Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Raporti i BE, të gjithë lajnë duart
English

Raporti i BE, të gjithë lajnë duart

Kryeministri do të duhej të deklarohej nëse shqetësimet e BE-së për ndërhyrje në emërimet në administratën civile, në Gjykatën Kushtetuese, në bordet e ndërmarrjeve publike, etj., janë të vërteta dhe përse kanë ndodhur, a do të korrigjohen ato dhe çfarë masash do të merren konkretisht për t'u mos u përsëritur më

Nga Armand Shkullaku

Raporti i fundit vjetor i Komisionit Europian e vizaton Kosovën si vendin më problematik të kontinentit, duke filluar prej zhvillimit ekonomik dhe deri tek respektimi i lirive parësore për një shoqëri demokratike. Ky raport, i cili përkon me fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, do të duhej të kishte një ndikim dhe rëndësi të veçantë në zhvillimet politike në Kosovë. Por, ashtu siç pritej, ai u lexua krejtësisht në gjuhën që i shkonte për shtat si Qeverisë ashtu edhe opozitës. Pavarësisht komenteve ekstremisht të kundërta mbi raportin, Qeveria dhe opozita një gjë e kishin të përbashkët: mungesën totale të përgjegjësisë për atë përshkrim të rëndë që BE-ja i bënte situatës në Kosovë. Duke dëgjuar përfaqësuesit e Qeverisë dhe Kryeministrin Thaçi të krijohej përshtypja se raporti bënte fjalë për një shtet tjetër, e jo për atë që qeverisin ata. Kryeministri madje, duke folur në rolin e një analisti, dha vlerësime për raportin por jo për përgjegjësitë e tij konkrete që dilnin nga ky raport. Duke e cilësuar atë realist e të mirëpritur, Thaçi përdori fraza të përgjithshme dhe kalimtare, sipas të cilave, vlerësimi i BE-së prezanton edhe shqetësimet e Qeverisë së Kosovës. Kreu i ekzekutivit zgjodhi të ndalet vetëm tek ato pjesë të raportit ku flitej për disa përparime, si ndërtimi i institucioneve dhe miratimi i ligjeve. Një qëndrim i tillë ndaj aktit më të rëndësishëm që BE-ja nxjerr për një shtet që aspiron t'i afrohet standardeve të tij, nuk jep shumë shpresë se gjendja në Kosovë mund të ndryshojë. Qeveria e Kosovës nuk ka për të detyrë të japë vlerësime nëse ekspertët e KE-së ia kanë qëlluar ose jo këtë herë në ekspertizën e tyre, por të marrin përgjegjësitë që mbushin 52 faqet e raportit vjetor. Kryeministri do të duhej të deklarohej nëse shqetësimet e BE-së për ndërhyrje në emërimet në administratën civile, në Gjykatën Kushtetuese, në bordet e ndërmarrjeve publike, etj., janë të vërteta dhe përse kanë ndodhur, a do të korrigjohen ato dhe çfarë masash do të merren konkretisht për t'u mos u përsëritur më. Në vend të fjalëve të përgjithshme, Qeveria do të duhej t'i jepte një përgjigje konkrete kritikës së fortë të BE-së se një anëtar i saj, konkretisht zëvendëskryeministri, ka marrë pjesë në komitetin parlamentar për selektimin e Bordit të RTK-së, gjë që, sipas raportit, nuk është në përputhje me rregulloret dhe procedurat e Kuvendit. A qëndron ky shqetësim i BE-së bashkë me vlerësimin se liria e shprehjes në Kosovë nuk është e garantuar tërësisht? Këtë përgjigje do të duhej ta jepte Kryeministri i Kosovës bashkë me një vizion të tij për ta ndryshuar gjendjen. Por, Qeveria e kaloi edhe këtë pikë të raportit, sikur nuk i përkiste asaj por dikujt tjetër. E kaloi së bashku me përgjegjësitë që duhet të merrte për vërejtjet konkrete për ekonominë informale, korrupsionin, gjendjen e mjeruar në shëndetësi, problemet ekonomike, etj. Shqetësimet e BE-së ishin konkrete, me raste dhe fakte të raportuara në detaje, ndërsa qëndrimi i qeveritarëve ishte krejtësisht në një regjistër tjetër. Duke vepruar në këtë mënyrë, mazhoranca shpreson se raporti do të harrohet, nuk do të flitet shumë për të dhe për pasojë nuk do të ketë ndikim tek zgjedhësit. Me një dalje në publik dhe disa vlerësime të përgjithshme, Qeveria mendon se e kapërcen lumin. Por, në fakt, nuk kapërcen asgjë, sepse problemet janë po aty. Kosova përsëri vuan nga varfëria ekonomike, korrupsioni, papunësia. Shoqëria përballet përsëri me mungesën e transparencës, lirinë e kufizuar të shprehjes, drejtësinë e korruptuar. Qëndrimi me të hedhur ndaj raportit nuk i zgjidh problemet, por vetëm i shtyn dhe i thellon ato. Marrja e përgjegjësive, pranimi i gabimeve dhe dështimeve, projektet dhe afatet konkrete për ta përmirësuar gjendjen, janë e vetmja mënyrë për t'u përballur me vlerësimet e ekspertëve të BE-së. Një transparencë e tillë është më e shëndetshme dhe për vetë mazhorancën në raport me zgjedhësit. Ata do ta vlerësonin më shumë një përpjekje të paarrirë, por të sinqertë për të përmirësuar diçka, se sa një alkimizëm politik që, me kokëfortësi, të zezën e shndërron në të bardhë. Nga ana tjetër, edhe opozita manifestoi të njëjtën qasje si Qeveria në vlerësimin e raportit të BE-së. Asgjë më shumë se sa refreni i përhershëm se pushteti ka dështuar dhe se gjendja në Kosovë është katastrofale. Në asnjë dalje të saj, opozita nuk vlerësoi ato pak anë pozitive të raportit dhe nuk shprehu gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me Qeverinë në shtimin e tyre, gjë që do t'ia shtonte besueshmërinë. Opozita, njësoj si pushteti, nuk gjeti asnjë përgjegjësi tek vetja për situatën e krijuar në Kosovë. As tek korrupsioni i shfaqur në komunat ku drejton ajo, as tek presioni politik mbi mediat dhe as tek trashëgimia e dobët që i la Qeverisë Thaçi. Për më tepër, veç akuzave, ajo nuk tregoi asnjë projekt konkret se si mund t'i përmirësojë sektorët dhe fenomenet problematike të theksuara në raport. Tepër sempliste, opozita mbeti si gjithnjë vetëm në rolin e denoncuesit, tepër e parashikueshme, e për pasojë, me ndikim të vogël. Kjo qasje ndaj problemeve, si nga mazhoranca ashtu dhe nga opozita, ku askush nuk merr përgjegjësi por vetëm i përcjell ato, nuk ka shanse ta afrojë Kosovën me BE-në. Kosova gjendet sot në një moment delikat, ku më shumë se sa konjukturat ndërkombëtare, janë zhvillimet e saj të brendshme që do ta bëjnë ta meritojë emrin "shtet i pavarur dhe demokratik". Dhe një shtet i tillë ka nevojë për politikanë që i njohin dhe u dalin për zot përgjegjësive të tyre.Â

KOMENTE