Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Fundosja e iluzioneve
English

Fundosja e iluzioneve

Larg është Kosova prej liberalizimit të vizave. Këtë të vërtetë duhet thënë hapur, sepse vetëm në këtë mënyrë, si dhe duke i përmbushur të gjitha kushtet e ditura prej Bashkimit Evropian, ne mund të mbërrijmë tek stadi kur një qytetar i Kosovës do të mund të udhëtojë kudo në Evropë vetëm me pasaportën e vet

Nga Blerim Shala

Pezull. Nëse një fjalë e vetmja do të duhej të përshkruante gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë, si dhe perspektivën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, me siguri që pikërisht fjala Pezull do të ishte më e mira, më e qëlluara, më e sakta. Kjo fjalë i rri përmbi edhe tragjedisë së shqiptarëve në lumin Tisa, në kufirin midis Serbisë dhe Hungarisë. Kobi i tyre pritet të marrë trajtën e kufomave të gjetura dhe të varrosura, më në fund edhe të një Dite të Zisë, që do të duhej të shpallej prej autoriteteve të Kosovës, të cilat po thonë që nuk kanë mundur të bëjnë gjë më tepër në këtë rast. Ndërsa aktualisht, opinioni kosovar di fare pak se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, kush dhe si është i përfshirë në këtë rrjet ilegal të bartjes së kosovarëve për në Perëndim, a do të mund së paku tash e tutje të parandalohen tragjeditë e këtij lloji. Çfarë dinë qytetarët është që Kuvendi i Kosovës nuk e pa të arsyeshme të mbajë një mbledhje të veçantë, qoftë edhe pa praninë e kamerave, ku do të shqyrtoheshin të gjitha informatat që përcjellin këtë ngjarje të rëndë. Qytetarët e Kosovës nuk kanë dëgjuar fare që Qeveria e vendit e ka ndërmend të bëjë një Raport të posaçëm për këtë tragjedi, ose që do të urdhërojë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe AKI-në (Agjencinë Kosovare të Inteligjencës), që të ndërmarrë masa të reja për të prishë dhe për ta zhbërë zinxhirin e krimit, i cili bashkon të vobektit e Kosovës me pjesëtarët e këtij rrjeti, që kanë prejardhje të ndryshme etnike, por që kanë qëllimin e njëjtë: Pasurimin. Lajmi që mbërriti prej Tisës, në fakt, është shumë më i keq sesa po vlerësohet këto ditë në Kosovë. Ai nuk ka goditur vetëm familjet e atyre që gjetën fundin e tyre në një lumë, në vend të fillimit të ri, të shpresuar, diku në Evropën Perëndimore, por ky lajm, realisht, ka treguar se sa larg jemi ne si shoqëri, si shtet, prej synimeve për të mbërritur së pari tek liberalizimi i vizave (ose, udhëtimi në Evropë pa viza), pastaj, sa larg jemi prej dinamizimit të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, i cili do të duhej të kurorëzohej me bërjen e Kosovës anëtarë të familjes gjithevropiane (në BE). Për çfarë liberalizimi të vizave mund të flasim ne, kur në Kosovë ka rrjete të tilla të bartjes ilegale të shqiptarëve për në Evropë, kur Policia e Kosovës nuk është në gjendje t'i kontrollojë si duhet kufijtë, kur pra ne nuk kemi aftësi, së paku në rrethanat e tanishme, të plotësojmë një kriter të vetëm për fitimin e kësaj të drejte shumë të rëndësishme? Larg është Kosova prej liberalizimit të vizave. Këtë të vërtetë duhet thënë hapur, sepse vetëm në këtë mënyrë, si dhe duke i përmbushur të gjitha kushtet e ditura prej Bashkimit Evropian, ne mund të mbërrijmë tek stadi kur një qytetar i Kosovës do të mund të udhëtojë kudo në Evropë vetëm me pasaportën e vet. Tragjedia e Tisës, pra, na ktheu një hap të madh prapa në vlerësimin e kapaciteteve tona aktuale që të përparojmë, si shtet, në drejtim të Brukselit. Në anën tjetër, ky lajm na kallëzon se çfarë përmasash ka marrë dëshpërimi i shumë qytetarëve të Kosovës, të cilët, duke paguar mijëra Euro për person, dhe duke rrezikuar jetën e tyre, ia mësynë Perëndimit. Statistikat për gjendjen ekonomike dhe sociale të kosovarëve janë depresive. Ato na thonë që mbi gjysma e popullsisë së aftë për punë nuk kanë fare të ardhura dhe varen prej të tjerëve, prej mëshirës dhe prej fatit. Çdo i gjashti kosovar jeton në varfëri të skajshme, apo, ai nuk e ka një dollar në ditë për ta harxhuar. Ekspertët vendorë na flasin që Kosova nuk mund të krahasohet, për të keq, as me Moldavinë, që ka qenë shteti më i varfër në Evropë. Në të njëjtën kohë, kemi zyrtarë të lartë të Kosovës, të cilët përsëritin shpesh që Kosova është një fenomen, për të mirë, në këtë kohën e keqe të krizës globale ekonomike dhe financiare, sepse për çdo vit po shënon një rritje në zhvillimin ekonomik. Statistikat e përmendura i bluajnë, i bëjnë copë dhe grimë, deklaratat e këtilla që s'kanë gjë të përbashkët me realitetin kosovar. Me fjalë dhe me fjalime të këtij lloji, nuk mund të ndryshojë gjendja sociale dhe ekonomike në Kosovë. Nuk mund të ndalet përkeqësimi i situatës politike dhe ekonomike, e cila gjithsesi do të përcjellë përqindjet alarmante të të papunëve dhe të varfërve. Ndërsa gjithnjë e më afër këtyre të fundit (të varfërve), janë edhe ata që punojnë, por rrogat e të cilëve, në atë mesataren prej pak më shumë se 200 Euro, janë larg atij minimumi ekzistencial për një familje mesatare kosovare. Dhe kështu me radhë. Të tillët, sot do të provojnë që me katër-pesë mijë Euro të dalin ilegalisht në Perëndim. Sot edhe nesër, ata do të besojnë që megjithatë, ka shpresë dhe jetë të mirë për ta, në shtetin e Kosovës. Por pasnesër, të njëjtit, që nuk kanë më asnjë Euro në xhep dhe as një të vetmen shpresë në kokë, do t'ia mësynë rrugëve dhe shesheve të Prishtinës dhe të qyteteve të tjera të Kosovës, për të treguar që kanë mbërritur në zero për qind durim. Kjo përqindje është më e rrezikshmja për një shtet, për qëndrueshmërinë e tij. E ne, andej, në atë drejtim po ecim. Këtë duhet ta dimë të gjithë. (Blerim Shala është Nënkryetar i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar marrë nga "Express", Prishtinë)

KOMENTE