English

Përplasje me armë mes shqiptarësh e kurdësh në Athinë, plagoset rëndë një 50-vjeçar grek

Athinë, 18 tetor NOA - Një shtetas grek ka mbetur i plagosur rëndë sot herët në mëngjes, pasi u qëllua aksidentalisht gjatë një përleshjeje me armë mes disa shqiptarësh e kurdësh në mes të rrugës, në një lagje të Athinës.

Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA informon se ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së Diel, në 01.30, në rrugën "Aleksandras", nr 69, pranë parkut të fëmijëve, te zona e njohur në Athinë, si "Kipseli".

Policia deklaroi se dy shtetas kurdë, hipur në një autoveturë, iu sulën një 25-vjeçari shqiptar i cili gjendej mbi motoçikletë, gati për të lëvizur.

"Dy kurdët, e qëlluan të riun shqiptar me armë zjarri, pistoleta, por qitja u rezultoi e dështuar, sepse plumbat i mori një burrë që po kalonte rastësisht aty pranë, në trotuar, duke bërë që ai të plagosej", deklaroi policia.

Viktima u dërgua në spitalin shtetëror të Athinës, ku u bë e ditur se 50-vjeçari kishte marrë plagë në pjesën e pasme të kofshës, por nuk ka rrezik për jetën e tij.

Të shtënat janë dëgjuar njëkohësisht nga policia dhe banorë dhe në pak çaste atje mbërritën një grup forcash të rendit, në përpjekje për të marrë në dorë situatën.

Forcat policore u vunë në ndjekje të agresorëve kurdë dhe disa minuta më vonë, arritën t'i rrethojnë dhe më pas t'i prangosin, në rrugën "Patision" që shihni dhe në këtë foto.

Ndërkohë, në vendin e krimit, motoçikleta u gjend e braktisur, pasi emigranti shqiptar ishte larguar në drejtim të paditur.

Nga hetimet e kryera, doli se incidenti nisi në një lokal pranë vendngjarjes dhe sebep i tij u bë një femër.

Vajza gjendej në barin e natës dhe ishte në qendër të vëmendjes së emigrantëve. Jo vetëm dy kurdët por dhe djaloshi shqiptar po "e hanin" me sy.

Në fund duket se ka fituar shqiptari sepse vajza i është "ngjitur" atij, por kjo gjë nuk u ka pëlqyer dy djemve kurdë që kanë vendosur të hakmerreshin, duke i zënë pritë 25-vjeçarit shqiptar me synimin për t'i marrë jetën, pak minuta pasi kishte dalë nga lokali dhe kishte përcjellë vajzën që mund të jetë e dashura e tij e re.

n.s/e.r/NOA

KOMENTE