English

MPJ komenton marrëveshjen Prishtinë-Shkup mbi përcaktimin e vijës kufitare mes dy vendeve

Tiranë, 17 tetor NOA - Ministria e Punëve të Jashtme përshëndeti sot marrëveshjen e arritur prej komisioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) për përcaktimin e vijës kufitare midis dy vendeve, e cila pritet të ratifikohet gjatë ditës së sotme prej parlamenteve respektive.

Ministria e Punëve të Jashtme tha se ajo bashkohet me deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët, z. Havier Solana, i cili përgëzon në mënyrë të ngrohtë autoritetet e dy vendeve për arritjen e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme si një shenjë pjekurie, përgjegjësie dhe respekti reciprok.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme, vlerëson se arritja e kësaj marrëveshjeje është një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe një dëshmi e qartë e vullnetit të dy vendeve për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe të fqinjësisë së mirë, për një të ardhme të përbashkët evropiane.

f.sh/NOA

KOMENTE