Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Berisha: Qeveria e vogël funksionon, qeveria në dietë jep rezultat
English

Berisha: Qeveria e vogël funksionon, qeveria në dietë jep rezultat

Berisha referon zhvillimet e Shqipërisë në Konferencën "Bota në vitin 2025": Shqipëria ka gjysmën e administratës së Maqedonisë

Vjenë, 17 tetor NOA - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në konferencën "Bota në Vitin 2025" mbajtur në Vjenë.

Në fjalën e tij, drejtuar politikanëve të lartë evropianë, pjesëmarrës në këtë konferencë, ai paraqiti një tablo të zhvillimeve të Shqipërisë gjatë viteve të fundit, në përpjekje për të realizuar standardet për liberalizimin e vizave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në një moment të fjalës së tij, Berisha i ka vënë theksin kursimit shtetëror që po shtrihet dhe në pjesën tjetër të Evropës.

"Administrata ime është zvogëluar dhe sot mund të them se Shqipëria ka gjysmën e administratës së Maqedonisë", - tha Berisha duke ilustruar me faktin se jemi vend dy herë më i madh nga ai fqinjë por me administratë dy herë më të vogël.

"Qeveria e vogël funksionon, qeveria në dietë jep rezultat", - theksoi Berisha dhe vazhdoi: "Lufta kundër korrupsionit është vendimtare, por penalizmi i atyre që bëjnë korrupsionin është thelbësor. Për këtë arsye, qindra zyrtarë në Shqipëri janë dënuar për korrupsion. Dhe ky progres është pasqyruar edhe në shkallën e renditjes së vendeve me korrupsion".

Në vijim, Berisha evidentoi se "këtë vit ne kemi shënuar arritje të mëdha" dhe shtoi: "Këtë vit ne zhvilluam zgjedhjet më të mira me teknologjinë më të lartë si listat elektronike të votuesve, gjendjen civile të dixhitalizuar, procesin e numërimit të votave që u filmua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ne siguruam procesin më transparent".

Më tej Berisha premtoi se "unë mbetem shumë i angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe do të bëjmë çdo përpjekje kundër tij".

Këtu ai përmendi: "Ne e nxorëm administratën publike nga konflikti i interesit. Ne gjithashtu morëm masa për të mos lejuar përdorimin e parave publike për qëllime të tjera private. Dhe falë kësaj, qeveria ime ka arritur të shkurtojë shpenzimet operative me rreth 5% të PPB-së".

Kryeministri tregoi edhe punën për të shkurtuar procedurat: "Në vendin tim funksionon e-customs. Në Shqipëri nuk përdoret më asnjë lloj prokure përveç prokurimeve elektronike. Privatizimi është një rrugë e mirë për të luftuar korrupsionin".

Në vazhdim, Berisha theksoi faktin se "integrimi i Shqipërisë është për vendin tim, brezin tim dhe gjithë jetën time qëllimi më i madh" dhe shtoi se është një koincidencë e bukur që ky takim ndodh në 20 vjetorin e rënies së murit të Berlinit.

Kryeministri ynë kujtoi se kjo ishte ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore.

Kurse plotësoi duke thënë se është momenti i hapjes së dyerve për zgjerimin e BE-së dhe shpresat për t'u bërë anëtar i një organizate më të madhe.

Ndaj Berisha lajmëroi se "procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm për mua dhe qeverinë time".

"Ky është në të vërtetë udhërrëfyesi i vërtetë për procesin e reformave. Fatmirësisht mbështetja për integrimin në BE në vendin tim është 95%. Ky mbetet akoma projekti ëndërr i Shqipërisë. Dhe për mua është një avantazh i madh, një mundësi për të bërë më të mirën e mundshme", - tha Berisha.

Integrimi në BE dhe integrimi në NATO është për të gjithë rajonin forca drejtuese që do ta ndryshojë rrymën në drejtim tjetër nga konfliktet apo luftërat civile dhe drejt bashkëpunimit, miqësisë dhe një të ardhmeje të përbashkët, - ka vlerësuar Berisha.

Në këtë kontekst, ai tha se Deklarata e Selanikut në samitin e BE-së ishte me një rëndësi themelore sepse i jepte një perspektive Evropiane vendeve Ballkanike.

"Dhe kjo perspektivë për vendin tim dhe rajonin po shkon përpara. Dy ditë më parë Komisioni Evropian publikoi Progres-Raportin mbi rajonin dhe vendin tim. Raporti përmbante një lajm shumë të mirë për Kroacinë dhe falë progresit të bërë Kroacia merr premtimin të bëhet një anëtar i plotë në 2010-ën", - tha kryeministri.

Për Berishën, ky është një lajm i mirë edhe për të gjithë rajonin e gjithashtu, është premtuar hapja e bisedimeve për një marrëveshje hyrëse me Maqedoninë.

Ndërkohë, Shqipëria është në pritje pasi ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE. "Pra, të gjitha vendet tona po punojnë drejt një të ardhmeje të përbashkët. Unë shpresoj që ky proces do të jetë i favorshëm për ne", - konkludoi Berisha duke konsideruar se kjo do të ishte në interesin më të mirë të qytetarëve tanë.

Berisha vlerësoi se vendet tona duhet të ecin pasi qëllimi është i përbashkët, të bashkohen me ju, me zonën e demokracisë së konsoliduar.

z.r/NOA

KOMENTE