English

Kapet në Athinë me identitet të rremë i kërkuari nga Vlora. Mashtronte me kontrata

Athinë, 19 nëntor, NOA - Mashtronte qytetarët duke u marrë shuma të konsiderueshme parash, përmes nënshkrimit të kontratave fiktive apo lëshimit të mandat-pagesave false dhe për këtë arsye ka qenë i shpallur ndërkombëtar nga Interpoli, por pas shumë kërkimesh ai ka mundur të kapet nga forcat greke të policisë.

Burimet policore të zyrës së Interpol Tiranës konfirmojnë se fjala është për 25-vjeçarin Indrit Aliu, i kërkuar për mashtrim me pasoja të rënda, i cili është kapur nga forcat e Interpolit të Greqisë.

Raportimet tregojnë konkretisht se ai është arrestuar në Athinë dje në orët e mbrëmjes dhe në momentet e kapjes ai është paraqitur me gjeneralitetet e Sokol Shehut.

Ndërkaq, ndaj tij ekzistonte masa e sigurisë "arrest me burg" për veprën penale të "Mashtrimit me pasoja të rënda", parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal sipas një vendimi të marrë nga gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, në muajin prill të këtij viti.

Tashmë, organet kompetente janë në proces e sipër për të marrë në konsideratë mundësinë e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.

n.e/NOA

KOMENTE