English

E meritoi Klintoni, pse jo Demaçi...?!

"Çdo meritë e bërjes realitet të shtetit të Kosovës i atribuohet shtetit amerikan në radhë të parë e në veçanti ish-presidentit Bill Klinton, i cili për asnjë çast nuk hezitoi që çështjen e Kosovës ta ketë prioritet në agjendën e tij gjatë periudhës sa ishte (po edhe më pastaj) president i SHBA-ve"

Nga Ilir Sefaj*

"Që nga 21 prilli (1990 vër. i.s ) i këtij viti ndodhem në burgun më të madh në botë, që e njeh historia e njerëzimit - në burgun e Kosovës, ku më se dy milionë Shqiptarë nga regjimi hegjemonist-shovinist-terrorist janë zhveshur nga të gjitha liritë dhe të drejtat më elementare njerëzore e kombëtare".

Kështu do të deklaronte menjëherë pas daljes nga burgu Nelson Mandela i Europës, Adem Demaçi, pasi kishte vuajtur plot 28 vjet në burgjet famëkeqe të regjimit (sot e atëherë) hegjemonist serb.

Të flitet për biografinë e Adem Demaçit mendoj se është e tepërt, mirëpo nuk është kurrë e tepërt të kërkojmë nga organet kompetente, që në të gjallë të këtij burri të madh të kombit, të këtij institucioni moral, një shesh i kryeqytetit të Kosovës të emërohet ‘Adem Demaçi', këtë më shumë se çdokush e meriton ky Ante i tokës sonë.

Ajo që dua të shtroj në rreshtat pasus, në asnjërën mënyrë nuk ka për qëllim të shfaq ndonjë kundërshti ose mospajtim me faktin se sheshi Bill Klinton tashmë është pasuruar edhe me shtatoren e këtij burrështetasi që bëri shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovë, mirëpo pres inicimin e idesë që sheshet e qyteteve të Kosovës të pasurohen edhe me figura të shquara të historisë sonë që dhanë shumë për lirinë dhe pavarësinë e kësaj hapësire, e që në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar t'i mbulojë pluhuri i harresës.

Çdo meritë e bërjes realitet të shtetit të Kosovës i atribuohet shtetit amerikan në radhë të parë e në veçanti ish-presidentit Bill Klinton, i cili për asnjë çast nuk hezitoi që çështjen e Kosovës ta ketë prioritet në agjendën e tij gjatë periudhës sa ishte (po edhe më pastaj) president i SHBA-ve. Meritë hiç më të vogël për realizimin e aspiratës shekullore të popullit shqiptar ka edhe Adem Demaçi i cili shkriu një jetë të tërë për një ideal të madh duke kaluar afër gjysmë shekulli në burg.

Për ta bërë realitet bërjen e Kosovës shtet, gjithashtu u deshën shumë sakrifica, u vranë shumë dëshmorë, u burgosën me mijëra të tjerë, por që shumë rastësisht disa patën fatin të ngelën gjallë, pashmangshmërisht këto edhe janë rregulluat e lojës (jetës).

Kur flasim për dëshmorët e kombit, asnjëherë nuk duhet harruar edhe të vërtetën se Kosova ka edhe dëshmorët e saj të gjallë...!

Heronjtë të cilët ishin (janë) sinonim i qëndresës, i luftës për liri, frymëzim i gjeneratave, i mbajtjes gjallë të idesë nacionale e mbi të gjitha i mbajtjes gjallë të humanitetit. Ndër këta "dëshmorë të gjallë" duhet veçuar Adem Demaçin simbolin e rezistencës shqiptare, ikonën e pavarësisë së Kosovës.

Njerëz si Baca Adem nuk lindin shpesh, andaj kjo figurë e shquar e historisë sonë duhet trajtuar ashtu siç e meriton, ngase çdo gjë fillon me veprimtarinë e këtij burri të madh të kombit shqiptar.. Kam dëgjuar për ca privilegje që gëzon Adem Demaçi nga pushteti aktual, mirëpo sikurse kryeqyteti ynë ta kishte një shesh, ose së paku një rrugë apo shkollë e cila do ta mbante emrin e tij, përveç që do të shlyente një borxh ndaj kësaj figure poliedrike i cili tashmë është në ‘moshën e bardhë', do ishte nder i madh në të njëjtën kohë edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Adem Demaçi gjatë tërë jetës së tij luftoi dhe vazhdon të lufton për emancipimin, lirinë dhe barazinë mes njerëzve pa dallim feje, race, kombësie etj,., etj,..

Ai për asnjë çast nuk do e ndal veprimtarinë e tij prej luftëtari të madh të të drejtave të njeriut, andaj pres që përvjetorin e ardhshëm të lindjes së këtij Heroi të gjallë të Kosovës, kryeqendra jonë të pasurohet me shtatoren dhe me sheshin që do ta mbajë emrin "Adem Demaçi".

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE