English

Fratini i premton Metës: Do këmbëngul për nisjen e procedurave tuaja të aplikimit si vend kandidat në BE

Romë, 21 tetor NOA-Italia ka rikonfirmuar se do të mbështesë Shqipërinë për t'u anëtarësuar sa më parë në Bashkimin Evropian.

Gjatë një vizite në kryeqytetin italian, në Romë, me ministrin e Jashtëm Franko Fratini, ministri i Jashtëm Ilir Meta ka marrë mbështetjen e vendit fqinj për të influencuar pranë Brukselit me qëllim nisjen sa më parë të procedurave për aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat në BE.

"Të hënën e ardhshme, në mbledhjen e e Ministrave të Jashtëm në Luksemburg do të diskutoj përsëri transmetimin e shpejtë të aplikimit pranë Departamentit përgjegjës të Komisionit Evropian, për të filluar procedurat të cilat shpresojmë të çojnë në njohjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë", theksoi Fratini gjatë konferencës së përbashkët për shtypin me ministrin Meta.

Sipas tij, Shqipëria po bën një progres shumë të dukshëm në lidhje me sigurinë e dokumentacionit, pasaportat biometrike, kontrollin e kufijve të saj të jashtëm.

Ajo po i afrohet përmbushjes së të gjitha standardeve të kërkuara teknike për të pasur një regjim të lirë vizash.

"Italia do të kundërshtojë gjithsesi zgjidhje që do ta linin Shqipërinë pas.

Ne sapo kemi njohur progresin e bërë nga tre shtetet e tjera të Ballkanit: Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

 Menjëherë pas përmbushjes së standardeve e cila, sipas bisedës me ministrin Meta, do të behet realitet para fundit të këtij viti, edhe Shqipëria duhet t'i bashkohet atyre vendeve që arritën këtë rezultat të dukshëm dhe të prekshëm të regjimit të liberalizuar të vizave", përfundoi Fratini.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Ilir Meta deklaroi se nga ana e qeverisë po bëhet gjithçka për të konsoliduar progresin në këtë drejtim.

m.i/NOA

Â

Â

KOMENTE