English

Korporata Sfida e Mijëvjeçarit: Shqipëria, hapa para kundër korrupsionit

Tiranë, 10 Nëntor NOA - Â Shqipëria ka realizuar hapa të rëndësishëm përpara dhe atje evidentohet një sukses konkret, në luftën kundër korrupsionit.

Korporata Sfida e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation) shpalli vlerësimet për të gjitha vendet të cilat përfitojnë nga programet e ndihmës së kësaj korporate.

Korporata Sfida e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation) kualifikon kështu për herë të parë Shqipërinë mbi mesataren e të gjitha vendeve të cilat përfitojnë nga kjo korporatë, në luftën kundër korrupsionit.

Në klasifikimin e hartuar nga Korporata Sfida e Mijëvjeçarit (Scorecard 2010), klasifikim ky i përvitshëm, në indikatorët mbi Kontrollin e Korrupsionit, Shqipëria për herë të parë renditet me 53%, mbi vijën mesatare të përcaktuar nga Korporata, si një indikator thelbësor për politika efikase të qeverisë në luftën kundër korrupsionit në vend.

Vendet përfituese të programeve të ndihmës nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit vlerësohen për nivelin e korrupsionit në qeverisjen e të gjitha niveleve, efektin e korrupsionit në të bërit biznes, frekuencën e "ryshfeteve" në kontratat publike, taksat, vendimet gjyqësore etj.

Gjithashtu ato vlerësohen në nepotizmin në shërbimin civil, vendosmërinë dhe forcën e ligjeve, politikave të qeverisë kundër korrupsionit, besimin e publikut në ndershmërinë e institucioneve financiare dhe tek politika, transparencën dhe mekanizmat e duhura për të luftuar korrupsionin dhe garantuar konkurrencë në biznes, të drejtën e informacionit të qytetarëve rreth aktivitetit të qeverisë si dhe shumë aspekte të tjera të rëndësishme në drejtim të luftës kundër korrupsionit.

Ky aspekt i rëndësishëm i klasifikimit vjetor të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit shihet si i domosdoshëm dhe i bashkangjitur me rritjen ekonomike dhe reduktimin e varfërisë, duke qenë se korrupsioni cënon rritjen ekonomike të një vendi duke rritur kostot, ulur produktivitetin, dekurajuar investimet, ulur besimin e qytetarëve në institucionet publike etj.

Klasifikimi "Scorecard" shërben, përmes të dhënave mbi 17 indikatorë, për të përcaktuar përzgjedhshmërinë e secilit vend për përfitimin nga programet e asistencës.

Një arritje kaq pozitive, për të parën herë për Shqipërinë, në koeficientët e Scorecard 2010 në Kontrollin e Korrupsionit, e afrojnë Shqipërinë me pjesën e mëtejshme të asistencës së Korportatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, fazën "Compact" e cila është një marrëveshje disa vjeçare mes Korportatës së Sfidës së Mijëvjeçarit dhe vendeve të përzgjedhura në bazë të arritjeve të tyre në disa fusha duke finacuar programe specifike për uljen e varfërisë dhe stimulimin e rritjes ekonomike.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (The Millennium Challenge Corporation) është një agjenci e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e krijuar nga Kongersi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila përkrah me fonde dhe asiston vende të ndryshme në politikat e qeverisjes së mirë, lirinë ekonomike dhe investimet.

Shqipëria është një nga vendet përfituese të programit "Prag" të Sfidës së Mijëvjeçarit. Pas projekteve të One Stop Shop për Regjistrimin e Biznesit, Sistemit Elektronik të Taksave dhe mbështetjen në përmirësimin në fushën e Prokurimve Publike, Shqipëria si rrjedhim i një performance shumë të mirë, ishte vend përfitues dhe i fazës së dytë të programit "Prag" me asistencë të mëtejshme në administratën tatimore, One Stop Shop për lejet dhe liçencat si dhe në ngritjen dhe fuqizimin e Task Force për Antikorrupsionin.

e.r/NOA

KOMENTE