English

Telefonia celulare, sa shumë po rritet, pavarësisht krizës

Telefonia celulare dhe përdorimi i internetit kanë njohur rritje të ndjeshme, me gjithë krizën ekonomike. Rajoni me rritjen më të shpejtë është Evropa Lindore

Nga Kathleen Moore

Recesioni global ka pasur ndikim negativ në shumë degë të ekonomisë, por një prej tyre ka treguar qëndrueshmëri - teknologjia e informacionit. Gjithnjë e më shumë njerëz pajisen apo blejnë telefona të rinj celularë dhe kanë qasje në internet. Madje, një nga rajonet me rritjen më të madhe në këto fusha është Evropa Lindore dhe vendet e dala nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Sipas një raporti të UNCTAD-it, agjenci e Kombeve të Bashkuara, deri në fund të vitit 2008 ka pasur 4 miliardë kontrata telefonash celularë. Rritja këtë vit ka qenë më e ulët krahasuar me 2007-ën, por sërish ka njohur së paku 20% rritje. Ekonomitë në zhvillim apo në tranzicion po njohin hovin më të madh. "Mes viteve 2003-2008, në mesin e 20 vendeve me rritjen më të madhe sa i përket futjes së telefonisë celulare, shumica janë nga ekonomitë në tranzicion, siç i quajmë ne ish-republikat sovjetike. Edhe vendet e reja anëtare të BE-së janë në mesin e ekonomive më të mëdha apo më dinamike në këtë kontekst", thotë për Radion Evropa e Lirë Torbjorn Fredrikson, një nga autorët e raportit të UNCTAD-it. Fredrikson sjell dhe shpjegimin lidhur me këto tendenca. "Kjo pasqyron në shkallë të madhe faktin se telefonia celulare nuk shihet më si luks, por si nevojë. Njerëzit nuk duan të heqin dorë nga telefonat e tyre pasi e provojnë", pohon Fredrikson për RFE. Në krye të vendeve të rajonit kryeson Mali i Zi. Vitin e kaluar, në këtë vend kishte 230 telefona celularë për 100 banorë, çfarë përfaqëson një rritje prej 160% në pesë vjet. Në të njëjtën periudhë, hyrja e telefonisë celulare në Rusi e Ukrainë u dyfishua. Në rajonin e Kaukazit kryeson Armenia me një rritje prej 83%, krahasuar me 70% për Gjeorgjinë dhe 55% për Azerbajxhanin. Fredrikson shton se në territorin e ish-Jugosllavisë rritja shpjegohet me faktin se shumë fonde dhe investime hynë në sektorin e telefonisë pas luftërave në rajon. Kjo shpjegon dhe rritjen e shpejtë të numrit të përdoruesve të internetit në këto vende. Edhe Bosnja futej në 20 vendet me rritjen më të shpejtë, derisa në atë listë gjendeshin dhe Maqedonia e Moldavia. Përdorimi i internetit ka njohur rritje në vendet në zhvillim. Por, raporti tregon dallimin e ndjeshëm mes vendeve të pasura dhe atyre në zhvillim lidhur me qasjen në rrjetin e shpejtë të internetit. Në vendet skandinave, një në tre persona ka qasje në rrjetin e shpejtë të internetit. Vendet e tjera mbeten pas në këtë drejtim, e në veçanti në përdorimin e internetit për qëllime të tilla si tregtia apo mësimi në distancë. "Nëse shikoni ekonomitë në tranzicion, Kroacia ka nivelin më të lartë të përdorimit të internetit për procese të avancuara, si shitjet përmes internetit e me radhë. Kjo shifër në Kroaci është 11%, në Maqedoni 8% dhe në Rusi vetëm 5%. Kjo tregon se ka vend për rritje e zgjerim në këtë fushë", thotë Fredrikson për Radion Evropa e Lirë. Ai shton se ekonomitë në tranzicion janë në gjendje t'i shfrytëzojnë këto mundësi edhe për shkak të shkallës së lartë të arsimimit.

KOMENTE