Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Triumfi i Qeverisë
English

Triumfi i Qeverisë

Edhe pse PDK dhe LDK kanë festuar ndaras fitoren, ajo doli se është e përbashkët. Kryeministri Hashim Thaçi dhe Kryetari Fatmir Sejdiu do të presin krejtësisht të patrazuar fundin e procesit zgjedhor si dhe fundin e mandatit të qeverisë qendrore. Deshëm s'deshëm, ata janë fituesit më të mëdhenj të procesit

Nga Shkëlzen Maliqi*

Një lajm i mirë: Kosova më nuk është "lajm", por vetëm reklamë globale për Europianët e Rinj. Zgjedhjet lokale dëshmuan se Kosova mund ta organizojë edhe vetë testin më të madh të demokracisë. Ca hije dhe re të zeza të "prekjes" së votës nuk po e prishin përshtypjen e përgjithshme pozitive për demokracinë në shtetin më të ri. Kjo, besoj, i gëzon shumë sponsorët ndërkombëtarë të pavarësisë së Kosovës para fillimit të gjykimit në Hagë për çështjen nëse shpallja e pavarësisë ka qenë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Një lajm tjetër që pakkush e ka theksuar është se në këto zgjedhje lokale fitues absolut është koalicioni qeverisës, pasi ka siguruar pushtetin në shumicën e komunave si dhe në përkrahjen totale. Edhe pse partnerët e koalicionit, PDK dhe LDK, kanë garuar ndaras, ata kanë arritur shifrën e lartë prej 59. 9 për qind (PDK 34. 3 për qind, LDK 25. 6 për qind). Nëse lihet anash retorika e fushatës parazgjedhore, ndonjëherë me akuza të rënda që patën provokuar spekulime të shumta për mundësinë e prishjes së koalicionit aktual në pushtet, matematika e përqindjeve të fituara edhe një herë tregon pamundësinë, edhe pse teorikisht nuk përjashtohet ndonjë formulë alternative e rikonstruktimit të pushtetit - kuptohet, nëse rezultati aktual do ta stimulonte, siç kanë shpresuar disa, organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Tani mund të konstatohet me siguri të plotë se në nivelin qendror nuk do të ndodhë asnjë ndryshim. Dhe ky fakt gjithsesi se do të jetë me rëndësi të jashtëzakonshme që edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, me balotazhe të shumta, të kalojë më qetë se ç' është supozuar, sepse do të mungojë ai tensioni ndërmjet partnerëve në Qeverinë qendrore i atij tipi që e paralajmëronte zhurmshëm fituesi i Prishtinës, Isa Mustafa ("Qeveria aktuale i ka ditët e numëruara!") dhe me plot entuziazëm dhe bindje edhe Ramush Haradinaj ("Së shpejti do ta kemi Qeverinë Haradinaj!"). Kjo nuk do të thotë se në fushatat e balotazheve nuk do të ketë serish edhe shkëmbime akuzash dhe fjalë të mëdha, por ama ato do të jenë thjesht reshje lokale atmosferike, pa asnjë pasojë për pushtetin qendror. Edhe pse PDK dhe LDK festuan ndaras fitoren, ajo doli se është e përbashkët. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu do ta presin krejtësisht të patrazuar fundin e këtij procesi, si dhe fundin e mandatit të Qeverisë aktuale. Deshëm s'deshëm, ata janë fituesit më të mëdhenj të procesit. Në këtë sfond, të gjitha rezultatet tjera e kanë rëndësinë dytësore. Ngritja e madhe e AAK'së, që pothuajse dyfishoi elektoratin (nga 9. 6 për qind në zgjedhjet e vitit 2007, në 17. 9 për qind në zgjedhjet e të dielës) dhe pos në tri komuna që i ka, do të mund ta marrë pushtetin edhe në dy apo tri komuna tjera, paraqet vetëm një avancim inkurajues, por nuk lejon ndonjë entuziazëm se mund të sulmojë pushtetin qendror në afat të shkurtër. Ramush Haradinaj duhet ta mësojë leksionin e durimit në politikë, të paktën deri në vitin 2011, e ndoshta edhe një a dy cikle më vonë, përderisa nuk sqarohet se në ç'drejtim po zhvillohen disponimet dhe proceset e (de)konsolidimit të LDK'së, dhe profilizmin e përgjithshëm të forcave opozitare. Në këtë aspekt, Haradinaj dhe AAK ndoshta edhe nuk kanë shumë arsye që t'i gëzohen fitores relative, që me gjasë e kanë arritur vetëm në kurriz të dobësimit të LDK'së, nga njëra anë, dhe të qenit konsistentë në platformën opozitare, por jo edhe bashkues të saj, në anën tjetër.

Një goditje me pasoja më afatgjate për reputacionin e AAK'së do të jetë nëse vërtetohet se në Gjakovë ka pasur "prekje", ose më saktë, dhunim të votës çfarë pretendon Mimoza Kusari me shfaqjen e disa videove komprometuese dhe deponimet e dëshmitarëve dhe aktorëve të keqpërdorimeve. Edhe në vitin 2007 është dyshuar se AAK e ka dhunuar votën në Gjakovë, dhe nëse tani për këtë sigurohen provat dhe pjesshëm ose në tërësi anulohet votimi, hija e zezë nuk do të bjerë mbi zgjedhjet në përgjithësi, por mbi dhunuesit e votës. Sukses i procesit dhe demokracisë është edhe kur e zbulon dhe ndëshkon vjedhjen e votës. Fakti se në këto zgjedhje fituese dolën PDK, LDK, por edhe AAK, shtron pyetjen - kush janë humbësit? Një rënie të ndjeshme kanë shënuar AKR dhe LDD, që kanë marrë 8. 9 për qind dhe 6. 2 për qind, që në total del se është 15. 1 për qind, ndërkaq në vitin 2007 këto dy parti kanë pasur 22. 4 për qind të votës. Por, AKR'ja megjithatë ka performuar më mirë kësaj here, sepse ka arritur që të garojë më fuqishëm në disa komuna dhe meqë kësaj here dalja në zgjedhje ka qenë shumë më e madhe se në vitin 2007, mbase edhe nuk ka rënie në numrin e votuesve. Shkrirja eventuale e AKR dhe LDD në një parti, që duket si një hap i logjikshëm, e paraqet këtë forcë si një pol të katërt të skenës politike, që mund të ketë stabilitet dhe perspektivë në të ardhmen. Humbëset absolute të këtyre zgjedhjeve janë partitë e vogla, të cilat me gjasë po japin shpirt dhe pothuajse nuk kanë shans për ringjallje. Pos shuarjes, alternativat janë që edhe ato të shkrihen me partitë më të mëdha, ose të krijojnë koalicione tentative shpëtimtare mes tyre. Po kështu, humbëse e këtyre zgjedhjeve është edhe Lëvizja "VETËVENDOSJE!" dhe ata që ftonin për bojkotin e tyre. Dalja në zgjedhje ka qenë e konsiderueshme, sipas meje rreth 70 për qind të votuesve rezidentë.

(*) "Express", Prishtinë

KOMENTE