajsh në Bulqizë, jetonte atje, për shkak se Blediani 28-vjeçar, kishte marrë në përdorim një minierë kromi dhe kishte investuar për ta shfrytëzuar atë.

Mendohet se vrasja ka ardhur nga qitja me armë zjarri që dyshohet të ketë ardhur nga 21-vjeçarja e cila mund të ketë vrarë fillimisht bashkëjetuesin e saj dhe më tej veten.

"Ne jemi duke i hetuar dy pista, njëra prej të cilave krim brenda çiftit dhe tjetra vrasje nga persona të tretë, por një konkluzion i qartë pritet të dalë pas pak orësh", sqaruan për NOA, burime zyrtare policore.

Ato konfirmuan sakaq se "në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë me të cilën mendohet të jetë kryer vrasja".

a.l/f.sh/NOA - Vijon....

KOMENTE