English

Progres raporti i KE "nxin" ministrinë e Punës: Asnjë vëmendje për pakicat rome

Tiranë, 17 tetor NOA-Ankesat e vazhdueshme të pakicave rome e egjiptiane përmes zërit të përfaqësuesve të tyre duket se nuk do të bien më në vesh të shurdhër si deri tani, pas publikimit të progres raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, i cili evidenton realisht problemet e mëdha që nga varfëria, papunësia, mungesa e arsimimit dhe rreziku i trafikimit me të cilët haset ky komunitet.

Ministri i Punës, Spiro Ksera, ka pranuar punën e dobët të bërë nga ish drejtuesit e dikasterit të tij, funksionarë të së njëjtës parti prej së cilës vjen dhe zoti Ksera.

"Edhe pse Strategjia për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom është miratuar që në vitin 2003, Plani i Veprimit për zbatimin e saj ka ecur me hapa shumë të ngadalta.

Raporti, krahas arritjeve ka evidentuar edhe problemet, një nga të cilat është edhe mungesa e Planit të Veprimit për Dekadën e Integrimit të Romëve, një detyrim të cilin Qeveria do ta përmbushë që javën e ardhshme", deklaroi ministri Ksera.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e organizatave të romëve kanë kërkuar më shumë institucione të arsimit parashkollor si dhe aplikime të programeve specifike për nxitjen e punësimit në këtë komunitet, pasi shumë prej prindërve të fëmijëve romë detyrohen të nxjerrin fëmijët në rrugë për të lypur për shkak të papunësisë e varfërisë që karakterizon këtë komunitet.

m.i/NOA

KOMENTE