English

"Tragjedia Tisa", gjendet viktima e dytë?

Kikinda, 22 Tetor - Policia në qytetin Kikinda të Serbisë ka deklaruar se disa njerëz janë mbytur në territorin hungarez në përpjekje për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Sipas agjencisë serbe të lajmeve B92, kjo është konfirmuar me 18 tetor, kur peshkatarët pranë Martonos, kanë gjetur trupin e një gruaje më të re se rreth tridhjetë vjeç, e cila supozohet të jetë një prej viktimave të kësaj tragjedie. Derisa Policia hungareze vazhdon kërkimet për kufomat e tjera të mundshme, Policia e Kosovës ka nisur hetimet se kush është organizatori i këtij trafikimi të mundshëm ilegal me njerëz. Drejtori i Policisë së Kosovës Shermet Ahmeti tha se ende nuk kanë asgjë zyrtare, dhe se kjo është çështje e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke shpresuar se së bashku me policët e Hungarisë që janë me mision në EULEX, do të realizohen kontaktet e nevojshme. Në lidhje me këtë çështje, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se, është kompetencë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe se në këtë drejtim është angazhuar edhe Ambasadori i Kosovës në Vjenë. "Do të bëhet krejt çka është e mundshme që të ndriçohet fati i këtyre qytetarëve", ka thënë presidenti Sejdiu. Policia e Hungarisë ka konfirmuar për Express se ka gjetur, sot pasdite, një trup të pajetë në lumin Tisa, që ndodhet në kufirin serbo-hungarez. Por zyrtarë të policisë së këtij shteti nuk janë në gjendje të konfirmojnë asgjë tash për tash, nëse trupi i pajetë i takon grupit të supozuar të 15 vetave që janë mbytur në këtë lum, duke u përpjekur të kalojnë ilegalisht kufirin. Por zëdhënësi i Policisë së Hungarisë, Szaeolcs Szendi, nuk ishte në gjendje të japë më shumë detaje. "Trupi është gjetur para pak minutave. Nuk mund të them asgjë. Ajo që mund të them është se nga mëngjesi i hershëm i 16 tetorit kur është lajmëruar ky rast, në kërkim të trupave janë vënë policia, ushtria dhe rojet kufitare", tha Szendi, për Express, nëpërmes telefonit. Sipas tij, personi i cili ka lajmëruar rastin, dhe që ka deklaruar se ka shpëtuar së bashku me dy fëmijët e tij, janë vendosur në vend të sigurt dhe që të tre janë bashkë. "Kërkimet ende janë duke vazhduar. Në atë zonë ku dyshohet se janë mbytur ata njerëz, sipas deklaratës së personit të mbijetuar, është vështirë të kërkohet. Lumi është i thellë dhe tereni është i thyer", shpjegon zyrtari i policisë hungareze. Dyshime për tragjedi në lumin Tisa Autoritetet e Kosovës nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse ndonjë kosovar ka humbur jetën, e as nëse ndonjë mjet lundrues me kosovarë është përmbysur në lumin Tisa, që ndan Serbinë dhe Hungarinë, thotë "Express" në Prishtunë.

Kjo për faktin se zyrtarët hungarezë nuk janë në gjendje të gjejnë asnjë shenjë se në këtë lumë janë mbytur rreth 15 persona, sikur kanë raportuar mediat. Pas raportimeve nga mediat për këtë tragjedi të dyshuar, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme kanë hedhur poshtë të kenë marrë informata zyrtare nga autoritetet e Hungarisë për përmbysjen e ndonjë mjeti lundrues apo për viktima eventuale. Autoritetet hungareze përveç të mbijetuarve Blerim Rama me dy fëmijë, nuk kanë gjetur ndonjë varkë të mbytur, apo trup të pajetë. Krejt çfarë mund të konfirmojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës është lajmi se babai i dy fëmijëve është dërguar në qendrën e azilit në Hungari. Këtë informacion autoritete e Kosovës e kanë marrë nga ambasada e Hungarisë në Prishtinë. Ndërkohë, vazhdimisht para MPJ-së në Prishtinë shkojnë qytetarë të cilët pretendojnë se në atë udhëtim ka të afërm të tyre, por që të njëjtit i kanë humbur kontaktet me ta që nga koha kur janë nisur. Gjatë pasdites, ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Sabri Kiçmari, pritet të mbërrijë në Budapest. Ai është autorizuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, që të udhëtojë dhe të marrë vesh për aq sa është e mundur se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Pavarësisht lajmit se atje janë mbytur rreth 15 persona, autoritetet në Prishtinë ende këtë rast e quajnë si ngjarje të dyshuar meqë nuk ka asnjë provë që konfirmon se tragjedia ka ndodhur. Tash me këtë çështje janë duke u marrë edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, Policia e Kosovës dhe ambasadat e shteteve respektive. Mediat kanë raportuar se ngjarja ka ndodhur në lumin Tisa, mes qytetit Segedin dhe Subotica, ndërsa lajmi është mbështetur në informacionet e qytetarit Agron Rama nga Kosova, i cili është arrestuar nga policia hungarez e dhe dyshohet për kontrabandë me njerëz. Agron Rama, i arrestuar, ka deklaruar të ketë qenë në barkë së bashku edhe me 18 apo 19 persona tjerë, kur ajo ka filluar të fundoset, me ç'rast ka thënë se arritur t'i shpëtojë dy fëmijët e tij, por jo edhe bashkëshorten. Agjencitë e lajmeve nga Hungaria deri tani as nuk kanë mundur të pohojnë e as ta mohojnë lajmin, ndërkohë mësohet se të enjten ambasadori i Kosovës në Vjenë ka udhëtuar në Hungari për t'u njoftuar për së afërmi lidhur me këtë ngjarje tragjike.

KOMENTE