English

Ndoka, informon OSBE, për "manipulimin e zgjedhjeve"

Tiranë, 26 tetor NOA - Kreu i Partisë Demokristian Nard Ndoka, i bindur se në 28 qershor janë kryer vjedhje masive dhe manipulimi me votat i dërgoi një letër informuese Kryetarit të Misionit të OSBE në Shqipëri, Robert Bosh, Ambasadës Amerikane, si dhe Ambasadave të tjera në vend.

Në letrën e tij, kryedemokristiani Ndoka shpreh shqetësimin për një problem i cili siç e cilëson ai, nuk ka të bëjë me individin, apo me një subjekt të vetëm politik, por me parimet demokratike dhe vlerat ligjore të demokracisë në Shqipëri.

"Të gjithë vëzhguesit tanë të jashtëm, stafet e kandidatëve dhe të aktivistëve tanë në rrethe flasin për deformim thelbësor të vullnetit të popullit dhe konkretisht, me vjedhje dhe deformim masiv të votave dhe rezultateve elektorale të Partisë Demokristiane dhe aleancës "Poli i Lirisë", drejtuar prej saj", shkruan Ndoka në letrën e tij duke vazhduar me tej se "në këto rrethana, në përpjekje për të ruajtur gjakftohtësinë dhe për të mbledhur provat e nevojshme ligjore për vërtetimin e pretendimeve tona, menjëherë pas zgjedhjeje kërkuam dhe tërhoqëm nga KQZ kopjet filmike elektronike të të gjithë procesit të numërimit të votave.

Stafi im teknik u angazhua për më se dy muaj në përpjekje për të bërë verifikimin midis votave të vërtetuara në pamjet filmike dhe atyre të shënuara në procesverbalet zyrtare. Përfundimi është dramatik. Kemi të bëjmë me një deformim të plotë të rezultateve, të procesit, të zgjedhjeve dhe të vetë parimeve kushtetuese për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri"..

Me tej gjatë letrës se tij, Ndoka informon për procesverbale dhe manipulime të shumta të faktuara në qarkun e Shkodrës, informacione këto të cilat së bashku me dokumentacionin e plotë përkates dhe pamjet filmike, do t'ju vihen ne dispozicion OSBE dhe Ambasadave te tjera te akredituara ne vend.

Ndoka thekson se forca politike që ai përfaqëson i ka konsumuar të gjitha etapat ligjore të parashikuara nga Kodi Zgjedhor, dhe së fundi pas zbulimit të fakteve të shpërdorimit të detyrës nga komisioneret e partisë kryesore në pushtet ka bërë kallëzimin Penal në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Shkodër.

"Ju drejtohemi juve zoti Ambasador, si institucioni zyrtar i vëzhgimit të ecurisë së procesit zgjedhor dhe postzgjedhor, si dhe i nivelit të demokracisë në Shqipëri, që të përdorni autoritetin tuaj politik e diplomatik për të ndihmuar në rivendosjen e drejtësisë, kushtetutshmërisë dhe sovranitetit real të popullit në vendin tonë, shprehur përmes votës së fshehtë me 28 qershor 2009.

Prova jonë e re dhe e dokumentuar në kuptimin politik por edhe ligjor, mund të jetë edhe rruga më e mirë ligjore për ti dhënë përgjigje krizës politike ku po përfshihet vendi ynë, ku nga njëra anë kemi një mazhorancë që refuzon drejtësinë dhe numërimin e votave dhe nga ana tjetër kemi një opozitë që kërkon mbrojtjen e votës së lirë" përfundon letrën e tij, Kryetari Demokristian, Nard Ndoka.

k.k/NOA

KOMENTE