Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kosova, ngecjet në njohjen e shtetësisë
English

Kosova, ngecjet në njohjen e shtetësisë

Zyrtarë të qeverisë dhe ata të opozitës ndajnë mendime të ndryshme lidhur me procesin e njohjes së shtetit të Kosovës. Zyrtarë të MPJ-së thonë se ngecjet nuk janë pasojë e mosangazhimit diplomatik. Ata të opozitës fajësojnë qeverinë

Prishtinë, 10 Nëntor NOA/RFE - Kosova mbetet në pritje të njohjeve të reja. Përkundër paralajmërimeve të bëra nga zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë në fund të verës dhe fillim të vjeshtës për shtimin e numrit të njohjeve, kjo, megjithatë, nuk ka ndodhur për një kohë të caktuar.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme thonë se mungesa e njohjeve të reja është evidente, por nuk vjen si pasojë e mospunës dhe angazhimit të diplomacisë kosovare. Ndërkaq, ndryshe vlerëson opozita, e cila mendon se qeveria nuk ka angazhim serioz në këtë proces. Sidoqoftë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Albana Beqiri, thotë se Kosova duhet t'i respektojë vendimet e shteteve tjera, duke pritur që njohjet do të vijnë. "Fakti që njohje të reja për Kosovën nuk ka pasur për një kohë të gjatë, është evident dhe ne këtu s'kemi çka të fshehim dhe as të themi më tepër". "Ajo që unë mund të them në emër të MPJ-së, është se ministria ka qenë shumë e kujdesshme që të mos japë paralajmërime me data, me emra shtetesh, duke e njohur, duke qenë më afër procesit, duke e njohur rëndësinë që ka procesi dhe delikatesën që ai ka. Kështu që asnjëherë nuk kemi dhënë data dhe emra shtetesh që do të na njohin". "Njohjet që nuk po vijnë, mund t'ju siguroj se nuk janë rezultat i mospunës së institucioneve të Kosovës apo MPJ-së", thotë Beqiri. Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, fajëson qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme për mungesë angazhimi në planin diplomatik. Ramadani thotë se Kosova po kthehet prapa në planin e njohjeve, duke pasur parasysh mungesën e një diplomacie aktive dhe vlerësimet gjithnjë e më negative, që, sipas tij, po bëhen për Kosovën nga organizma ndërkombëtarë. "Rreziku i ndaljes, i ngecjes, i bllokimit të këtij procesi tashmë është më i madh se kurdoherë më parë, për shkak se raportet ndërkombëtare, edhe të Komisionit Evropian, edhe të organizatave të ndryshme, janë gjithnjë e më negative për Kosovën". "Janë raporte, të cilat dëmtojnë imazhin e Kosovës në mënyrë të skajshme, duke e paraqitur një vend ku nuk sundon ligji dhe një vend ku nuk ka shprehje të lirë dhe nuk ka demokraci", thotë Ramadani. Zyrtari i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se Qeveria e Kosovës mund të investojë në planin diplomatik, në mënyrë që të angazhojë aty edhe personalitete të shquara botërore, që do të lobonin për njohjet e reja të Kosovës. "Kjo situatë tashmë kërkon masa të jashtëzakonshme ose masa infuzive dhe Qeveria e Kosovës duhet të ndajë nga buxheti i saj një pjesë të konsiderueshme për qëllim të lobimit të njohjes së shtetit të Kosovës". "Dhe, aty të angazhohen edhe njerëz vendorë, por sidomos personalitete të njohura botërore, të cilat kanë ndikuar në shumë procese dhe në procesin e Kosovës po ashtu", thekson Ramadani. Ndërkohë, Albana Beqiri thotë se ishte puna e diplomacisë kosovare ajo që tashmë ka bërë që çdo vend në botë ta dijë se ku është dhe cili është shteti më i ri. Kurse njohjet, nënvizon ajo, janë edhe çështje e vendimeve të secilit vend veç e veç. "Ministria e Punëve të Jashtme dhe të gjitha institucionet tjera e kanë bërë punën e tyre. Çdo vend e di tashmë se ku është Kosova, e ka të ripërsëritur për të satën herë kërkesën për njohje, por ne i qëndrojmë mendimit se njohjet janë çështje individuale të shteteve dhe njohjet janë çështje politike që çdo shtet i merr individualisht", thotë Beqiri. Zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë shpresojnë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pas procesit të dëgjimit të palëve që fillon në dhjetor, të dalë me një mendim pozitiv këshillëdhënës për pavarësinë e Kosovës. Një vlerësim pozitiv nga kjo gjykatë shihet si hap përpara në lëvizjen e vendeve drejt njohjes së Kosovës. Kosova deri tani është njohur nga 62 shtete.

Shënim: Pak orë pas shkrimit të këtij vëzhgimi, u shpall njohja e Kosovës nga shteti 63-të, Zelanda e Re.

KOMENTE