English

Komisariati i Beratit, një torturë për të shoqëruarit, Avokati i Popullit: Të merren masa urgjente

Tiranë, 18 tetor NOA - Avokati i Popullit ka rekomanduar Krerët e Policisë së Shtetit të marrin masa urgjente për krijimin e ambienteve të reja të shoqërimit dhe të sigurisë për të shoqëruarit, ndaluarit dhe arrestuarit si dhe ndarjen e tyre veçanërisht për persona të mitur dhe femra në Komisariatin e Policisë së Berat.

Avokati i Popullit pak ditë më parë bëri një inspektim në dhomat e shoqërimit, në Komisariatin e Policisë Berat.         Â

Gjatë inspektimit u konstatua se, lidhur me shoqërimin e shtetasve dhe ambientet ku mbahen këta persona, komisariati i Policisë Berat dispononte në inventarin e objekteve të tij dy dhoma shoqërimi, të cilat ndodheshin në një ndërtesë me vete, me dimensione të njëjta 3.5x4 m2.

Njëra nga këto dhoma ishte jashtë parametrave dhe standardeve të kërkuara dhe ishin nxjerrë jashtë përdorimi nga ana e drejtuesve të policisë.

Ajo ishte pa dyer, pa ndriçim nga rrjeti, me shumë lagështi dhe tejet e amortizuar dhe pa dritare.

Ndërsa dhoma tjetër përballë saj plotësonte standardet, ishte pajisur me tavolinë karrige me dere dhe dritare me ndriçim të bollshëm.

Në këtë komisariat policie nuk kishte dhoma të veçanta për të mitur dhe femra sipas konceptimit të bërë nga ligji i ri Nr.9749, dt. 04.06.2007 "Për Policinë e Shtetit". Veprimet për të miturit kryheshin në zyrat e punonjësve të policisë, ndërsa femrat mbaheshin ne korridor ose në zyrat e oficerëve të policisë gjyqësore.Â

Sipas Avokatit të Popullit, në momentin që është kryer inspektimi nuk kishte shtetas të shoqëruar, por nga biseda me drejtuesit e këtij komisariati u konstatua se të shoqëruarit mbaheshin në oborr dhe në rast reshje apo moti të ftohte futeshin në ndonjë zyrë.

Kjo masë shoqërohej gjithmonë me një sërë shqetësimesh nga ana e drejtuesve të policisë, pasi ata nuk dispononin efektiv lidhur me këtë shërbim.

Librat e shoqërimit, ndalimit apo arrestimit të shtetasve në polici u konstatua se plotësoheshin me shumë përgjegjësi, duke pasqyruar saktë shkakun ligjor, por nuk kishin rubrikë për njoftim të familjarëve dhe avokatit mbrojtës.

Nga këqyrja e librit të personave të shoqëruar, ndaluar apo arrestuar si dhe në bisedë me punonjësit e policisë së këtij komisariati përfshirë dhe drejtuesit e tij, mësuam se shoqërimi i personave në organet e policisë bëhej gjithmonë sipas kritereve ligjore të përcaktuara në nenet 11/6, 101/1/ "a" dhe "b" dhe 106 të ligjit nr.9749, dt.04.06.2007 "Për Policinë e Shtetit".

Lidhur me të ndaluarit, të arrestuarit dhe ambientet që mbahen këta persona, dhoma të sigurisë në këtë Komisariat Policie nuk kishte pasi nuk ishte parashikuar në organik efektiv për sigurinë e tyre dhe nuk kishte dhoma të përshtatshme për këtë funksion, ndaj personat e ndaluar apo arrestuar dërgoheshin menjëherë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier.

Nga drejtuesit e Komisariatit Policisë Berat mësuam se kjo ishte një praktike e sforcuar duke qenë se kërkonte mjete dhe personel shërbimi për transferimin e të arrestuarve të ndaluar gjatë kohës së kryerjes së proçedurave të hetimit deri në dhënien e masës së sigurisë nga Gjykata e cila detyron vendosjen e të arrestuarit në Institucionin e Paraburgimit Berat.

Kështu nisur nga këto konstatime Avokati i Popullit konstatoi se është më se e nevojshme marrja e masave të menjëhershme për sigurimin e fondeve për ndërtimin e dhomave të sigurimit brenda ambienteve të Komisariatit Berat.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë nuk ishin të ekspozuara posterat për të drejtat e personave të shoqëruar, ndaluar apo arrestuar nga policia.

Avokati i Populli gjykon se konstatimet e nënvizuara më sipër përbëjnë shkelje të të drejtave dhe lirive themelore kushtetuese e ligjore të shtetasve.

Ndërkohë, ato ulin imazhin dhe prestigjin e organeve të Policisë së Shtetit dhe për rrjedhojë edhe të vetë shtetit, si garant për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve.

Avokati i Popullit rekomandoi krerët e dikasterit blu të marrin masa urgjente për rikonstruksionin e dhomave të shoqërimit për ndarjen e tyre për persona të mitur dhe femra në Komisariatin e Policisë Berat, të marren masa urgjente për krijimin e dhomave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Berat dhe të bëhen shtesa në organikën e këtij komisariati me qëllim përmbushjen efektive të këtij shërbimi.

k.k/NOA

KOMENTE