English

Kosova imiton zgjedhjet e 28 qershorit

Zgjedhjet lokale në Kosovë treguan një dinamikë të re të spektrit politik dhe shenjat e para të importimit nga Shqipëria të skenarit të manipulimit në procesin e numërimit të zgjedhjeve. Edhe pse në tërësi paqësore, shantazhet janë shfaqur gjatë procesit të numërimit gjatë natës të së dielës dhe sot paradite. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu disa herë komunikimin e rezultateve paraprake dhe kjo ka shtuar dyshimet për presione nga partia në pushtet

Nga Mero Baze*

LDK është rritur ndjeshëm në Prishtinë, Partia e Ramush Haradinaj ka dalë nga rrethi i një partie krahinore dhe po zgjerohet në të gjithë vendin, ndërsa Partia Demokratike e Hashim Thaçit është ndalur dhe ka pësuar disfatë.

Ky është pak a shumë peisazhi paraprak që japin zgjedhjet lokale në Kosovë. Por shqetësues për shumë vëzhgues të skenën politike atje, nuk është aq shumë rezultati, por shfaqja e disa simptomave të këqija të manipulimit të procesit pas zgjedhjeve, në procesin e numërimit.

Simptoma e parë e dukshme ishin festat e provokuara të fitoreve ende pa u shpallur rezultati.

Në disa raste festa të tilla krijuan nervozizëm te kundërshtarët siç ishte rasti i Prizrenit apo Pejës.

Shenja e dytë dhe e frikshme që mund të fusë virusin e manipulimit të proceseve zgjedhore në Kosovë, është vonimi i rezultatit dhe kërcënimet e hapura në disa qendra urbane, siç ishte rasti i Malishevës, gjatë procesit të numërimit.

Deklarimi paraprak partiak i rezultatit dhe pastaj shkuarja drejt deklaratës me metoda të dhunshme dhe manipulative, ka ngjallur shqetësim serioz se në edhe në Kosovë mund të krijohet një traditë e shëmtuar e manipulimit të procesit, pas përfundimit të zgjedhjeve. Komisionet zgjedhore ende të pastukturuara mirë dhe influenca shpesh e dhunshme e elementëve partiakë në disa zona, po krijon dyshime se deklarimi i rezultatit u stërzgjat nën presionin e pushtetit politik, që nuk ka marrë rezultatin që ka pritur.

Shumë analistë politikë në Kosovë e shikojnë negativ ndikimin e shembullit të Shqipërisë në këtë proces, dhe janë skeptikë ndaj përshëndetjeve paraprake të zotit Berisha për procesin e zgjedhjeve, ende pa përfunduar dhe pa dalë rezultati.

Ekspertimi në Kosovë i traditës së proceseve të manipuluara zgjedhore, është një nga dëmet më të mëdha që Shqipëria mund t'i bëjë Kosovës.

Solidariteti i kryeministrit shqiptar, paraprak në procesin, ndërkohë që ai ka kryer një proces të kontestuar zgjedhor dhe ka opozitën jashtë parlamentit, nuk është një thirrje për solidaritet mes fitimtarëve, por thirrje për solidaritet mes liderëve me probleme për zgjedhjet.

Dhe nëse në Kosovë, nuk ka deformime të mëdha të procesit, zoti Berisha duhet ta kishte kursyer qeverinë e Kosovës dhe të mos ta uronte kaq shpejt. Kështu do kishim një dyshim më pak.

Përpjekja për të keqpërdorur ndikimin e Tiranës zyrtare, jo për një standard demokratik, por për të mbyllur një defekt demokratik, dhe imitimi i pas 28 Qershorit në natën dhe ditën e parë pas zgjedhjeve, janë simptomat e para që virusi i prekjes së votës ka kaluar kufirin.

(*) Dërguar nga autori

Pikëpamjet e publikuara në rubrikën Opinion nuk paraqesin domosdoshmërish qëndrimin e NOA

KOMENTE