English

Rama: Do zbardhim me çdo kusht të vërtetën e 28 qershorit, Berisha të hapë kutitë

Tiranë, 21 tetor NOA - Vetëm pak orë pas deklaratës së kryeministrit Berisha i cili e quajti absurde kërkesën e kreut të opozitës për hapjen e kutive ka reaguar dhe kryesocialisti, Edi Rama duke theksuar se Berisha po përpiqet të varrosë të vërtetën e 28 qershorit.

"Berisha ka arritur të hapë në parlament dosje hetimore të prokurorisë, kështu duhet të hapë edhe kutitë.

Ne kërkojmë hapjen e kutive të votimit për të bërë transparencë përmes një komisioni hetimor parlamentar i cili nuk ka të bëjë me procesin juridik që u mbyll me vendimin e kolegjit zgjedhor.

Votat janë grabitur dhe vullneti i shqiptarëve është deformuar dhe se mekanizmi i deformimit ka qenë i orkestruar nga vetë pushteti" deklaroi sot në një konferencë për shtyp kreu i PS-së Edi Rama.

Sipas Ramës, Shqipëria është sot padyshim në një situatë tërësisht të papranueshme për shkak se ndërkohë kutitë hapen kudo edhe në Greqinë fqinje po bëhet një rinumërim edhe në Afganistanin e largët kutitë u hapën ndërkohë që në vendin tonë megjithëse është e shkruar me ligj kjo gjë u ndalua përmes ushtrimit arbitrar të pushtetit, administratës zgjedhore dhe të kolegjit zgjedhor dhe ndërkohë kjo gjë i ndalohet edhe vetë parlamentit i cili pa asnjë lloj dyshimi mund të hapë çdo çështje çdo kuti çdo dosje për hir të së drejtës që hetoi lidhur me çështje të caktuar.

"Sali Berisha ka një arsye të madhe për ta bërë këtë.

Arsye e atij që ka vjedhur dhe kërkon me çdo kusht që kjo vjedhje të mos dalë në dritën e diellit por duke e shmangur transparencë e procesit zgjedhor të 28 qershorit Berisha nuk e zgjidh por e thellon krizën politike në Shqipëri dhe mbi të gjitha e vonon por nuk e varros dot përgjithmonë të vërtetën e 28 qershorit.

Jemi këtu për ta dëshmuar me çdo kusht atë të vërtetë dhe do bëjmë çdo gjë që kjo dëshmi të bëhet e plotë" tha më tej Rama.

Me tej kryesocialisti theksoi se opozita nuk hyn në parlament dhe se do të përshkallëzojë protestat deri në hapjen e kutive të votimit.

k.k/NOA

KOMENTE