Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Berisha, ja çfarë kërkoj prej teje
English

Berisha, ja çfarë kërkoj prej teje

"Në emër të të gjitha bashkive e komunave që drejtohen nga të zgjedhur të shumicës socialiste e progresiste të njësive tona vendore ju bëjmë këtë Apel Publik për t'i dhënë fund politikës suaj antidemokratike, madje rëndom edhe antikushtetuese e antiligjore, ndaj pushtetit vendor në Shqipëri"

Nga Edi Rama

Kryetar i PS*

"Kjo është dita e fillimit të protestave të të gjitha bashkive e komunave që vuajnë, prej katër vjetësh, shkeljet që qeveria e Sali Berishës i bën Kushtetutës, Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, goditjet e sistematike që kjo qeveri i jep çdo vit buxheteve vendore dhe diskriminimin e njësive vendore të qeverisura nga socialistët e progresistët që është bërë i patolerueshëm.

Qysh prej krijimit te saj në vitin 2005, qeveria e Sali Berishës e ka shkelur plot 7 herë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, duke gjeneruar konflikt permanent kompetencash, duke nxjerrë ligje dhe vendime të papajtueshme me Kushtetutën, duke kufizuar instrumentet tanë financiarë, fiskalë e rregullatorë në ushtrimin e detyrës sonë, shkurt, duke cenuar çdo vit e më rëndë punën e bashkive e të komunave në shërbim të komunitetit.

Pa ekzagjerim çdo nisëm e qeverisë së Sali Berishës në raport me bashkitë e komunat, e propaganduar si reformë, ka pasur në thelbin e vet defektin e rëndë që ka prej katër vjetësh e gjithë marrëdhënia problematike e kësaj qeverie me pushtetin vendor, cenimin e vazhdueshëm të Kushtetutës e të ligjit në tërësi dhe kufizimin konstant të hapësirës së veprimit të të zgjedhurve socialistë e progresistë në veçanti.

Këto katër vjet kanë qenë vite të vështira shansesh të humbura për decentralizimin real të qeverisjes në funksion të modernizimit të vendit dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve komunitare në nivele europiane.

Qytetet e Shqipërisë vuajnë sot e gjithë ditën probleme që duhet të ishin zgjidhur me kohë dhe që mbeten pa zgjidhur vetëm sepse qeveria as do e as di t'i zgjidhë, duke e lënë lëmsh fillin e kompetencave në çdo fushë ku komunitetet vendore kërkojnë shërbime më cilësore dhe duke i'a faturuar qytetarëve koston e panevojshme të keqmenaxhimit të ujësjellës - kanalizimeve, të keqmenaxhimit të ndërtimeve, me dhe pa leje, si dhe të procesit të legalizimeve, të keqmenaxhimit të trafikut rrugor e të transportit publik, të keqmenaxhimit të shërbimeve sociale e të strehimit, të keqmenaxhimit të mjedisit e me radhë në të gjitha fushat ku qeveria duhet të kishte hequr dorë me kohë nga futja e duarve drejtpërdrejtë.

Kryeqytetasit dhe jo vetëm ata sot vuajnë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, sepse qeveria e Sali Berishës e mban peng sistemin e ujësjellës kanalizimeve, duke e menaxhuar vetë, si askund tjetër në Europë, dhe duke u tallur me qytetarët të cilëve u thotë fajin e ka bashkia.

Kryeqytetasit dhe jo vetëm ata sot vuajnë trafikun e rënduar rrugor dhe transportin publik problematik, sepse qeveria e Sali Berishës është e vetmja në Europë që mban monopolin e menaxhimit të trafikut, është e vetmja në Europë që nuk subvencionon transportin publik, madje është e vetmja në botë që cakton edhe çmimin e biletës së autobusit.

Kryeqytetasit dhe jo vetëm ata sot vuajnë mungesën e sistemit të adresave, sepse qeveria e Sali Berishës është e paaftë të përcaktojë me ligj standarde e kritere për vendosjen e adresave, duke bërë që në shekullin e XXI Tirana të jetë i vetmi kryeqytet në botë pa adresa për shkak të fatkeqësisë kombëtare të të pasurit 19 vjet me radhë qeveri që kanë ecur kuturu, ndër të cilat qeveria e Sali Berishës shquhet padyshim për ecjen në rrugë me të pyetur.Â

Por sot, më shumë se për gjithçka tjetër, është dita për të folur për krizën ekonomike, për falimentimin e pragfalimentimin e bizneseve, sidomos atyre të vogla, dhe për verbërinë alarmante të qeverisë së Sali Berishës qoftë në raport me krizën ekonomike në tërësi, qoftë në raport me pasojat e kësaj krize mbi biznesin e vogël në veçanti dhe qoftë në raport me nevojat jetike të bashkive e komunave në këtë kohë krize që thellohet çdo ditë.

Sali Berisha po shkatërron vendin duke dashur ta fshehë me çdo çmim krizën ekonomike që ka pllakosur mbi Shqipëri. Duke mos marrë asnjë masë të arsyeshme për përballimin e krizës kjo qeveri po rëndon përditë, në mënyrën më të paarsyeshme, më të verbër e më të papërgjegjshme, barrën e krizës në kurrizin e shqiptarëve, e të gjithë shqiptarëve që nuk janë familjarë, shërbëtorë apo klientë të pushtetit të Sali Berishës.Â

Kjo barrë po bëhet e padurueshme për bizneset, të vegjël e të mëdhenj pa dallim.Â

Lidhja e drejtpërdrejtë e arkës së bashkive e komunave me fatin e biznesit lokal, sidomos biznesit të vogël, na bën sot më të vendosur se asnjëherë në mbrojtje të tij. Sepse në qoftë se do të hyjë në fuqi vendimi më i fundit i Sali Berishës për të kaluar, në janar të vitit që vjen, nga biznes i vogël në biznes të madh, të gjitha bizneset e vogla që bëjnë një xhiro mbi 5 milionë lekë, atëherë pa dyshimin më të vogël shumë biznese që sot mezi mbahen do të falimentojnë, ndërkohë që arka e bashkive e komunave tona do të zbrazet në mënyrë dramatike.Â

Vetëm në Tiranë, ky vendim krejt i çmendur në kohën e një krize të tillë ekonomike, do të bënte që 3800 subjekte të kalonin në 1 janar nga biznes i vogël në biznes i madh dhe t'i paguanin qeverisë 2-3 herë më shumë se sa gjatë vitit 2009, kur Sali Berisha u qante hallin se po vuanin nga barra fiskale e pushtetit vendor.Â

Sipas përllogaritjeve tona, më shumë se gjysma e tyre do të falimentonin menjëherë, ndërkohë që Bashkia e Tiranës do të humbte në çast një vlerë marramendëse të barabartë me dyfishimin e ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë të Tiranës.

Me shembuj të tjerë humbja që i shkakton Bashkisë së Tiranës ky vendim i patolerueshëm është një vlerë marramendëse e barabartë me pastrimin për 500 ditë të Tiranës, ose me 440 mijë metra katrorë rrugë të asfaltuara, ose me 10 shkolla të reja apo rikonstruksionin e 17 shkollave ekzistuese, ose me 23 kopshte dhe çerdhe të reja, ose me 73 mijë pemë të reja - si pemët që mbjellim ne jo si ato ferrat që mbolli para ca ditësh në qendër të Tiranës ministri që tha po mbjellim pemë.

E pamundur, e papranueshme, e pakalueshme.

Ja pse sot ne, të zgjedhurit vendorë socialistë e progresistë, do të firmosim Apelin Publik drejtuar Sali Berishës. Ky është teksti i apelit:

Zoti Sali Berisha,

Në emër të të gjitha bashkive e komunave që drejtohen nga të zgjedhur të shumicës socialiste e progresiste të njësive tona vendore ju bëjmë këtë Apel Publik për t'i dhënë fund politikës suaj antidemokratike, madje rëndom edhe antikushtetuese e antiligjore, ndaj pushtetit vendor në Shqipëri.

Politika juaj e derisotme ka krijuar vijimësisht probleme të mëdha, me karakter tërësisht subjektiv, duke cenuar mirëqeverisjen e qyteteve e komunave tona, duke penguar zhvillimin e kapaciteteve vetëqeverisëse të komuniteteve tona, duke vështirësuar progresivisht shërbimet tona për qytetarët.

Sot ka mbërritur faktikisht ajo pikë ku kërcënohen të gjitha funksionet bazë të qeverisjes vendore.

Bashkitë dhe komunat tona rrezikojnë të mos u përgjigjen dot qytetarëve të tyre as për shërbimin elementar të pastrimit, jo më për gjithçka tjetër me plot të drejtë qytetarët presin e kërkojnë prej nesh.

Sot, sidomos me dy masat tuaja të papranueshme të këtij viti, respektivisht në maj e në tetor për biznesin e vogël, kërcënohet jo thjesht autonomia vendore, por ekonomia vendore dhe buxhetet vendore. Jetësimi i këtyre masave do të sillte falimentime masive biznesesh të vogla dhe rënie dramatike të të ardhurave të bashkive e komunave tona. Kundërvënia jonë e hapur ndaj tyre është e pashmangshme.

Deri më sot prononcimet tona publike, shqetësimet e ngritura publikisht prej nesh, paralajmërimet tona në publik për fillimin e protestave në emër të të gjithë komuniteteve tona, në emër të Kushtetutës e të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, në emër të përgjegjësive tona qytetare, politike e personale, kanë rënë për fat të keq në vesh të shurdhër.

Ndërsa sot me këtë Apel Publik e deri kur marrëdhënia e shkatërruar e pushtetit qendror me atë vendor të rikthehet në normalitetin kushtetues, ligjor e demokratik në respekt të plotë të të drejtave e përgjegjësive tona institucionale, ne hyjmë në rrugën e protestave.

Nëpërmjet këtij Apeli Publik kërkojmë prej jush, reagimin e duhur ndaj pesë kërkesave të mëposhtme dhe angazhimin tuaj publik për plotësimin e tyre deri në datën 5 dhjetor 2009:

1. Të anulohet amendamenti i majit 2009 në ligjin bazë të taksave e tarifave vendore ku qeveria, në rrugë antikushtetuese, ndërhyri direkt në përcaktimin e nivelit të tarifave;

2. Të anulohet vendimi i tetorit 2009 që, në kulmin e krizës ekonomike, bizneset e vogla me xhiro nga 5 në 8 milionë nuk i klasifikon më si të tilla po si biznese të mëdha që futen në një skemë detyrimesh tatimore të papërballueshme për ta, duke i çuar masivisht drejt falimentimit dhe duke i dhënë një goditje të papërballueshme edhe buxheteve vendore që mbahen në radhë të parë me kontributet e biznesit të vogël;

3. Të bëhet më në fund, bazuar në të drejtën tonë legjitime po pse jo edhe në premtimin Tuaj të përsëritur çdo vit, kompensimi i të ardhurave të munguara, 5 vjet me radhë, në arkën e bashkive e komunave nga përgjysmimi arbitrar i taksës së biznesit të vogël në vitin 2005;

4. T'i jepet fund praktikës joeuropiane, korruptive, klienteliste e partiake të granteve konkurruese për nevojat e funksionet bazë të njësive vendore dhe pjesa e buxhetit të shtetit për njësitë vendore të ndahet në bazë të një formule bashkëkohore kriteresh objektive, ku të gjitha bashkitë dhe komunat marrin çfarë u takon pavarësisht nga ngjyra e tyre politike;

5. Të aplikohen më në fund taksat e ndara ashtu siç e përcakton Ligji Organik i Qeverisjes Vendore këtu e dhjetë vjet më parë lidhur me tatimin mbi te ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive.

Siç e shihni të pesë kërkesat e këtij Apeli Publik janë çështje të lidhura drejtpërdrejt me përgatitjen e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm.

Ne urojmë që ju zoti Sali Berisha të dëgjoni zërin e arsyes dhe të mos zgjidhni arsyen e forcës në kushtet kur mosplotësimi i këtyre pesë kërkesave krejt parimore, madje elementare, do të rëndonte shumë jo vetëm gjendjen aktuale financiare të bashkive e komunave, por edhe krizën ekonomike të komuniteteve tona. Në të kundërt, Ju themi hapur dhe në transparencë të plotë me qytetarët që na kanë zgjedhur, protesta jonë do të përshkallëzohet në 5 dhjetor me një qëndrim e formë të re.

Të nderuar pjesëmarrës në këtë protestë të parë për rivendosjen e demokracisë vendore, për zhdukjen e diskriminimit të bashkive e të komunave të opozitës, për mbrojtjen nga falimentimi të dhjetëra mijëra bizneseve të vogla që mbajnë gjallë ekonomitë vendore, si edhe për shmangien e një krize institucionale dhe ekonomike me pasoja të paparashikueshme në ushtrimin e pushtetit vendor!

Duke ju shprehur të gjithëve mirënjohjen për punën që bëni në shërbim të komuniteteve ku jetoni e kontribuoni, si edhe duke ju falënderuar për pjesëmarrjen në këtë protestë të parë, ju siguroj se kjo protestë që fillon sot dhe mbaron vetëm me zgjidhjen e kërkesave tona, është një kontribut i paçmuar i të gjithëve ju, jo në shërbim të një partie, as në mbështetje të një pale kundër një tjetre, por në shërbim të komuniteteve tuaja pa dallim, në shërbim të të gjithë qytetarëve që presin e meritojnë më shumë nga bashkia apo komuna e tyre.

Biznesmenët e vegjël, të cilët janë sot në shënjestër të politikës së gabuar të Sali Berishës me financat vendore, nuk janë të majtë apo të djathtë, por janë edhe të majtë edhe të djathtë dhe, në radhë të parë, janë qytetarë që mbajnë familjet e tyre me një biznes që kërcënohet tanimë jo vetëm nga kriza ekonomike, por edhe nga falimentimi për shkak të një politike që nuk e merr parasysh krizën.

Duke protestuar sot për të drejtat kushtetuese, demokratike e ligjore, të pushtetit vendor, ju të gjithë protestoni edhe për të drejtën për të jetuar me punë të ndershme të atyre dhjetëra mijëra familjeve që ushqehen me biznesin e tyre të vogël, si edhe për vetë fatin e ekonomisë vendore kudo ku jetoni e punoni.

Ja pse sot duhet të ktheheni të gjithë në shtëpi krenarë që bëtë një detyrë qytetare dhe të riktheheni në sheshin e protestës, aty ku jetoni e punoni apo këtu në Tiranë, deri kur kërkesat e Apelit tonë Publik do të plotësohen.

Faleminderit!"

(*) Fjala e në protestën e zhvilluar mesditën e së dielës për cenimin e autonomisë vendore

KOMENTE