English

Banorët e Roskovecit në protestë: Të zbardhet vrasja e deputetit Fatmir Xhindi

Roskovec, 1 nëntor NOA - Vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi nuk ka ende një motiv apo autor të dyshuar gjë e cila ka detyruar sot gjashtë muaj pas vrasjes së tij banorët e qytezës së Roskovecit ku Xhindi kishte fituar mandatin e deputetit të zhvillojnë një protestë me anë të së cilës kërkojnë zbardhjen e vrasjes.

Dhjetëra banorë janë mbledhur në qendër të Roskovecit ku i kanë bërë thirrje shtetit të zbardh sa me parë vrasjen e deputetit.

Për rreth dy orë banorët e Roskovecit kanë protestuar për drejtësi ndërsa më pas kanë firmosur një peticion, me anë të të cilit bëjnë një kërkesë për zbardhjen e vrasjes dhe që do tua dërgojnë zyrtarëve të shtetit, presidentit Bamir Topi dhe kryeministrit Sali Berisha. Rreth gjashtë muaj pas vrasjes së deputetit të PS-së Fatmir Xhindi, policia ende nuk ka një motiv apo autor të dyshuar të këtij krimi që tronditi vendin.

Megjithëse hetuesit e policisë së shtetit u angazhuan intensivisht për të zbardhur ngjarjen gjithçka ka mbetur enigmë ndërsa banorët e Roskovecit kërkojnë me ngulm zbardhjen e kësaj enigme.

Xhindi u vra më datë 2 maj të këtij viti në oborrin e banesës së tij sapo ka zbritur nga automjeti.

Persona të panjohur kishin pritur kthimin e deputetit dhe e kanë qëlluar atë pas shpine me automatik.

Deputeti gjeti vdekjen e menjëhershme ndërsa autorët mundën të largoheshin për tu shpëtuar prangave të policisë, ndërsa liria e tyre ende vazhdon.

k.k/NOA

KOMENTE