English

Konfindustria: Qeveria të përmirësojë funksionimin e tregut të karburanteve

Tiranë, 25 tetor NOA - Konfindustria, ka lëshuar sot një deklaratë për shtyp me anë të së cilës shpreh shqetësimin e saj për gjendjen e papranueshme të tregut të karburanteve në vendin tonë.

Sipas saj tregu i karburanteve po shoqërohet me pasoja të rënda nga kostot shtesë të industrive vendore, zhvillimin tërësor të qëndrueshëm të ekonomisë, humbjet e mëdha financiare në buxhetin e shtetit, dëmet mjedisore dhe shëndetësore si dhe në goditjen e drejtpërdrejtë të mirëqenies së qytetarëve shqiptare.

"Konfindustria vlerëson qëndrimin e fundit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, që pranoi gjendjen e rëndë të tashme të tregut të karburanteve, duke përcaktuar "cilësinë" e dobët të karburanteve në qarkullim si shkakun kryesor të keqfunksionimit të tregut strategjik në fjalë.

Konfindustria vlerëson, se mbi 70% e humbjeve të përgjithshme të drejtpërdrejta (pa llogaritur dëmet mjedisore, shëndetësore, etj,.), që në shkallë vendi llogariten në të paktën 150 milion euro/vit në tregun e karburanteve, kryhet pikërisht nga "cilësia" e dobët e produktit. Pjesa tjetër vjen nga abuzimi/vjedhjet me "vëllimin" në shitje në pikat e pakicës dhe me spekulimet me çmimin e shitjes në kohë lëvizjesh të thella në tregjet ndërkombëtare" thuhej në deklaratën e Konfindustrisë.

"Tregu i karburanteve vlerësohet si më i madhi në Shqipëri me një qarkullim vjetor, që i kalon 800 milion euro.

Konfindustria shpreson, që nisma e fundit qeveritare për përmirësimin e funksionimit të tregut të karburanteve në vend të jetë e prekshme në kohë sa më të shpejtë dhe të mos mbetet vetëm deklarative" thuhej më tej në deklaratë.

KOMENTE