English

Identifikohet personi i aksidentuar në Bulevardin e Tiranës, policia arreston autorin

Tiranë, 13 Tetor NOA - Policia e Tiranës ka arrestuar në kushtet e flagrancës një person i cili akuzohet se ka aksidentuar me vdekje një 54-vjeçar i cili u identifikua 24 orë pas aksidentit të ndodhur në bulevardin e Tiranës.

Personi i aksidentuar është Agim Zaim Lushaj, 54 vjeç, banues në rrugën "Petro Nini Luarasi" në Tiranë.

Autor i aksidentit është Medi Rizvani, 40 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë.

Policia tha zyrtarisht se u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Medi Baftjar Rizvani, për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor", pasi në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në afërsi të Hotel Dajtit, në orën 07.50 të ditës së diel 11 tetor 2009, duke drejtuar automjetin veturë tip "Peugeot", me targa TR 8828 N, me drejtim nga sheshi "Nënë Tereza" për tek sheshi Skënderbej, ka aksidentuar shtetasin Agim Zaim Lushaj.

I ndjeri, baba i tre fëmijëve, gjendej mbi një biçikletë duke shkuar për në punë, kur u përfshi në aksident nga Medi Rizvani.

Policia deklaroi se 54-vjeçari, rrugës për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ka gjetur vdekjen ndërsa për ngjarjen, tha se "u kryen veprimet proçeduriale dhe materialet do t'i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor", parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal".

Viktima i aksidentit, nuk kishte me vete mjete identifikimi dhe ai u arrit të gjendej vetëm 24 orë më vonë pas identifikimit në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Ekspertët e Mjekësisë Ligjore thanë se konstatuan që në aksident, i ndjeri kishte pësuar dëmtime të rënda deri në shkulje të zemrës dhe dëmtime të tjera fizike.Â

Më herët, pasditen e së Dielës, djali i 54-vjeçarit dhe familjarët e tjerë, duke mos pasur asnjë informacion rreth vendndodhjes së të ndjerit, kishte depozituar një kallëzim në Komisariatin nr 1 ku lajmëronte humbjen e babait në rrethana të paqarta dhe kërkonte ndihmën e policisë.

Kjo e fundit, deklaroi sot se personi i shpallur si i humbur, ishte pikërisht viktima i aksidentit të ndodhur në orën 07.50 të së dielës në bulevard, për të cilin, gjashtë orë më vonë, në 13.30, u bë arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit Medi Rizvani, nën akuzën për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".

e.r/NOAÂ

KOMENTE