Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Jo federatë me Serbinë
English

Jo federatë me Serbinë

Mu para zgjedhjeve surrogate në fund të vitit 2007 u pat brumosur Dokumenti 14 pikësh i Ishingerit, ky orakull fatthënës për atë çka Kosova do të pësonte më vonë. Siç dihet, ky dokument ishte një sintezë midis qëndrimit intrasigjent të Beogradit dhe qëndrimit kompromisaxhi të Prishtinës, që prapëseprapë në fund të fundit ishte zyrtarizim i qëndrimit të Serbisë, kësaj radhe duke pasur vulën ndërkombëtare

Nga Salih Mehmeti

Burgu i Dubravës, pavijoni 2,

krahu jug, qelia nr.3

Partitë politike në Kosovë vijnë në pushtet më shumë nga oferta që u bëjnë ndërkombëtarëve sesa nga ajo që u ofrojnë zgjedhësve të tyre. Bie fjala, në zgjedhjet e kaluara të përgjithshme dhe lokale nën patronatin e UNMIK-ut, planprogrami i partive poltike ishte serioz sall në një pikë: në gatishmërinë e ndezur për të bërë jetësimin e kërkesave ndërkombëtare ndaj Kosovës. D.m.th., tërë planprogrami i tyre është pak a shumë një kopjim i ndonjë dokumenti a urdhëri të ndërkombëtarëve. Tekembrama, a nuk janë këto autoritete supreme ato që u japin një trohë pushtet, zakonisht pushtet joekzekutiv?

Mu para zgjedhjeve surrogate në fund të vitit 2007 u pat brumosur Dokumenti 14 pikësh i Ishingerit, ky orakull fatthënës për atë çka Kosova do të pësonte më vonë. Siç dihet, ky dokument ishte një sintezë midis qëndrimit intrasigjent të Beogradit dhe qëndrimit kompromisaxhi të Prishtinës, që prapëseprapë në fund të fundit ishte zyrtarizim i qëndrimit të Serbisë, kësaj radhe duke pasur vulën ndërkombëtare. Vetëm zhvillimi i derisotëm i ngjarjeve e bëri të ditur fizionominë e kësaj federate të skicuar në po atë dokument. Mënyra më e saktë e të shpjeguarit të statusit politik të Kosovës së sotme qëndron në dallimin e domethënies së federatës dhe konfederatës. Rëndom në literaturën dhe praktiken politike, konfederata nënkupton një bashkim jo kushedi sa detyrues midis dy ose disa njësive të barabarta politike që gëzojnë të drejtën e shkëputjes. Të mosqenit subjekt në raport me Serbinë, e pabarabartë politikisht, si dhe mospasja e së drejtës për shkëputje, e përjashton konfederatën. Madje është e nevojshme për të përkujtuar se as në Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 asnjëherë nuk u përmend shkëputja nga Serbia. Shkëputja nuk u përmend mu për shkak se nuk pat kurrfarë shkëputje.

Në Fjalorin Politik të Oksfordit të Iain McLean-it, jepet ky përkufizim i thukët i domethënies së konceptit të quajtur federalizëm: "term që thotë se të gjithë mund të jenë të kënaqur (dhe askush gjithmonë i pakënaqur) nga gërshetimi i drejtë i interesave kombëtare dhe rajonale/territoriale në një sistem të ndërlikuar kontrrolli të ndërsjellë midis një qeverie të përgjithshme, ose kombëtare ose federale nga njëra anë, dhe një shumësie qeverish krahinore nga ana tjetër… metodë e rregullimit të qeverisjes territoriale dhe të pajtimit të interesave të ndryshme territoriale që në të njëjtën kohë shmang si rrezikun e centralizimit të tepruar të sistemeve unitare, ashtu edhe decentralizimin e skajshëm të konfederatës".

Statusi i tanishëm i Kosovës është deri diku një federatë e një lloji të veçantë, një federatë e zhdrejtë. E zhdrejtë për arsye se formacionet shtetërore të Serbisë dhe formacionet e Kosovës janë të pabarabarta politiksht; formacionet e së parës janë formacione të plota shtetërore me ingerenca po ashtu të plota, kurse ato të Kosovës janë shtetërore për nga emri, por jo edhe nga përmbajtja sepse janë shterpë. Qeveria e Serbisë edhe me Rezolutën 1244 edhe me kushtetutën e saj, e ruan sovranitetin mbi Kosovës dhe kufijtë e saj që e përfshijnë Kosovës brenda saj, dhe të cilët vazhdojnë të njihen nga bota. Kufiri Kosovë-Serbi është etabluar si kufi administrativ dhe joshtetëror, që do të thotë kufi federal. Qeveria e Serbisë cilësohet si qeveria qendrore, paternale dhe fuqiplotë e kësaj federate të padukshme, kurse Qeveria e Kosovës mbete në rolin e të qenurit qeveri krahinore. Duket që deri më tani, mamitë që ia prenë kërthizën kësaj federate, pra ShBA dhe BE, kanë ditur të luajnë për bukuri me krijesën e tyre, duke i baraspeshuar dy dukuri të kundërta: centralizimin dhe decentralizimin. Si ta shpjegojmë më thjeshtë këtë?

Projekti i Treshes ShBA, BE, Rusi, skiconte në vija të përgjithshme një federatë sui generis midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo Treshe ishte pajtuar që nukleus i kësaj federate të ishte Rezoluta 1244. Përmes njohjes së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur u bë njëfarë decentralizimi i kësaj federate. Mirëpo për të baraspeshuar këto dy rryma gërryese ndaj njëra-tjetrës, arkitektëve iu desh një dokument i ri (në këtë rast Dokumenti 6 pikësh i Ban Ki Moon-it), që do të shërbente si ind lidhjeje mes këtyre dy rrymave.

Një ndër këto inde lidhëse me Serbinë që i parathotë dokumenti 14 Pikësh i Ishingerit, janë lidhjet rrugore. PDK-ja e vitit 2007 e pat hetuar çelësin e fitores, ndaj ajo menjëherë e mishëroi dhe e përshtati këtë dokument në planprogramin e saj politik. Hashim Thaçi me kompaninë e tij e shpalosnin me bujë e poterë të madhe planin ambicioz të ndërtimit të autostradave. Një prej këtyre autostradave ishte vazhdim i autostradës që lidh Durrësin dhe Prishtinën, ndërsa dy autostradat e tjera ishin shtojca të kësaj autostrade drejt Serbisë: njëra drejt Leposaviqit, tjetra drejt Merdares. Kjo dëshmon përkushtimin e qeverisë së Thaçit ndaj dokumentit të Ishingerit: dy autostrada në drejtim të Serbisë kundruall një autostrade në drejtim të Shqipërisë. Ky raport numerik simbolikisht përfaqëson faktin e hidhur se lidhjet e Kosovës me Serbinë janë në përpjestim te drejtë me zvogëlimin e lidhjeve të Kosovës me Shqipërinë. Ndërtimi i autostradës kolosale Durrës-Prishtinë me plot të drejtë quhet si nyje bashkimi shumëdimensional të shqiptarëve andej e këndej kufirit. Mirëpo, për fat të keq, vazhdimi i panevojshëm i autostradës në Merdare, pra puqja e kësaj autostrade me Nishin, do të thotë relativizim i rëndësisë dhe bereqetit të autostradës Prishtinë-Durrës. Pikërisht në ditën kur në kulmin e entuziazmit e haresë u përurua hapja e tunelit në Kalimash, Rada Trajkoviq u ngut që ta përshëndeste me finokëri si akt evropian, por sipas saj, Prishtina do të duhej të bënte vazhdimin e kësaj autostrade prej Prishtinës gjer në Merdare. E qartë: Rada Trajkoviq në veçanti dhe Serbia në tërësi, e përshëndesin këtë akt vetëm kur janë të sigurt për nyjetimin e kësaj autostrade me Nishin, sepse Serbisë akoma nuk i ka dalë nepsi që të ketë një liman në Adriatik.

Duket, që qeveria e Kosovës nuk i regjistron këto ngjarje sepse dehja nga vetëkënaqësia e vetëmjaftueshmëria e kanë vdekur për së gjalli. Ajo më shumë parapëlqen që të jetë qeveri krahinore ose qeveri nën diktatin e huaj. Bartësit e kësaj qeverie e gënjejnë veten nëse mendojnë se janë të larë nga përgjegjësia historike duke dhënë e thënë kundërshtime e JO të lehta që nuk i merr parasysh askush, sepse një qeveri që nuk ka shpirt ndërrmarrësie prej sovrani është e thënë që do të kapitullojë. "Kurrën e kurrës nuk e pranojmë 6 Pikëshin", thonin. Siç thotë Cvajgu: ‘historia na e ka treguar jo rrallëherë se ç‘do të thotë kjo "kurrën e kurrës" në gojën e mbretërve, të politikanëve dhe të gjeneralëve: pothuajse gjithmonë ato fjalë shënojnë preludin e një kapitullimi".

KOMENTE