English

Debëllde, policia kufitare kthen gurët kufitarë. Banorët: Kosova fali 22 hektarët tanë

Debëllde, 21 tetor, NOA - Policia kufitare e Maqedonisë i ka kthyer gurët kufitar në vijën kufitare të përcaktuar ditë më parë me marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria e Shkupit dhe Prishtinës.

Banorët e fshatit kufitar Debëllde të Vitisë, sot i larguan gurët kufitarë, të pakënaqur me marrëveshjen e lartpërmendur e cila sipas tyre, i fal shtetit të Maqedonisë 22 hektarë tokë.

Protestuesit kërkuan nga qeveria e Kosovës, që të shqyrtojë kërkesat e banorëve për kthim të pronave dhe kompensimin e tyre që nuk i kanë shfrytëzuar për 9 vite me radhë, në të kundërtën paralajmëruan radikalizmin e veprimeve të tyre.

Â

Debëlldeasit: Asnjëherë nuk do tia japim tokat tona Maqedonisë

Banorët e fshatit kufitar Debëllde, përmes një proteste të organizuar në qendër të fshatit, kanë kundërshtuar marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë që përcakton vijën kufitare, përmes së cilës 22 hektarë tokë, pronë e banorëve i takojnë territorit maqedonas. Protestuesit i bënë thirrje qeverisë së Kosovës që të shqyrtoj kërkesat e banorëve për kthim të pronave dhe kompensim të tyre që nuk i kanë shfrytëzuar për 9 vite me radhë, në të kundërtën do të radikalizojnë veprimet dhe nuk do të marrin përgjegjësit për eksese të mundshme.

"Kodra e Furrës është e jona", "Nuk kemi tokë për të falur", "Haram u qoftë vota deputetëve të Parlamentit", ishin këto mbishkrimet që mbanin në duar banorët e fshatit kufitar Debëllde, në protestën e sotme të organizuar në qendër të fshatit për ti thënë "Jo marrëveshjes së arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë.

Duke iu drejtuar masës së tubuar, përfaqësuesi i fshatit Debëllde, Zymri Ilazi ka theksuar se marrëveshja e nënshkruar që banorëve i grabit 22 hektarë, kurrë nuk do të jetë e pranueshme për banorët e këtij fshati.

"Ne nuk jemi kundër definimit të vijës kufitare, por që ky përcaktim të mos dëmtoj pronat private të fshatarëve", ka theksuar Ilazi.

Ndërsa përfaqësuesi i këtij fshati në kuvendin komunal të Vitisë, Sali Abdullahu është shprehur se Qeveria e Kosovës nuk mbajti premtimin e dhënë që para çdo marrëveshje për kufirin të merret pëlqimi i banorëve. "Ditën kur janë vendosur shenjat që përcaktojnë kufirin, nuk ka ditur askush nga banorët", është shprehur Abdullahu.

Përfaqësuesi i lëvizjes "Vetëvendosje" Hysen Durmishi në këtë protestë ka theksuar se zona e quajtur "Kodra e Furrës", është pikë e ndjeshme dhe më gjeostrategjike, andaj sipas tij, për këtë është dashur një mobilizim i përgjithshëm i të gjithëve, si të institucioneve të Kosovës po ashtu edhe të gjithë popullit të Kosovës. Ndërsa plaku 98 vjeçar Haki Hasani, ka theksuar se Kodra e Furrës gjithmonë ka qenë prone e banorëve dhe për asnjë çmim nuk do të lejohet që këto prona ti kalojnë Maqedonisë. Si pasoje e marrëveshjes së vitit 2001, mes Beogradit dhe Shkupit, gjysma e banorëve të këtij fshati janë shpërngulur, kështu që para vitit 2001 Debelldeu numëronte rreth 72 shtëpi me 800 banorë, ndërsa tani pas 9 viteve në këtë fshat janë 34 shtëpi me afër 400 banorë. Edhe marrëveshja e re për kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë mund të rezultojë me shpërngulje të mëtejshme të banorëve, pohojnë banorët e Debelldeut.

NOA-INA

KOMENTE