English

PDK: Progres-Raporti i Komisionit Evropian, dëshmi e dështimit të qeverisjes

Tiranë, 15 tetor NOA - Përmbajtja e progres-raportit të Komisionit Evropian i cili u publikua një ditë më parë, ka sjellë edhe reagimin e Partisë Demokristiane e cila deklaroi sot se raporti ngre probleme të shumta të cilat vënë në pikëpyetje demokracinë në vend.

"Partia Demokristiane, pasi u njoh me progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë në dymbëdhjetë muajt e fundit, shpreh shqetësimin e saj të thellë, për problemet e shumta që ngrihen në këtë Progres-Raport, probleme që venë në pikëpyetje funksionimin e demokracisë, të shtetit ligjor dhe të institucioneve të pavarura, duke krijuar një pengesë serioze për proceset e integrimit evropian" deklaroi sot PDK.

"Ndryshe nga propaganda mashtruese qeveritare, Progres-Raporti, evidenton të gjitha problemet që ne i kemi ngritur herë pas here me shqetësim, të bindur se vetëm reformat e thella dhe të guximshme, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe me standarde demokratike, konsolidimi dhe garantimi i institucioneve të pavarura kushtetuese, pavarësia dhe reformimi i sistemit të drejtësisë, lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe trafiqeve, garantimi i sigurisë së kufijve dhe sigurisë së jetës së qytetarëve, zgjidhja e çështjes së pronës dhe barazia e qytetarëve para ligjit, do të garantojnë të ardhmen tonë të shpejtë evropiane, që po zvarritet prej njëzet vjetësh, jo për faj të qytetarëve, por të qeveritarëve" thuhej më tej në deklaratën e PDK-së lëshuar mesditën e sotme.

PDK bëri të ditur se e ka të vështirë të besojë se qeveri ka aftësinë dhe legjitimitetin e duhur, por edhe vullnetin e mjaftueshëm për të ofruar zgjidhje reale të problemeve të listuara, që prej kohësh na lënë të fundit në agjendën e Bashkimit Evropian.

"PDK, duke e vlerësuar Progres-Raportin si një ndihmë shumë serioze për Shqipërinë, gjykon se maxhoranca, si problem të parë, duhet të zgjidhë legjitimitetin e vet, duke bërë transparencën e kutive të votimit në zonat e kontestuara, dhe pastaj të ulë kokën e të vazhdojë me kryerjen e detyrave të shumta të shtëpisë" përfundon deklarata e PDk-së.

k.k/NOA

KOMENTE