English

PDK: Nënë Tereza hyjnizoi vlerat tona si komb, një muze për të në Tiranë

Tiranë, 19 tetor NOA - Partia Demokristiane ka lëshuar sot një deklaratë për shtyp me rastin e ditës së Lumturimit të Nënë Terezës, duke kërkuar nga qeveria të mbështesë botimet e mësimeve dhe librave për shenjtoren.

"Dita e sotme, dita e Lumturimit të Nënë Terezës, është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptaret dhe jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë njerëzit që besojnë te Zoti, te dashuria tek paqja dhe mirëkuptimi midis njerëzve.

Për ne shqiptarët, këtë ditë e bën më të veçantë fakti se Nënë Tereza ishte me gjak dhe shpirt shqiptar, se ajo me përkushtimin dhe dashurinë e saj hyjnore i hyjnizoi vlerat tona më të mira si komb.

Në këtë ditë të shënuar, në këtë të Kremte të Madhe, çdo shqiptar ndjen krenari dhe respekt për gruan trup-imët por shpirtmadhe që arriti të shndërrohet në emblemën e humanizmit në botë, në njeriun që solli dashurinë e zotit tek të varfrit, tek të pamundurit, tek të sëmurët, tek të gjithë ata që vuajnë nga mungesa e dashurisë, kujdesit dhe fatkeqësitë e tjera të jetës" thuhej në deklaratën e PDK-së.

"Në mënyrë të veçantë dita e sotme është një ditë hyjnore për ne demokristianët shqiptarë, që mësimet dhe veprën e shenjtë të Nënë Terezës e kanë filozofi dhe frymëzim në punën dhe aktivitetin e tyre të përditshëm për të përmirësuar jetën tonë, për të bërë çdo ditë "punë të vogla me dashuri të madhe", ashtu sikurse porosiste Nënë Tereza" thuhej më tej në deklaratën e Partisë Demokristiane.

PDK, shtoi se me Nënë Terezën edhe në këto vite të pluralizmit politik është bërë shumë demagogji, siç ishte edhe deklarata e fundit e kryeministrit për kthimin e eshtrave të saj në atdhe.

Sipas kësaj partie, qarqe të caktuara jo vetëm kanë penguar nderimin e merituar të Nënë Terezës, por edhe kanë përjashtuar nga qeverisja mësimet dhe filozofinë kristiane, aq sa sot, komuniteti kristian nuk përfaqësohet në qeverisjen e vendit, duke imituar diktaturën dhe diktatorin që njihet për urrejtjen dhe persekutimin që i ka bërë komunitetit katolik.

Nënë Tereza ende nuk është kuptuar, vlerësuar dhe nderuar siç e meriton në vendin e saj, nga bashkatdhetarët e saj.

"Ne edhe për vendosjen e një shtatoreje të saj jemi futur në debate publike dhe për fat të keq shtatoret e saj janë vendosur ose në kryqëzime rrugësh, ose në skuta të fshehura e të harruara. Dhënia e emrit të saj aeroportit, një qendre spitalore, apo ngritja e një monumenti modest në qendër të Shkodrës nuk mjafton.

Shtatorja e Nënë Terezës e ka vendin në sheshin qendror të Tiranës, krahas shtatores së Gjergj Kastriotit, si dhe në sheshet e tjera të qyteteve shqiptare, sepse ajo është jo vetëm krenaria jonë si komb, por edhe udhërrëfyesja jonë shpirtërore për të ndërtuar të ardhmen tonë evropiane, për të ndërtuar një jetë të bazuar mbi vlerat dhe dashurinë hyjnore.

PDK i propozon qeverisë shqiptare ngritjen e një muzeu të Nënë Terezës në Tiranë, ku fëmijët, të rinjtë dhe të gjithë shqiptarët të kenë mundësi të njihen me jetën dhe mesimet e saj të çmuara ndërkohë që fton ministritë përkatëse të mbështetin botimin e krijimtarisë së Nënë Terezës dhe të librave që janë shkruar për jetën e Nënë Terezës, që brezi i ri të njihet më mirë me jetën, veprën dhe mësimet e Nënë Terezës" deklaroi më tej PDK.

k.k/NOA

KOMENTE