Durrës, 16 Nëntor NOA - Një grup teologësh myslimanë të qytetit të Durrësit, i ka drejtuar peticion autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar dhe diplomatëve të huaj, duke akuzuar drejtues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë se po keqpërdorin abuzojnë me pronat dhe financat e vakëfit.
Peticioni i është drejtuar Presidentit, Kryeministrit, kryeparlamentares, ministrit të Kulturës, kreut të Komitetit Shtetëror të Kulteve, Rasim Hasanaj, Kryeprokurores së Përgjithshme Ina Rama,
si dhe për dijeni Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës John L. Withers II, Shefit të Delegacionit të Komisionit Europian Helmut Lohan dhe Ambasadorit të O.S.C.E. në Shqipëri Robert Bosch.
"Ne teologët myslimanë të qytetit të Durrësit, vendosëm të thyejmë heshtjen, të lëmë mënjanë dallimet teorike dhe praktike si dhe të pajisemi me kurajën qytetare, për të ngritur një shqetësim lidhur me mënyrën se si K.M.Sh.-ja dhe drejtues lokalë në Myftininë e Durrësit, të dirigjuar nga z. Betim Truçi (Sekretar i Përgjithshëm i K.M.Sh.-së) dhe z. Ilir Vokshi (njëkohësisht Myfti i Durrësit, Tiranës dhe Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të K.M.Sh.-së), po administrojnë pronat vakëf, në dëm të interesave të myslimanëve shqiptarë në veçanti dhe të të gjithë shqiptarëve në përgjithësi", - thuhet në fillim të peticionit.
Zyrtarëve të lartë u kujtohet fakti se "me misionin dhe funksionin tuaj kushtetues, mbani gjallë shpresat e shqiptarëve për një vend të lirë, demokratik, të pakorruptuar dhe të integruar natyrshëm në bashkësinë e vlerave euro-atlantike".
Ndaj u kërkohet angazhimi "për t'i thënë "Ndal!" këtij fenomeni, që po gërryen çdo ditë shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe institucionin e K.M.Sh.-së në veçanti, janë shprehje të përgjegjësive tona kombëtare, fetare dhe qytetare".
Në këtë pikë vjen kërkesa konkrete: Me fuqinë e misionit dhe funksionit tuaj kushtetues, ndikoni për të vënë në lëvizje institucionet e vendit tonë për të ndaluar sa më shpejt që është e mundur dëmet morale dhe materiale që korrupsioni i krerëve me të lartë të K.M.Sh.-së, e në veçanti Myftinisë së Durrësit, po i shkaktojnë një institucioni me rëndësi të veçantë kombëtare, kulturore e fetare siç është Bashkësia Islame e Shqipërisë". Në peticion, nënshkruesit thonë se prej disa kohësh po konstatojnë me shqetësim se krerë të lartë të K.M.Sh.-së po shkelin në mënyrë flagarnte Statutin e K.M.Sh-së dhe po abuzojnë frikshëm me pronat vakëf të këtij institucioni. "Këto abuzime dhe ky korrupsion me pronat vakëf, - vijon peticioni, - janë pranuar nga vetë krerët e këtij institucioni, në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës".
"Ndërsa, përgjigja që zotërinjtë drejtues të K.M.Sh.-së rezervojnë për të interesuarit rreth këtyre abuzimeve, ka qenë dhe vazhdon të jetë arroganca, brutaliteti, intransengjenca dhe kërcënimet e veshura shpeshherë me mantelin e imunitetit shtetëror dhe jo vetëm", - vijojnë akuzat e forta.
Kurse theksohet se "të veshur me imunitetin që me shumë zell dhe dëshirë u ofrohet nga drejtuesit qendrore të K.M.Sh.-së dhe të strukur turpshëm nën ombrellën e të ashtuquajturës ‘mbrojtje e veçantë e shtetit', drejtuesit lokalë të Myftinisë së qytetit të Durrësit sfidojnë çdo ditë e më shumë aspiratat e qytetarisë durrsake për një institucion shpirtëror të pastër e të papërfolur, shembull i virtytit dhe i devocionit".
Peticioni vë në dukje se ka disa kohë që klasa elitare teologjike e qytetit të Durrësit, po përpiqet që nëpërmjet heshtjes, urtësisë dhe fjalës së mirë, të ndryshojnë diçka në mënyrën se si këta drejtues po sillen me detyrën dhe pasurinë morale e materiale që ata duhet të administrojnë.
"Po përpiqemi me aq sa mundemi t'u tregojmë këtyre drejtuesve se mënyra se si ata po i administrojnë këto dy pasuri nuk i shërben as dialogut e as bashkëpunimit brenda nesh e më gjerë, dhe çfarë është më e rëndësishme, po cënon pavarësinë ekonomike të këtij institucioni, çka është parakusht për forcimin e frymës tradicionale islame shqiptare. Porse, në të gjitha herët jemi përballur me refuzimin arrogant dhe mungesën totale të dëshirës për transparencë nga ana e tyre", - nënvizohet në peticion.
Kurse shtohet se "për fat të keq, ne kemi qenë të pafuqishëm që t'u lëkundim besimin e tyre të verbër, se gjithçka ata bëjnë, qoftë kjo e mirë apo e keqe, gëzon paprekshmëri dhe mbrojtje absolute. Po ashtu, për fat të keq, ne nuk kemi arritur t'i bindim këta drejtues, në pavërtetësinë e iluzionit se shteti ynë do të qëndrojë duarlidhur e gojëkyçur përballë historive të tyre të korrupsionit, që me sa duket, ua kanë mpirë arsyen e shëndoshë".
Ndaj nënshkruesit kërkojnë nga autoritetet që të mos lejojnë "asnjë aktivitet korruptim".
Teologët sqarojnë se peticioni për autoritetet vjen pasi "ne nuk mundemi t'i ndryshojmë "zakonet" e këtyre njerëzve, të cilët, të zhytur në korrupsionin e tyre, të dehur nga megalomania dhe nën petkun e mbrojtësve të fesë islame, anatemojnë, urrejnë dhe kërcënojnë çdokënd që guxon t'u kujtojë atyre drejtësinë, institucionet dhe forcën e ligjit, përpara të cilit të gjithë jemi të barabartë".
Për këtë shkak, teologët sugjerojnë që "institucionet e këtij vendi të kërkojnë transparencën e menaxhimit të trojeve vakëf, të cilat shteti ynë ua ka kthyer pronarëve të ligjshëm, që në këtë rast janë qytetarët e këtij vendi, për t'u miradministruar në favor të interesave më të larta morale e kombëtare, e jo në favor të interesave personale të një kaste drejtuesish të këtij institucioni".
Në mbyllje të peticionit, shtrohet edhe një problem i mprehtë, gjithnjë mbi argumentin e mësipërm: Ju drejtohemi juve, sepse sot më shumë se kurrë, ky shqetësim është një ndër çështjet më të rëndësishme që lidhen me të ardhmen e frymës paqedashëse, vëlladashëse e atdhedashëse të bashkësisë së myslimanëve shqiptarë dhe jemi plotësisht të bindur se fenomene të tilla korruptive krijojnë një klimë të favorshme për lulëzimin e frymës ekstremiste e radikale, aq të urryera e të dëmshme për të gjithë ne".
a.l/e.r/NOA