English

EULEX-i i nxit konfliktet në rajon (II)

"Për EULEX-in Kosova juridikisht është pjesë e Serbisë, përderisa Serbia është njohur ndërkombëtarisht si vijuese e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve të ish Republikës Federale të Jugosllavisë dhe garantimit të sovranitetit e të tërësisë territoriale të saj nga Rezoluta 1244 dhe akte të tjera ndërkombëtare"

Nga Hysamedin Feraj - Lexoni pjesën e parë: EULEX-i i nxit konfliktet në rajon (I)

(Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës)

Ftesa që delegjitimon

Ftesa bërë EULEX-it nga Presidenti i Kosovës për t'u vendosur në Kosovë nuk e pajis atë me respektimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Nga njëra anë, nuk legjitimon më tepër se vendimi i Kuvendit të Kosovës më 1945 për t'ia bashkuar Kosovën Serbisë, ose vendimet e mëvonshme për ngushtimin e autonomisë dhe ftesat policisë e ushtrisë së Milosheviqit për vendosjen e rendit dhe të sigurisë në Kosovë. Shumë pushtete që heqin pavarësinë e ndonjë vendi janë vendosur në ato vende me ftesë nga autoritete të po atyre vendeve. Madje edhe pushtuesit nazistë qëndruan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore me ftesë të qeverisë shqiptare të asaj kohe. Nga ana tjetër, ftesa delegjitimon presidentin në kryerjen e veprimeve si këto, në ftesën e vendosjes së organizatave të ndryshme për zbatimin e Rezolutës 1244, të cilin Kuvendi i Kosovës e ka zhvlerësuar duke e shpallur pavarësinë, sovranitetin dhe kushtetutën si bazën e vetme ligjore të Kosovës.

Si përfundim: EULEX-i ka ardhur dhe vepron në Kosovë mbi bazën e shkeljes së ligjit dhe vullentit politik të Kosovës, sepse nuk i njeh dhe i ndalohet t'i njohë ligjet themelore të Kosovës, nuk njeh kushtetutën dhe institucionet kushtetuese sepse i ndalohet t'i njohë, nuk njeh vullnetin politik për pavarësi sepse i ndalohet ta njohë atë. Sepse EULEX-i ka ardhur në Kosovë mbi bazën e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe dy akteve të veprimit të përbashkët që burojnë prej saj. Për EULEX-in Kosova juridikisht është pjesë e Serbisë, përderisa Serbia është njohur ndërkombëtarisht si vijuese e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve të ish Republikës Federale të Jugosllavisë dhe garantimit të sovranitetit e të tërësisë territoriale të saj nga Rezoluta 1244 dhe akte të tjera ndërkombëtare. Prandaj kur qeveria e Kosovës pyeti në Bruksel nëse EULEX-i ka të drejtë në nënshkrimin e marrëveshjeve me Serbinë edhe përkundër mosmiratimit nga institucinet kushtetuese të Kosovës, mori përgjigjen se EULEX-i ka të drejtë. Prandaj për vendosjen e EULEX-it në Kosovë nuk u pyet vetëm Presidenti i Kosovës dhe ftesa e tij, por edhe miratimi nga Beogradi, edhe pranimi i kushteve (gjashtë pikave) të vendosura nga Beogradi etj. Por, "Zot bane andërr"!

II

Tani të shohim edhe disa pikënisje të filozofisë dhe praktikave të EULEX-it që e kthejnë gjendjen reale në Kosovë, në shumë drejtime, para vitit 1999, në filozofinë dhe praktikat e Serbisë dhe Milosheviqit. Të gjitha këto shtojnë druajtjen se kjo filozofi dhe këto praktika do të çojnë drejt shtimit të frustruimeve, tensioneve dhe konflikteve në Kosovë e në rajon. Kjo prirje do të shihet kryesisht nga aspekti i shqiptarëve, ndonëse jo më të pakëta janë këto efekte edhe tek serbët dhe tek të tjerët.

Sigurisht se ndërmjet EULEX-it dhe filozofisë e praktikave serbe të para 1999-ës ka dallime esenciale, por edhe disa ngjashmëri shqetësuese për paqen e sigurinë dhe për realizmin e qëllimeve të EULEX-it. Ndër këto ngjashmëri mund të kujtohen:

Viktimizimi i serbëve të Kosovës

Që në fillim të veprimtarisë dhe gjatë gjithë veprimtarisë së tij, Milosheviqi nxiti ndjenjën dhe besimin se serbët në Kosovë janë të kërcënuar dhe viktimizuar nga nacionalistët shqiptarë. Mbi këtë bazë, në mbrojtje të serbëve të Kosovës pushteti i atëhershëm serb arriti të legjitimojë dhe fitojë mbështetjen e brendshme për veprimtarinë e vet në Kosovë, deri tek spastrimi etnik.

I gjithë misioni i UNMIK-ut më parë dhe EULEX-it tani është i bazuar në besimin se serbët në Kosovë janë të kërcënuar dhe viktima shumë të mundshme të nacionalistëve dhe hakmarrjes shqiptare. Menjëherë mbas përfundimit të bombardimeve të NATO-s filloi një fushatë serbe dhe ndërkombëtare shqetësimi për serbët e Kosovës, për garantimin e jetës, pronës dhe sigurisë së tyre nga hakmarrja e supozuar dhe e paragjykuar shqiptare.

Kjo fushatë propagandistike, e përforcuar veçanërisht nga Serbia, arriti që brenda një periudhe të shkurtër ta përmbys situatën, ta përhap një paragjykim i cili i percepton serbët si viktima dhe shqiptarët si agresorë. Ky perceptim është baza e Planit të Ahtisarit i cili faktikisht u jep serbëve të Kosovës pavarësinë nga Kosova dhe autoriteti i saj shtetëror. Ky perceptim ka qenë dhe është pikënisja e vendosjes dhe veprimtarisë së EULEX-it në Kosovë, ndonëse EULEX-i nuk e njeh Planin e Ahtisarit. Nga veprimtaria e deritashme e EULEX-it del se shqetësimi kryesor dhe angazhimi kryesor ka qenë dhe mbetet garantimi i serbëve nga hakmarrja e supozuar e shqiptarëve, garantimi i jetës përballë shqiptarëve, pronës dhe sigurisë së serbëve në Kosovë. Me gjithë veprimtarinë e vet dhe me gjithë bazimin e vet formal-ligjor, EULEX-i del se i percepton serbët si viktima dhe shqiptarët si agresorë.

Përjashtimi i serbëve nga juridiksioni i Kosovës

Është i njohur premtimi i Milosheviqit dhënë serbëve në Fushë-Kosovë: tani e tutje askush nuk guxon të ju prek! Ky qëndrim është shumë domethënës për procesin e nxitjes së konfliktit në Kosovë. Me këtë deklarim: heqje autoriteti i juridiksionit të pushtetit dhe qeverisë së Kosovës mbi qytetarët e vet serbë; zbatimi i ligjit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike kthehej në zbatim mbi baza etnike: për të njëjtin veprim, p.sh. demonstrata paqësore politike, shqiptarët dënoheshin, rriheshin, burgoseshin e madje shtypeshin me tanke, ndërsa serbëve u premtohej se askush nuk guxon t'i prek në qoftë se demonstrojnë politikisht kundër qeverisjes në Kosovë; qëndrimi Milosheviqit nxiti nacionalizmin serb dhe vetë u promovua si udhëheqës nacionalist, pavarësisht shfaqjeve të tij publike si internacionalist, për ruajtjen e shoqërisë multietnike jugosllave etj.

Kryefjala e UNMIK-ut më parë dhe EULEX-it tani u thotë serbëve në Kosovë: tani e tutje askush nuk guxon të ju prek! Me këtë: EULEX-i ka hequr autoritetin e juridiksionit të pushtetit dhe qeverisë së Kosovës mbi qytetarët e vet serbë. Institucionet e Kosovës nuk guxojnë ta shtrijnë autoritetin e pushtetit të vet të institucioneve dhe ligjeve të veta në rajonet e banuara me serbë në Kosovë, sepse ndalohen nga EULEX-i. Po ashtu, ngjashëm me atë kohë, EULEX-i ka praktikuar dhe nxitur zbatimin e ligjit mbi baza etnike: p.sh. ligjit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike e ka kthyer në zbatim mbi baza etnike: për të njëjtin veprim, p.sh. demonstrata paqësore politike, shqiptarët dënohen, rrihen, burgosen e madje vriten, ndërsa serbëve u premtohet, dhe premtimi mbahet, se askush nuk guxon t'i prekë në qoftë se demonstrojnë politikisht kundër qeverisjes në Kosovë. Me të gjitha këto EULEX-i ka nxitur nacionalizmin serb pavarësisht fjalorit për shoqëri multietnike etj. Me të gjitha këto, ngjashëm me atë kohë, serbët janë nxjerrë jashtë juridiksionit të shtetit dhe pushtetit të Kosovës.

Të kujtojmë këtu vetëm disa fakte sa për ilustrim faktik të këtyre konstatimeve: nga njëra anë, asnjë nga serbët që në korrik të vitit 2008 bllokuan punimet për ndërtimin e ujësjellësit në Suhadoll (veriu i Mitrovicës) nuk është arrestuar. Asnjë nga serbët që në gusht e shtator 2009 shtinë me armë e hodhën granata dore kundër punëtorëve ose pronarëve shqiptarë të shtëpive te Kroi i Vitakut, nuk është arrestuar. Përkundrazi, kur autoritetet e Kosovës deshën të ndërhynë dhe të zbatojnë ligjet në këtë rajon, me 28 gusht 2009, EULEX-i bashkë me KFOR-in u pozicionuan te Kroi i Vitakut dhe nuk lejuan veprimin e institucioneve të Kosovës, duke garantuar kështu përjashtimin e serbëve nga juridiksioni kosovar. Ndërkohë, nën mbrojtjen e EULEX-it serbët vazhdonin të qëllojnë me armë në drejtim të shqiptarëve. Ky përjashtim i serbëve nga juridiksioni i pushtetit të Kosovës i ka trimëruar dhe vazhdon t'i trimërojë në sjelljet e tyre nacionaliste dhe kështu në mbajtjen gjallë e në përforcimin e tensioneve dhe konflikteve.

Lexoni pjesën e parë: EULEX-i i nxit konfliktet në rajon (I)

KOMENTE