English

Enciklopedia maqedonase, shkarkohet këshilli redaktues që e hartoi: Qe një turp!

Shkup, 6 nëntor, NOA - Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase pas një mbledhje të gjatë dhe të përfshirë nga debatet, ka shkarkuar me 45 vota pro këshillin redaktues që hartoi të ashtuquajturën "Enciklopedia Maqedonase", në të cilën përmendeshin fyerje për shqiptarët dhe jepeshin të dhëna të gabuara për origjinën e tyre të vërtetë.

Ndër të tjera, Akademia vendosi që brenda këtij muaji të formojë një redaksi të re, e cila më pas do të vendos nëse do të përdoren apo jo citimet fyese brenda enciklopedisë së debatueshme, apo do të botohet enciklopedi krejtësisht e re.

"ASHAM distancohet nga pjesët kontestuese, formulimet dhe qëndrimet personale të autorëve të caktuar dhe ato në tërësi duhet të tërhiqen nga botimi. Do të përgatiten njësi të reja nga autorë të tjerë", deklaroi akademiku Vllado Kambovski pas mbledhjes së djeshme të Kuvendit të Akademisë.

Por, akademiku Bllazhe Ristovski, i cili mbron me ngulm enciklopedinë ia tërhoqi vërejtjen akademisë, duke pohuar në mbledhje se të gjithë ata që tentojnë ta prekin enciklopedinë, do të përballen me sanksione.

"Nuk di ç'të them se si dhe ku do të gjejnë mjete e kush janë ata trima që do të kapen për të bërë një enciklopedi të re, siç e quajtën multietnike", ka theksuar akademiku Ristovski.

n.e/NOA

KOMENTE