Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Topi: Është momenti që shqiptarët të lëvizin përfundimisht të lirë
English

Topi: Është momenti që shqiptarët të lëvizin përfundimisht të lirë

"Një ndër parullat që dëgjohej më shumë në kohën e revolucionit demokratik, në vitin 1990-të, pra rreth njëzet vjet më parë, ishte "Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa"! Pra është një ëndërr, një rrugë që e kemi filluar qysh me fitoren e sistemit demokratik në Shqipëri"

Intervistë e Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi për U.S. News dhe World Report     Â

Gazetari Leandro Slovinski Faustini: Pyetja e parë për ju zoti President. Cilat kanë qenë arritjet tuaja më të spikatura gjatë këtyre dy viteve të mandatit dhe cilat do të jenë përparësitë kryesore?

Presidenti Topi: Së pari dua t'ju falënderoj për këtë komunikim. Ju jeni përfaqësues nga një media prestigjioze. Aktiviteti i Institucionit të Presidentit të Republikës është pjesë e një infrastrukture të veçantë, kështu që në kontekstin e pyetjes tuaj duhet menduar që sukseset e Presidentit lidhen me suksesin e institucioneve të Shqipërisë. Mendoj që gjatë këtyre dy viteve Shqipëria ka bërë hapa të dukshme përpara përsa u përket reformave politike dhe ekonomike. Një ndër arritjet historike të Shqipërisë është hyrja në NATO. Aplikimi për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, stabilizimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve në rajonin ballkanik dhe në këtë kontekst rajonal, arritja më e madhe gjatë këtyre dy viteve është pavarësia e Kosovës.

Në planin e brendshëm ka patur përpjekje madhore për të qenë pjesë e reformave institucionale dhe padyshim reforma më madhore është ajo në drejtësi. Arritjet janë të pamohueshme, sikurse konstatohen edhe probleme, të cilat ende kërkojnë zgjidhje. Ndonëse po kalojnë thuajse njëzet vjet, demokracia shqiptare vijon ende të konsiderohet relativisht e re, kështu që çdo ditë kërkohet një impenjim maksimal nga të gjithë përfaqësuesit e politikës që të vazhdohet në rrugën e reformave të demokratizimit të shoqërisë dhe të institucioneve. Këto dy vite unë mendoj dhe konstatoj se kanë kaluar shpejt. Institucioni i Presidentit ka punuar me një intensitet të madh me takime të shumta brenda në Shqipëri, por edhe shumë takime në arenën ndërkombëtare. Jemi takuar me personalitetet më të rëndësishme të politikë ndërkombëtare, me përfaqësues të institucioneve më prestigjioze botërore, kemi zhvilluar një sërë vizitash zyrtare bilaterale. Natyrisht, brenda mundësive që të jep një pyetje e tillë, unë mendoj që kjo përgjigje ezaurohet në këtë kuptim.

Gazetari: Në këndvështrimin tuaj, cilat janë pikat më pozitive të hyrjes së Shqipërisë në NATO?

Presidenti Topi: Së pari do të thoja që ashtu si në çdo vend tjetër të Ballkanit, integrimi në NATO nuk është thjesht një arritje e politikës, por një aspiratë e thellë dhe e gjerë e shoqërisë shqiptare. Në rezultatet e zhvilluara rezulton se 95% e popullsisë e kërkonte anëtarësimin në NATO, besoj si në asnjë vend tjetër. Kjo lidhet me një "background" specifik historik. Shqipëria ka qenë e infektuar do të thoja nga metodat e komunizmit pas Luftës së Dytë Botërore, sepse vendi përjetoi një periudhë të persekucionit më të egër, duke qenë vendi më i izoluar, ndërkohë që NATO-ja është konsideruar në sytë e shqiptarëve si aleanca më e madhe e paqes dhe e sigurisë. NATO padyshim i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve garanci të shumta, por mbi të gjitha garanci psikologjike. Unë mund t'ju siguroj që shqiptarët janë shumë të besnikë në Aleancë. Diçka tjetër është që hap pas hapi ne do të na duhet që të realizojmë standardet që na kërkohen. Ne duhet të kemi standardin e kredibilitetit dhe këtë po e dëshmojmë dhe do të vazhdojmë ta dëshmojmë. Dhe nëpërmjet NATO-s padyshim fitohet jo vetëm siguria, por rriten padyshim dhe shanset për investime të shumta nga investitorë të huaj, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin tonë ballkanik. Duke marrë në konsideratë politikat e NATO-s, unë mendoj që i tërë Ballkani një ditë do të jetë pjesë e Aleancës.

Gazetari: Si i shikoni këto shtylla si katalizatorë për të rritur ekonominë shqiptare?

Presidenti Topi: Gjithçka lidhet me sigurinë. Asnjë investitor nuk do të investonte në një terren të pasigurt. Së dyti lidhet me standardet. Një vend i NATO-s dhe që do të jetë vend i Bashkimit Evropian patjetër që duhet të ketë standarde të sinkronizuara. Ka të bëjë me kushtet për investime, ka të bëjë dhe me investimet në ekonomi. Kështu që futja dhe anëtarësimi në këto institucione do të japë vetëm mesazhe pozitive, për të mos folur në pozicione politike, mund t'ju them që realisht ka patur arritje. Gjatë dy-tre viteve të fundit shohim që investimet në Shqipëri janë shtuar shumë. Kjo do të thotë që ekonomia shqiptare përgjithësisht ka resurse të jashtëzakonshme. Është një terren relativisht i paeksploruar, me një popullsi të re, mjaft vitale do të thoja, dhe kjo lidhet shumë dhe me dëshirën e brezit të ri për t'u shkolluar. Të gjitha këto kontribuojnë dhe japin optimizmin që investimet në Shqipëri do të jenë të ndjeshme.

Gazetari: Cila është strategjia e tanishme e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe kur mendoni ju se do të ndodhë kjo?

Presidenti Topi: Në fakt kjo është një rrugë që ka filluar prej vitesh. Është fakt që një vend i dalë nga izolimi nuk mund të integrohet shpejt, ndonëse dëshira e njerëzve është për një integrim të menjëhershëm. Dhe mund t'ju them që një ndër parullat që dëgjohej më shumë në kohën e revolucionit demokratik, në vitin 1990-të, pra rreth njëzet vjet më parë, ishte "Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa"! Pra është një ëndërr, një rrugë që e kemi filluar qysh me fitoren e sistemit demokratik në Shqipëri, është një rrugë e gjatë dhe impenjative, dhe padyshim që qershori i vitit 2006-të i dha Shqipërisë shansin që të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me vendet e Bashkimit Evropian dhe pas tre vitesh, pra në vitin 2009-të ne aplikuam për statusin e vendit kandidat. Unë them që ecuria është pozitive. Nuk mund t'ju them një datë, sepse nuk jam unë ai që përcaktoj "deadline"- in e këtij procesi, por jam i bindur që është një proces që do të finalizohet sa më shpejt. Të gjithë mendojnë për liberalizimin e vizave, sepse është e natyrshme që njerëzit përpara se të mendojnë për gjëra shumë të mëdha, mendojnë për lëvizjen e tyre të lirë. Unë mendoj që është momenti që shqiptarët të lëvizin përfundimisht të lirë. Aq më shumë që tek çdo shqiptar, sikurse thashë ndjehet akoma sindroma e izolimit. Është bërë një punë e jashtëzakonshme edhe për përafrimin e legjislacionit me legjislacionin e vendeve të Bashkimit Evropian. Ka një sërë projektesh që janë në zhvillim dhe unë besoj që për këtë çështje, brenda një kohe relativisht të shkurtër ne do të jemi vend me të drejta të plota në BE.

Gazetari: Sipas mendimit tuaj, si është rritja ekonomike në Shqipëri në krahasim me vende të tjera të Ballkanit?

Presidenti Topi: Nga një analizë e hollësishme e situatës, ndonëse ka mendime të ndryshme për shifrat, unë mendoj që Shqipëria ka patur një rritje të pëlqyeshme ekonomike. Unë e kuptoj që vërtet ne jemi vende të një rajoni ballkanik, por terreni i retrospektivës së afërt, vendet që u krijuan pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, padyshim që trashëguan një infrastrukturë dhe mentalitet më të zhvilluar. Dhe padyshim në momentet e para kjo krijonte një bazë. Ndërsa në Shqipëri gjithçka filloi nga bazamenti. Kjo ndoshta i dha shumë vitalitet dëshirës së njerëzve për të punuar, duke marrë në konsideratë edhe paratë që vinin nga emigrantët. Kështu që duket që Shqipëria ka një rritje të pëlqyeshme. Natyrisht që ka ndjerë padyshim dhe efektet e krizës globale, por ende ka një rritje ekonomike krahasimisht me vendet e tjera falë, sikurse thashë, investitorit që ka hyrë në Shqipëri, por falë edhe kontributeve që kanë ardhur nga emigrantët, të cilat e kanë ndihmuar biznesin e vogël dhe të mesme pa qenë të kondicionuar nga kriza globale. Kjo ka ardhur dhe për arsye të mospërfshirjes në "network"-un e këtyre institucioneve, të bankave të fuqishme, të rrjetit të bankave shqiptare. Kjo është arsyeja ndoshta që ne ishim më pak të influencuar, po gjithsesi kriza kur vjen, vjen njëlloj për të gjithë. Mendoj që ka optimizëm për të ardhmen, ndonëse biznesi ka si gjithnjë problemet e veta. Mund t'ua ilustroj me biznesin e ndërtimit. Në një moment u duk sikur biznesi i ndërtimit kishte probleme, tani vjen informacioni që ka nevojë për strehim nga qytetarët. Kjo ndodh kryesisht në metropol, në aksin Tiranë-Durrës, kur hyn në bregdet, dhe kjo është e kuptueshme sepse ka një tendencë lëvizjeje demografike nga periferia për në qendër të metropolit. Pati një tendencë të emigrantëve që kërkojnë të kenë një pronë, një banim në Tiranë. Vitet e fundit është e ndjeshme një diferencë mes ndërtimeve që centralizohen në metropol dhe atyre që ndërtohen në periferi.

Gazetari: Si e shikoni rëndësinë e bashkëpunimeve publike dhe private për ekonominë shqiptare dhe për investimet?

Presidenti Topi: Unë besoj që është esenciale që të punohet shumë në këtë drejtim. Unë besoj që vetëm zhvillimi i veprimtarisë private, biznesit të vogël dhe të mesmë, do të bëjë të mundur që të kemi një zhvillim harmonik në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nëse do të shohim prioritetet e ekonomisë shqiptare, në mënyrë shumë intuitive mendja të shkon tek bujqësia, blegtoria, agro-industria dhe të gjitha këto të lidhura me turizmin. Shqipëria ka një larmi të jashtëzakonshme të vlerave të klimës, ka një bregdet mjaft të bukur, nga bregdeti mund të shkosh në male për një kohë shumë të shkurtër, dhe gjithashtu ka një diversitet klimaterik, ku në zona të caktuara të Shqipërisë ka një diferencë të temperaturës që shkon deri në dhjetë gradë. Shqipëria ka një kulturë, një traditë të pasur që lidhet me tradita mjaft variabël të zonave të veçanta dhe ka investime për rigjallërimin e traditave si në aspektin e ekoturizmit. Por, padyshim, duke aplikuar dhe biznese të natyrave të ndryshme, që do të ishin të përshtatshme për Shqipërinë, do të sillte në mënyrë të natyrshme në një situatë të re, patjetër do të sillte dhe një shans për popullin e saj. Ka aq shumë zona të paeksploruara në Shqipëri, që për ne që i njohim, krijohet bindja që e ardhmja është e sigurt për zhvillimin e këtyre zonave dhe ekonomisë.

Gazetari: Tani që jemi dhe në përfundim të intervistës do të dëshiroja t'ju pyesja për rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Topi: Pa diskutim që janë marrëdhënie prioritare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjithë shqiptarët janë aleati më i madh dhe historik dhe besoj që kjo është një ndjeshmëri e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Sigurisht që nuk është një histori e re e marrëdhënieve. Është një histori tradicionale. Ne jemi fatlumë që kemi një mik të madh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëdhëniet edhe në këtë moment që flasim janë të shkëlqyera. Dëshirojmë t'i zhvillojmë këto marrëdhënie në mënyrë të qëndrueshme edhe në ekonomi dhe janë ftuar investitorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. U kemi garantuar një klimë të qetë dhe padyshim që kemi krijuar të gjitha mundësitë që këto investime të jenë të qëndrueshme dhe të sigurta. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë komplekse, janë në fushën politike, në fushën ushtarake, janë në fushën ekonomike, në fushën e kulturës. Prej vitesh në Shqipëri vepron USAID-i, i cili ka ndihmuar shumë në promovimin e politikave ekonomike, në fushën e demokratizimit të institucioneve, në bujqësi dhe në mjaft fusha të tjera ku na ka ndihmuar. Padyshim që këto marrëdhënie do të zhvillohen me intensitet në të ardhmen. Pa diskutuar pastaj për misionet e përbashkëta ushtarake. Ne shqiptarët jemi të pranishëm në mënyrë të qartë në raport me numrin e popullsisë së vendit. Kemi një kohezion shumë të qëndrueshëm me SHBA për çështjet globale. Pra unë mendoj që gjithçka shkon shumë mirë.

Gazetari: Dhe të shkojmë tek pyetja e fundit, duke pasur parasysh të kaluarën tuaj akademike dhe shkencore në fusha të përcaktuara, si ju ndihmon kjo e kaluar në ushtrimin e detyrës suaj si President?

Presidenti Topi: Gjithçka është eksperiencë. Edhe karriera ime akademike nuk është realizuar në një ditë, është realizuar në shumë vite. Pa diskutim që jam marrë me kërkimin shkencor dhe kam qenë drejtues i një instituti kërkimor-shkencor për katër vite. Kam qenë për shumë vite shef i departamentit shkencor, kam qenë Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit, kam qenë anëtar i shumë bordeve që kanë lidhje me çështje të shkencës dhe të bujqësisë. Ndërmarrjen politike e kam në fillim të viteve 90-të, por në mënyrë aktive pas vitit 1996-të. Tri herë jam zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Kam qenë dy herë kryetar i grupit parlamentar, një herë i opozitës dhe një herë i mazhorancës. Kam qenë dhe nënkryetar i Partisë Demokratike që është sot në pushtet. Pra, duket që është një karrierë relativisht e gjatë dhe që ka ardhur në mënyrë shumë graduale. Dhe padyshim që e gjithë kjo karrierë më ndihmon, më ndihmon për ta parë jetën e Institucionit me një sy realist. Nuk mund të shikohen gjërat pa bërë një gjë të tillë. Ndryshe është realiteti jashtë dhe ndryshe në zyrë. Vazhdoj të mbaj kontakte të ngushta me të gjithë dhe me njerëzit e thjeshtë nuk i kam shkëputur kontaktet që kam patur në mënyrë që informacionin ta marr të drejtpërdrejtë. Padyshim që ka një ndryshim nga sjellja politike kur je në Parlament nga sjellja e Presidentit. Presidenti duhet të jetë shumë protokollar, duhet të jetë shumë i ftohtë dhe pa emocione në marrjen e vendimeve. Ndërsa debati politik padyshim që të përfshin dhe në diskutime të gjata emotive. Unë e kam kaluar këtë krizë përtej, por nuk e di nëse është tejkaluar nga disa që më kanë parë ndryshe disa vite më parë. Kjo i ngjan lojtarit të një ekipi, që ka pasur tifozët e vet dhe pas karrierës futbollistike bëhet arbitër dhe do i duhet të japë ndoshta dhe ndonjë penallti kundër ekipit të vet, duke ndjekur rregullat e arbitrimit. Megjithatë unë ndjehem mirë. Jam i interesuar që të punoj fort për interesat e njerëzve dhe të Shqipërisë. Dhe fatmirësisht sot ne kemi shumë miq dhe besoj që ndër këta miq jeni dhe ju të dy.

Gazetari: Kërkesa jonë e fundit do të kishte të bënte me një mesazh që Presidenti Republikës së Shqipërisë i drejton investitorëve në mbarë botën, por edhe atyre amerikanë për klimën ekonomike në Shqipëri dhe për çfarë mund të jenë ata të interesuar.

Presidenti Topi: Unë kam dëshirë që t'u drejtohem të gjithë investitorëve që t'i drejtohen Shqipërisë, një vend që ndodhet gjografikisht në zemër të Evropës, një vend i mrekullueshëm përsa u përket resurseve natyrore, një vend që të ofron mundësinë e jashtëzakonshme për të bërë biznes, sepse është një vend i qetë, është një vend i sigurt, është një vend, i cili ka gjetur stabilitetin e tij politik, është një vend i NATO-s, është një vend që shumë shpejt do të jetë një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe mbi të gjitha ka njerëz vitalë, të cilët dëshirojnë të bashkëpunojnë për të rritur ekonominë e tyre dhe prosperitetin e vendit. Ejani në Shqipëri, sepse realisht ju nuk do të zhgënjeheni! Shqiptarët janë shumë bujarë dhe shumë mikpritës.Â

KOMENTE