English

Ku bashkohem dhe ku ndahem me Albin Kurtin

Unë jam plotësisht dakord me Albinin për atë se sa pak është bërë në pikëpamje të zhvillimit ekonomik në Kosovë në këto vite. Po s'jam dakord në lidhje me atë sesa është bërë për shtetësinë e Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e saj

Nga Behxhet Pacolli Fushata zgjedhore po vazhdon dhe njëherë tjetër kam rastin e trishtuar të konstatoj se opinioni publik i Kosovës, politika qendrore e saj po vazhdon të injorojë temat e mëdha me të cilat duhet të merremi. Pak ditë më parë iu drejtova këtij opinioni me ftesën dhe propozimin që në kushtet e krizës ekonomike që ndihet sidoqoftë në Kosovë të gjejmë rrugë e forma për të gjallëruar ekonominë, nëpërmjet rishikimit të procesit të privatizimeve. Sot më duket e udhës të flas për një çështje tjetër gjithaq të rëndësishme. Vetëm pak ditë më parë, njeri nga figurat më të shquara të shoqërisë civile kosovare, Albin Kurti shtroi para nesh shqetësimin për demarkacionin e kufijve me Malin e Zi. Shqetësimi i tij është pjesë e një aktiviteti të dendur që zoti Kurti, një përfaqësues i palëkundur i "ndërgjegjes kritike" të shoqërisë sonë, vazhdon të kryejë në Kosovë. Gjithmonë kam admiruar shqetësimin që qëndron mbrapa iniciativave të tij, anipse jo gjithmonë kam qenë dakord me rrugët që ai dhe Lëvizja e tij ka ndjekur për të realizuar përfshirjen e publikut në këto shqetësime. Kam menduar se çdo lëvizje kombëtare, shtetformuese ka nevojë për dy krahë, të pëllumbave dhe të skifterëve që duhet të bashkëpunojnë me njeri tjetrin dhe në këtë kuptim gjithnjë kam qenë i vëmendshëm për atë që ai ka bërë dhe ka thënë. Edhe pse mund të mos jem dakord me përfundimet e tij, nuk kam dyshim se ai niset nga qëllime të mira. Një vend normal si ky që ne duam të ndërtojmë ka nevojë për zëra të tillë, të artikuluar qartë, të pakorruptueshëm nga veset e pushtetit dhe për këtë i jam mirënjohës atij dhe aktivistëve të tij. Në lidhje me aktivitetin e tij të fundit, qoftë për çështjen e kufirit, qoftë për çështjen e bojkotit të zgjedhjeve megjithatë do të doja të thosha dhe unë pikëpamjet e mia. Në lidhje me kufirin E ndoqa me vëmendje parashtrimin e tij dhe të aktivistëve të tij që kishin shkuar në terren dhe kishin bërë verifikimet e duhura të atyre që ai i quan si shmangiet e ardhshme të kufirit midis dy vendeve. Mu duk punë serioze, ashtu siç m'u duk gjithaq serioze dhe vërejtja e tij se problemet më të mëdha po na krijohen prej Marrëveshjes së Kumanovës, ku ushtarakët serbë kanë arritur të "kontrabandojnë" një hartë me pasaktësi të mëdha qoftë në kufirin me Maqedoninë, qoftë në kufirin me Malin e Zi. Diçka e ngjashme me litarin e amanetit të vdekurit që u vendos mbi varrin e tij dhe ku pengoheshin të gjallët. Nuk kam kompetencë prej eksperti për të thënë sot se nga cila anë qëndron e vërteta. Me njohuritë që kam për ligjin, jam i prirur të besoj se Marrëveshja Ahtisaari, Aneksi 8, neni 3, paragrafi 2 në pjesën për kufirin, i ka dhënë një zgjidhje të drejtë çështjes së kufijve të Kosovës. Ajo i referohet përkufizimit të këtij kufiri të bërë në 31 dhjetor 1988, i cili edhe sipas Vetëvendosjes quhet përkufizim i kënaqshëm i vijës sonë kufitare. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë probleme në lidhje me kufirin. Për këtë arsye unë në cilësinë e kryetarit të AKR-së, kërkoj që shoqëria jonë, mediat, politika, parlamenti, të zhvillojë një diskutim serioz ku të ftohen dhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes. Nuk ka çështje më të rëndësishme për një shtet të ri sesa të përkufizojë hapësirën e mbijetesës së tij kombëtare, të shtrirjes së autoritetit të tij shtetëror, të hapësirës ku do të gjallojë jeta ekonomike e qytetarëve të tij. Asnjë problem nuk duhet të krijohet me fqinjët që mund të na shqetësojë, sot, nesër dhe në të ardhmen. Kosova dhe kështu është mjaft e vogël për t'i falur fqinjëve të saj territore, qoftë dhe prona të qytetarëve pa angazhuar dhe qytetarët që mendojnë si Albin Kurti. Askush nuk ka toka të tepërta: prona është e shenjtë dhe atdheu është dhe prona. E imja, e qytetarit nga Peja, apo nga cilado zonë qoftë nëpër tërë Kosovën. Në lidhje me bojkotin. Aktivistët e Vetëvendosjes po lëvizin në këtë javë thelbësore për cilësinë e zgjedhjeve tona duke bërë thirrje për bojkotin e tyre, pasi sipas Vetëvendosjes "ti voton, por ata përfitojnë". Edhe njëherë më duhet të pohoj se jam plotësisht dakord me vërejtjet që kjo Lëvizje adreson për klasën tonë politike në pushtet. Idetë e shprehura prej meje në një editorial të fundit për fazën ku ka hyrë Kosova rezonojnë me kritikat e Vetëvendosjes. Shumë prej politikanëve në pushtet, por jo të gjithë sigurisht, janë duke dëftyer në këtë fazë të zhvillimit të Kosovës shumë vese tipike pushteti. Duke u mburrur me një të kaluar që na përket të gjithëve, ata nuk po merren me qytetarin, por me përfitime personale. Në përgjithësi në shoqërinë tonë dhe mes të rinjve veçanërisht ndihet njëlloj skepticizmi prej 6 votimeve në 9 vjet të lirisë; ndihet njëlloj zhgënjimi nga politika e këtyre 10 vjetëve, dhe thirrjet për të bojkotuar zgjedhjet duan ta mbajnë larg rininë nga politika e ditës që vjen prej qeverisë. Por vini re: nga politika e qeverisë! Ne nuk jemi qeveria, ne nuk jemi bërë pis prej qeverisjes! Unë jam plotësisht dakord me Albinin për atë se sa pak është bërë në pikëpamje të zhvillimit ekonomik në Kosovë në këto vite. Po s'jam dakord në lidhje me atë sesa është bërë për shtetësinë e Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e saj. Ndaj mendoj se të gjithë këto kritika të Albinit nuk janë arsye të mjafta për të na shtyrë ne, për të shtyrë të rinjtë tanë të mos votojnë. Mos vallë mendoni se 30% të qytetarëve që dolën në votim në zgjedhjet e fundit kanë të drejtë të vendosin për ne të gjithë, pra për 100% të popullsisë? A ju duket normale që sot të rinjtë thirren të mos votojnë? Nuk votojnë, thotë Kurti, apo nuk duhet të votojnë sepse nuk ju pëlqen dhe nuk duhet t'i pëlqejë politika.. Këtyre të rinjve unë u them: vërtet doni ta lini fatin tuaj në duart e atyre që nuk ju pëlqejnë? E kuptoj që është zbavitëse të thuash se politika nuk më pëlqen. Është snobizëm. Por është luks i tepruar për Kosovën tonë. Një kosovar nuk mund të sillet si një amerikan i pasur, megjithëse dhe amerikanët po shkojnë gjithnjë e më shumë në votime. Pjesëmarrja në votime kudo në perëndim po rritet! Këto janë votimet e para të Kosovës si shtet dhe duhet të sillemi si miqtë tanë amerikanë që sfiduan të ftohtin dhe zgjodhën presidentin e tyre. Duhet të sillemi si qytetarë të përgjegjshëm që marrin në dorë fatin e tyre dhe e zgjedhin vetë pushtetin. Por le të marrim për të vërtetë thirrjen e Kurtit dhe të pranojmë se askush nuk del në votime. Ç ndodh? Ose do të kemi qeverisje ilegjitime, ose nuk do të kemi qeverisje fare. Ju duket perspektivë e drejtë kjo? Jo, në asnjë mënyrë. Kjo do të ishte thirrje për anarki, do të ishte thirrje që Kosova të qeverisej nga anarkia. E kuptoja deri diku thirrjen për bojkot, kur ne qeveriseshim më së shumti prej ndërkombëtarëve, por sot po votojmë për organet e pushtetit lokal. Për më shumë rrugë, ndihmë sociale, punësim, kanalizime, tregje, shkolla të mira për të cilat sot, në Kosovën e pavarur vendosim vetë. Dhe një vërejtje tjetër. Kudo, zgjedhjet lokale shërbejnë për të sjellë në pushtet, për të formuar një klasë të re administratorësh që bëhen gati për qeverisjen qendrore. Ne nuk kemi traditë në qeverisje, ne jemi një republikë e re. Mos vallë nuk duhet ta krijojmë këtë klasë administratorësh derisa Vetëvendosja të shndërrohet në parti politike? Kush do të na qeverisë deri atëherë? Të këqijtë për të cilët flet Vetëvendosja? Jo, ndaj unë bëj thirrje për të votuar më të mirët. Nuk po ju bëj thirrje të votoni domosdoshmërisht për ne të AKR-së, megjithëse ne po i ofrojmë veçanërisht në këto zgjedhje, një klasë të re administratorësh dhe menaxherësh lokalë. Teknicienë, afaristë, profesorë, që nuk janë të përlyer me politikën. Unë ju them thjesht: votoni për më të mirët!

(*) Marrë nga "Express"

KOMENTE