English

Kufiri me Greqinë, Balla: Meta s'mund ti shesë interesat kombëtare njësoj si partinë

Tiranë, 17 tetor NOA-Partia Socialiste ka reaguar sërish sot përmes deputetit të saj Taulant Balla duke ripërsëritur se do të vazhdojë të mbrojë të drejtën e shqiptarëve për përcaktimin e kufijve detarë të vendit.

Deputeti socialist i është kundërpërgjigjur deklaratës së ministrit të Jashtëm Ilir Meta duke i kujtuar atij se s'mund të shesë aq lehtë interesat kombëtare siç shiti partinë e tij.

"Zëdhënësi i ri i Berishës, Ilir Meta duket se s'ka detyrë tjetër veç të përgojojë opozitën duke folur kodra pas bregut.

Gjithsesi ne jemi këtu për t'i thënë Ilir Metës se interesat kombëtare nuk mund t'i shesë po aq lehtë sa interesat e partisë së tij dhe Partia Socialiste do ta mbrojë deri në fund të drejtën e shkelur, të të gjithë shqiptarëve, nga qeveria në përcaktimin e kufijve detarë të Shqipërisë", deklaroi Balla.

Partia Socialiste dhe shtatë parti të tjera opozitare ankimuan të premten në Gjykatën Kushtetuese, legjitimitetin e marrëveshjes së Shqipërisë me Greqinë për përcaktimin e kufijve detarë.

Sipas shoqërisë civile e opozitës, nga kjo marrëveshje shteti shqiptar humb të drejtën e pronësisë së 355 km hapësirë detare duke ia dhuruar pa asnjë çmim shtetit grek.

Shoqatat kanë kërkuar mosratifikimin e kësaj marrëveshje nga parlamenti shqiptar deri në analizimin e plotë të saj, për të parë interesat dhe humbjet që ka Shqipëria nga ky vendim.

m.i/NO

KOMENTE