English

PS: Berisha të dorëzojë para drejtësisë zyrtarët abuzues

Tiranë, 16 tetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku ka i bërë thirrje kryeministrit dhe njëkohësisht kryetarit të Partisë Demokratike të dorëzojë para drejtësisë ministrat Fatmir Mediu e Lulzim Basha.

"Në mënyrë që aplikimi për anëtarësim i Shqipërisë të mos shtyhet pafundësisht i kërkojmë Kryeministrit dhe Kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike që në përputhje me gjetjet e Progres Raportit të Komisionit Evropian të dorëzojë para drejtësisë ministrat Mediu e Basha në mënyrë që opinioni publik shqiptar dhe ai ndërkombëtar të marrë përgjigje përfundimtare për personat përgjegjës të krimit shtetëror të Gërdecit dhe gropës megakorruptive të segmentit Rrëshen Kalimash.

Të zbatojë të gjitha vendimet e gjyqësorit në lidhje me administratën publike dhe të dorëzojë para drejtësisë të gjithë zyrtarët e lartë që duke abuzuar me taksapaguesit shqiptarë paguajnë tre persona për të njëjtin vend pune" deklaroi Bushati.

Sipas tij, kryeministri duhet të përmirësojë në mënyrë rrënjësore kapacitetet bashkërenduese, planifikuese dhe burimet njerëzore në procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe aplikimit të Shqipërisë në BE, duke respektuar shërbimin civil si shtylla kurrizore e një shoqërie demokratike dhe jo ta kthejë administratën në zyra punësimi për të shpërblyer militantët në bazë të parimit 20 % LSI dhe 80% PD siç po ndodh rëndom aktualisht.

k.k/NOA

KOMENTE