English

Prishtinë, sot seanca gjyqësore ndaj 22 aktivistëve të Vetëvendosjes

Tiranë, 16 tetor NOA - Sot është mbajtur seanca e parë kundër 22 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosja.

Seanca e sotme ka pasur për qëllim të konfirmojë aktakuzën me të cilën janë ngarkuar aktivistët e Lëvizjes të cilët u arrestuan më 25 gusht pas aksionit të drejtpërdrejtë kundër EULEX-it, por vendimi është shtyrë për të hënën.

22 aktivistë të Lëvizjes janë mbajtur në paraburgim ndërsa akuzohen për pjesëmarrje në grup që ka kryer vepër penale dhe ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm, si dhe për dëmtim të pronës së luajtshme.

"Aktakuza as sot e kësaj dite nuk e ka të përcaktuar (ose të paktën nuk e ka publikuar) nivelin e dëmit të shkaktuar. Mospërcaktimi i këtij dëmi flet qartë për një proces arbitrar, përveç politik, që po zhvillohet kundër aktivistëve të Lëvizjes.

Për shkak se një i akuzuar për dëmtim të pronës së luajtshme do të duhej të procedohej ligjërisht në bazë të shkallës së dëmit. Në rastin e aktivistëve të Lëvizjes shkalla e dëmit nuk është e rëndësishme për shkak se ata mbahen në burg për bindjet e tyre politike" thuhej në një deklaratë lëshuar sot nga lëvizja Vetëvendosja.

Në emër të aktivistëve të Lëvizjes ka folur Xhelal Sveçla i cili gjykatës i tha "Aksioni ynë kundër automjeteve të EULEX-it, të cilin ju e pandehni si arsye pse na kemi mbajtur në burg deri sot, është shfrytëzuar nga EULEX-i, qeveria dhe policia e Kosovës për thellimin e përpjekjes për shkatërrimin e Lëvizjes Vetëvendosja.

EULEX-i, bile, kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme ta shpall Vetëvendosjen organizatë ilegale. Në këtë mënyrë EULEX-i u përpoq paturpësisht por pa sukses ta mbështjellë ligjërisht kriminalizimin tonë. Nga ana e EULEX-it strukturat paralele të Serbisë trajtohen si legale."

"Gjatë seancës gjykatësja disa herë e kishte pyetur prokuroren Dulina Hamiti nëse qëndron prapa aktakuzës dhe nëse qëndron prapa kërkesës për t'ua vazhduar masën e paraburgimit aktivistëve të Lëvizjes.

Ajo e kishte pohuar qëndrimin e saj me një shpërfillje dhe ftohtësi prej roboti. Zatën ajo nuk ka arritur ta kalojë madje as provimin e etikës për t'u punësuar në judikaturë. Ku ta dijë ajo se çfarë e bën njeriun njeri" thuhej më tej në deklaratën e Vetëvendosjes lëshuar ditën e sotme.

KOMENTE