English

Zbardhja e vjedhjes së një xhamie në Tiranë, autori vdiq pas një incidenti në një tjetër plaçkitje

Tiranë, 16 tetor NOA Update - Një xhami e vjedhur para pak muajsh në Tiranë, ka për autor të ngjarjes një person i cili rezulton të ketë gjetur vdekjen pak ditë më pas.

Burime nga Komisariati nr 1 i Policisë së Tiranës, kanë bërë të ditur sot se kanë identifikuar autorin e vjedhjes së xhamisë në Sauk të Ri të Tiranës, ngjarje e ndodhur më 30 korrik 2009.

Nga hetimet e kryera, doli se autor i ngjarjes ishte 48-vjeçari Përparim Madani. Ky i fundit, mësohet të ketë gjetur vdekjen më 10 gusht 2009 ose rreth 11 ditë pas vjedhjes së xhamisë, ku u konstatua të ishin marrë me forcë duke këputur çelësat e arkës, 30 mijë lekë të rinj.

Madani, lindur në Tropojë dhe banues në Kamëz, nuk është zbuluar menjëherë pas kësaj ngjarjeje.

Kurse dhjetë ditë më vonë, më 9 gusht 2009, ai është bërë protagonist i një tjetër vjedhjeje.

Sipas burimeve nga policia e sektorit kundër krimeve të shëndetit, atë ditë, Madani ka shkuar të vjedhë një lokal në Kashar të Tiranës.

Por atje vjedhja është zbuluar nga pronarët dhe aty ka ndodhur përleshja.

Për këtë ngjarje, policia kishte dhënë arrest në flagrancë për 28-vjeçarin S.K, lindur dhe banues në Tiranë dhe Përparim Madani, 48 vjeç, lindur dhe banues në Tropojë, i dënuar më parë për vjedhje.

Zyrtarisht policia deklaroi më 10 gusht, një ditë pas ngjarjes, se arrestimi i tyre u krye pasi dyshohet se në ambientet e lokalit të ndodhur në Kashar, shtetasi Përparim Madani ka shkuar me synim për të vjedhur ndërkohë që vjedhja është konstatuar nga S. K. (vëllai i pronarit të këtij lokali), i cili në moment e ka goditur në pjesën e kokës me sende të mprehta (sëpatë) autorin e vjedhjes, Përparim Madani.

Menjëherë, i dëmtuari Përparim Madani është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rënduar shëndetësore.

Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe proçeduriale, ndërkohë që në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një lopatë dhe një palë paterica.

Kurse materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të dy shtetasve iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "Plagosje e rëndë, me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme" në ngarkim të S. K, dhe të "Vjedhjes së mbetur në tentativë", në ngarkim të Përparim Madanit.

Ndërkohë, një ditë pas ngjarjes së ndodhur, Madani ka ndërruar jetë.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka deklaruar se Madani ka gjetur vdekjen aksidentalisht.

Burimet nga policia nuk qartësuan se çfarë aksidenti ka ndodhur që i ka marrë jetën "hajdutit" 48-vjeçar Përparim Madani, ndërsa atë ditë që thuhet se ka ndodhur aksidenti një ditë më parë, ai ishte goditur me sëpatë teksa po kryente një vjedhje.

f.s/NOA

KOMENTE