Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Qeveria që qëndron mbi kutitë e mbyllura
English

Qeveria që qëndron mbi kutitë e mbyllura

"Në qoftë se Parlamenti s'ka forcë të bëjë një ligj për të hapur kutitë, atëherë s'ka as pse vetë Parlamenti të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura. Në qoftë se qeveria s'ka kurajë të bëjë bashkë me opozitën transparencën e zgjedhjeve, duke hapur kutitë në sytë e publikut për të marrë të gjitha masat ligjore, që çdo shkelës i ligjit në këtë proces zgjedhor të çohet para drejtësisë dhe çdo përmirësim ligjor të bëhet nga parlamenti, atëherë s'ka as arsye që vetë qeveria të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura. Shkurt e troç: Në qoftë se kutitë do të mbahen forcërisht të mbyllura, ne do të kërkojmë me forcë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme"

Nga Edi Rama*

Kryetar i Partisë Socialiste

Sot jemi në këtë bulevard të Dëshmorëve të Kombit më të shumtë se kurrë. Sepse sot më shumë se kurrë duam të tregojmë që e duam Shqipërinë si gjithë Evropa.

Sot më shumë se kurrë duam të provojmë, se liria e votës dhe e drejta për numërimin e ndershëm të saj, janë për ne një liri dhe e drejtë që nuk blihet, nuk shitet, nuk negociohet.

Sot më shumë se kurrë duam të refuzojmë vazhdimin e historisë së zgjedhjeve pa standarde evropiane në Shqipëri, që zgjasin historinë e qeverisjeve pa standarde evropiane për Shqipërinë, që zvarrisin shqiptarët në rrugët e një jete pa standarde evropiane brenda Shqipërisë.

Kjo nuk është një luftë për pushtet, po një betejë për dinjitet.

Një betejë për drejtësi.

Një betejë për liri e të drejta njerëzore, që nuk na i jep dhuratë dhe as na i merr dot peng pushteti i radhës. Një betejë për demokraci në jetën shqiptare që duhet të ketë në qendër qytetarin jo pushtetarin.

Sot më shumë se kurrë ne kundërshtojmë që shteti i të gjithëve të jetë mjet përfitimi në duart e disave.

Sali Berisha u ankua mbrëmë nga kutia e mbyllur e parlamentit se unë po e shaj, duke shpifur për të e për njerëzit e familjes së tij.

E pavërtetë!

Kurrë s'më ka shkuar ndërmend të merrem me jetën personale e me njerëzit e familjes së kujtdoqoftë, as të kundërshtarit politik. Këtë Sali Berisha e ka bërë gjithë jetën e tij si një stalinist i pandreqshëm.

E ka bërë në kohën e diktaturës komuniste, kur ka arritur deri edhe të persekutojë personalisht e të internojë një familje të pafajshme.

E ka bërë edhe më vonë e deri në ditët tona, kur është marrë me gratë, vajzat, djemtë, motrat, nipërit, mbesat, kushërinjtë e çdo kundërshtari që i ka dalë përpara, i madh apo i vogël.

E ka bërë gjithmonë duke e kthyer politikën në një teatër të shpifur sharjesh e fyerjesh pambarim.

Unë vetëm kam thënë dhe e them e do ta them përsëri, me forcën më të madhe, që interesat ekonomike e financiare të familjes së Sali Berishës, po diktojnë qeverisjen e vendit më shumë sesa interesat publike e qytetare të njerëzve të këtij vendi.

Duke thënë këtë nuk po merrem me jetën personale të kundërshtarit, po me konfliktin e përbindshëm të interesit, ku e ka futur qeverisjen e vendit njeriu që e drejton qeverinë në rrugën e interesave të familjes së tij.

Këtë konflikt interesi shkatërrimtar për vendin e tregojnë përditë e më shumë faktet, provat e dëshmitë e kapjes së shtetit e të korrupsionit që po bëhen mal, jo falë fjalëve të mia, po falë bëmave të Sali Berishës.

Nuk janë fjalët e mia, po janë këto fakte, prova e dëshmi, që e ulën botërisht Shqipërinë këtë vit në rangjet e vendeve më të korruptuara të botës, nën Ruandën e Ugandën.

Sali Berisha nuk po qeveris në respekt të Kushtetutës, të ligjit dhe të barazisë së qytetarëve të këtij vendi përpara Kushtetutës e ligjit. Sali Berisha po sundon duke shkelur Kushtetutën, duke thyer ligjin dhe duke thelluar çdo ditë pabarazinë e padrejtësinë në vend për qëllime aspak të fshehura fitimi.

Të gjithë janë dëshmitarë të degradimit të përditshëm të kësaj qeverisjeje në një aktivitet fitimprurës për Familjen në Pushtet.

Konfliktet e rënda të pronësisë që janë zhvilluar në sytë e publikut kohët e fundit, janë vetëm pjesëza të shkëputura të batërdisë që është bërë e bëhet, larg syve të publikut, në llagëmet e pushtetit familjar të Sali Berishës, me pronat e Shqipërisë e të gjithë shqiptarëve.

Lejomëni të kthehem një çast mbrapa në historinë e përzishme të kthimit e kompensimit të pronës në Shqipëri.

Dikur, në vitin e largët 1995, u përgatit një projektligj që synonte të kalontë në pronësi të banorëve tokën bujqësore që u ishte dhënë në përdorim.

Madje pak më vonë, mu në nisje të fushatës zgjedhore, presidenti i asaj kohe Saliu i Parë, përgatiti një dekret, që saktësonte sasinë e tokës që do t'u jepej në pronësi njerëzve në zonat me përparësi turizmin - si për shembull zona Orikumit, ku ka shpërthyer sot një konflikt që interesat e Familjes në Pushtet, e kanë mbjellë së fundmi përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga Velipoja poshtë në Konispol, dhe rrezikon të dalë në sipërfaqe si një konflikt i madh shoqëror.

Për familjet me mbi 6 anëtarë, u ligjërua asokohe se sipërfaqja e kthyer do të ishte deri në 1500 metra katrorë.

Ky ishte Saliu i Parë, jepte gjithshka për pushtetin. Ndërsa Saliu i Dytë e do pushtetin për të marrë gjithçka.

Në një projektligj të ri, që sapo ka mbërritur në Kuvendin e zgjedhjeve të grabitura të 28 qershorit, ato 1500 metra tokë që s'u regjistruan kurrë në pronësi të njerëzve, janë katandisur vetëm 500 metra.

Sepse Familja në Pushtet, që deri tani ka ofruar, përmes sekserëve të saj, ndihmë për regjistrimin e tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore në këmbim të një pjese të pronës, mesa duket nuk është fare e kënaqur me përqindjen e derisotme të fitimit.

Kështu, me projektligjin e ri, Pushteti i Familjes kërkon të marrë një të tretën e tokës së çdo familjeje të varfër që ka 15 vjet që rropatet në ato 1500 metra, duke ëndërruar 15 vjet me rradhë dokumentin e premtuar me ligj nga Saliu, që mirë s'ua dha as Saliu, as Fatosi e as Iliri e as Fatosi prapë, po tani kthehet ëshë njëherë Saliu e do t'ua marrë për fare.

Batërdia me pronën, me pronarët e vjetër, me pronarët e rinj a me shtetin pronar qoftë, ka arritur sot një pikë ku jo vetëm s'e merr më vesh i pari të dytin, po ku shteti është kthyer me plot vetëdije në një makineri fallsifikimi për qëllimet e Familjes në Pushtet.

Ashtu siç është kthyer edhe arka e shtetit në xhepin e madh të Pushtetit të Familjes.

Me lekët e shqiptarëve, me taksat e tyre, Sali Berisha zhvilloi fushatën më hileqare elektorale në kurriz të këtij populli, nga tuneli i Kalimashit që u shemb prej makutërisë për para të paligjshme e pushtet të pamerituar, tek rrugët e ujësjellësat e fshatrave, që pas inaugurimit elektoral janë katandisur në gropa për fshatin e për buxhetin e shtetit.

Shteti s'ka lekë të paguajë vazhdimin e punimeve të filluara kudo kuturu për fushatë, ndërkohë që kompanitë e punëve publike të zhytura në borxhe, po shkurtojnë përditë vende pune duke shkuar drejt kolapsit e falimentimit.

Kjo gjendje skandaloze e buxhetit të të gjithë shqiptarëve, të cilët Sali Berisha i ka zhytur në një borxh të përbashkët që rritet çdo vit, përveç borxheve të pafundme në listat e dyqaneve, ka bërë që pushteti t'u turret egërsisht biznesve të mëdha e të vogla me gjoba e me rritje të papërballueshme detyrimesh.

Sipërmarrësit shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, ata që nuk ajnë në oborrin e familjes në pushtet, po futen përditë në tunelin e krizës ekonomike, të cilën duke e fshehur me papërgjegjshmëri për qëllimet e tij elektorale, Sali Berisha e ka rënduar jashtëzakonisht më shumë.

Sidomos biznesmenët e vegjël, që me vendimin arbitrar të kalimit në biznes të madh do të detyrohen të paguajnë TVSh e tatim fitimi qysh nga janari, i pret një Vit i Ri i pamëshirshëm me thuajse trefishim të barrës fiskale.

Ne jemi sot në krah të biznesmenëve shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, në krah të të gjithë biznesmenëve që nuk janë klientë të Pushtetit të Familjes. Të cilët vuajnë zhdukjen e çdo rregulli e parimi të konkurencës, vuajnë arbitraritetin shpeshherë banditesk të shtetit që i shqep me gjoba e detyrime aforfe sa herë i duhen lekë, vuajnë regjimin poshtërues të bakshishit për të ulur barrën e gjobës dhe pa diskutim vuajnë mospërfilljen njëzetvjeçare të pushtetit që kujtohet për ta vetëm kur kërkon vota.

Por ne ndjehemi sot të detyruar jo vetëm të jemi solidarë, por edhe të hidhemi në betejë, për të shpëtuar biznesin e vogël të qyteteve tona nga falimentimi masiv, për të shpëtuar dhjetëra mijëra familje që jetojnë me biznesin e tyre të vogël nga papunësia e rrënimi ekonomik, për të shpëtuar gjithashtu buxhetet tona lokale ku biznesi i vogël jep kontributin e vet të paçmueshëm, duke mundësuar që çdo qytet normalisht të pastrohet, ndriçohet, gjelbërohet.

I kemi bërë një Apel Publik Sali Berishës, për ta kthyer mbrapsht vendimin ogurzi të futjes së bizneseve të vogla nën regjimin e TVSh-së e të tatim fitimit në këtë kohë krize.

I kemi dhënë afat deri në 5 dhjetor.

Ftojmë çdo biznes të vogël të bëhet pjesë e protestës sonë për të ndaluar falimentimin e tij.

Të harruarit e të nëpërkëmburit e viteve të lirisë pa demokraci, janë edhe më të harruar e të nëpërkëmbur pas katër vjetësh nën pushtetin e Saliut të Dytë.

Teksa biznesi vuan shtrëngimin e lakut të krizës së gjithanshme, edhe më keq se ç'ishin janë veteranët e luftës, janë të përndjekurit e rregjimit të Enverit dhe të Saliut, janë ushtarakët e liruar e minatorët, janë peshkatarët e bujqit.

Janë të gjithë ata shqiptarë që mbijetojnë në rradhë të parë falë fëmijëve emigrantë, përballë pamundësisë për të nxjerrë atë që ju duhet për të përballuar faturat, që bëhen vazhdimisht më të shtrenjta, ndërkohë që pas rritjeve të rrogave për ata që e kanë një punë, menjëherë kërcejnë edhe më shumë çmimet e papërballueshme.

Sali Berisha i grabiti zgjedhjet për të grabitur më tej Shqipërinë.

Ne kemi ardhur sot këtu, më të shumtë se kurrë, për të çuar përpara një lëvizjeje të madhe popullore kundër një regjimi korrupsioni që ka vjedhur zgjedhjet, ka uzurpuar parlamentin, ka mbytur drejtësinë, ka deformuar mediat, ka grabitur pronat, ka shkatërruar konkurencën, ka rrënuar ekonominë, ka goditur shpresën e besimin e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që jetojnë jashtë mureve të oborrit të pushtetit të familjes.

Kjo lëvizje qytetarësh që bashkohen jo nën flamurin e një partie të vetme, as në një krah të vetëm të politikës, po në kërkesën për të hapur kutitë e së vërtetës së 28 qershorit dhe bërë transparencën e plotë të atyre zgjedhjeve, nuk është një lëvizje që pengon integrimin evropian, po një lëvizje për një Shqipëri Evropiane këtu në atdheun tonë.

T'i vijë turp Sali Berishës që na akuzon se nuk duam Evropën, nuk duam vizat, nuk duam integrimin.

Ai që deri në moshën time ka qenë një armik i betuar i botës perëndimore, sekretar servil i partisë së diktatorit komunist, nuk mund të hiqet sot sikur ka monopolin e dashurisë për Evropën.

Sali Berisha nuk është përshpejtuesi, po përgjegjësi kryesor për vonesën historike të Shqipërisë në rrugën drejt NATO-s e Bashkimit Evropian.

Ishte pikërisht Sali Berisha që e çoi këtë vend në humnerën e piramidave, duke e nxjerrë totalisht Shqipërinë nga binarët e integrimit drejt NATO-s e BE.

Është përsëri Sali Berisha përgjegjësi kryesor edhe për vonesën e pajustifikueshme të Shqipërisë sot, që kemi mbetur të fundit në Evropë, qoftë për heqjen e vizave, ku na e kaloi edhe Serbia, qoftë për aplikimin për t'u bërë vend kandidat për BE, ku kemi mbetur bashkë me Serbinë - sepse Serbia ka kriminelë lufte të padorëzuar, kurse ne kemi Saliun në krye të një qeverie të kthyer në kompani fitimprurëse për familjen e vet e për oborrin e shërbëtorëve të saj.

Integrimin nuk e pengon bojkoti ynë, por e pengojnë pikërisht arsyet të cilat na shtynë ne ta ndërmarrim këtë rrugë të vetme që na la ky regjim i korruptuar, për të shtruar për zgjidhje, njëherë e mirë, një problem të rëndë shqiptar si zgjedhjet e deformuara.Â

Historia na ka mësuar se nga cënimi i zgjedhjeve fillon cënimi i të gjitha lirive e të drejtave të tjera.

E përditshmja jonë na tregon, se po nuk e bëmë votën tonë të paprekshme nga pushteti, pushteti do të na prekë në çdo liri e të drejtë tonën.

Ky problem njëzetvjeçar, që në 28 qershor u shfaq në një formë thuajse mafioze, ku shteti u bë njësh me pushtetin, krimi u vu në shërbim të shtetit dhe paraja e zezë u derdh lumë për riciklimin e pushtetit, është një problem që nuk zgjidhet duke e mbuluar sa herë ka zgjedhje me fjalinë, "këto zgjedhje ishin më të mira se të tjerat po prapë s'ishin aq të mira sa duhet për t'u quajtur me standarde".

Ky problem nuk zgjidhet as duke hyrë ne këtë herë pa kushte në parlament dhe duke e kthyer opozitën e vendit në një dekor demokratik brenda Kuvendit të dalë me vota "të numëruara keq ose shumë keq në një të tretën e tyre".

Futja e opozitës në parlament në këto kushte të rënda të demokracisë dhe pa asnjë kusht për pakicën në pushtet, do të ishte mbyllja pa kushte e një problemi që jo vetëm nuk do të zgjidhet, por do të rishfaqet në një formë edhe më mafioze në zgjedhjet e ardhshme.

Transparenca dhe vetëm transparenca për atë që ka ndodhur, ndalon përsëritjen e asaj që ndodhi.

Miqtë tanë ndërkombëtarë kërkojnë me plot të drejtë që opozita të jetë në parlament.

Edhe ne duam të jemi në parlament. Por jo për t'i vënë kapak një historie të shëmtuar manipulimesh dhe për t'i hapur rrugë përsëritjes së saj në zgjedhjet e ardhshme.

Po ta bënim këtë do të bëheshim thjesht bashkëfajtorë për të djeshmen e të nesërmen e zgjedhjeve në Shqipëri dhe do të pranonim se parlamenti është vendi ku bëhen ligje që nuk zbatohen.

Protesta jonë është në thelbin e saj një protestë për të vendosur forcën e ligjit mbi ligjin e forcës.

Kutitë e mbyllura të votimit nuk janë i vetmi problem i zgjedhjeve të shkuara. Ato janë simboli i protestës sonë dhe shëmbëlltyra e pushtetit të vjedhur që ka dalë prej tyre.

Kutitë e votimit janë mbyllur me forcë në kundërshtim me interesin e qytetarëve dhe mbahen mbyllur forcërisht për interesat e pushtetarëve.

Ne duam që ato të hapen me forcën e ligjit dhe jemi gati të hyjmë në parlament për t'i hapur ato. Me ligj jo me forcë.

Por ne s'kemi çfarë bëjmë në një parlament të ngritur mbi kutitë e mbyllura, ku shumica na thotë që nuk ka fuqi ligjore për t'i hapur ato kuti, të cilat në fakt janë pronë e publikut jo sekret shtetëror.

Asgjë e ligjshme nuk i pengon, madje të gjitha rrethanat i detyrojnë përfaqësuesit e popullit t'i hapin në sytë e publikut kutitë e 28 qershorit. Të cilat nuk hapen vetëm për arsyet e paligjshme të pushtetit të Sali Berishës, që urdhëroi shkeljen e ligjit për hapjen e kutive nga KQZ-ja, nënshtroi me presion gjykatën zgjedhore, për të mos u hapur kutitë, dhe forcërisht ndalon sot miratimin e një ligji për hetimin e zgjedhjeve duke filluar nga kutitë.

Në këto kushte ne jo vetëm nuk hyjmë në parlament, por do të përshkallëzojmë protestën tonë, që nuk do të mbarojë as sot as nesër.

Sali Berishës duhet t'i vijë turp, jo vetëm që i friket të vërtetës së atyre kutive si çdo vjedhacak i rëndomtë që trembet nga hija e tij, por duhet t'i vijë turp që po turpëron parlamentin e qeverinë e Shqipërisë, duke mos bërë as aq sa u bë edhe në Afganistanin kaotik, ku ne jemi pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s.

Hapen kutitë në Afganistan për rinumërim votash, sepse e kërkon opozita, dhe nuk hapen kutitë e votave në Shqipëri ku opozita kërkon jo rinumërim për efekt mandatesh, po transparencë për të garantuar njëherë e mirë rendin zgjedhor në këtë vend. Turp!

Nuk ka më turp!

Por këtë turp le ta mbajë ai, Sali Berisha, i cili e ka urdhëruar e orkestruar turpin e grabitjes së zgjedhjeve, turpin e manipulimit të procesverbaleve e të listave të votuesve në ditën e votimit, turpin e korruptimit të komisionerëve përmes parasë së zezë dhe të nxjerrjes së vrasësve e të trafikantëve nga burgjet për të dekurajuar daljen në votim të njerëzve të opozitës, turpin e kthimit me pahir në kope mitingjesh të nxënësve e mësuesve edhe në ditë pushimi, turpin e përdorimit të ndihmës ekonomike si ndihmë skllavëruese për varfanjakët e detyruar të votojnë pushtetin, turpin e zbrazjes së arkës së shtetit e të zhytjes në borxh të të gjithë shqiptarëve për të përballuar shpenzimet elektorale të familjes në pushtet, turpin e hapjes së gënjeshtërt të tunelit të Rrugës së Kombit për të fituar zgjedhjet duke u faturuar shqiptarëve disa qindra miliona euro shtesë nga shembja e tunelit për shkak të marrëzisë së inaugurimit jashtë çdo logjike teknike dhe jashtë çdo leje nga vetë ekspertët.

Ne jetojmë në mes të Evropës dhe duam që të jetojmë si në Evropë, ku asnjë qeveri nuk do të guxonte të parafytyronte turpe të tilla dhe asnjë qytetar nuk do të rrinte duarkryq përpara një pushteti të tillë.

Më pyesin shpesh njerëzit pse miqtë e partnerët tanë evropianë i tolerojnë këto gjëra që kurrë nuk do t'i pranonin në vendet e tyre?

Miqtë e partnerët tanë evropianë nuk kanë për detyrë të zgjidhin problemet tona, nuk janë këtu as për të qeverisur Shqipërinë as për t'i bërë opozitë qeverisë. Ata e kanë ndihmuar e do ta ndihmojnë Shqipërinë pavarësisht se kush është në pushtet dhe kush në opozitë.

Por ne kurrë s'do të kemi një Shqipëri Evropiane këtu, në atdheun tonë, në rrugët, shkollat, spitalet e vendit tonë, në gjykatat e në institucionet tona, në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, në qoftë se nuk e ndërtojmë vetë këtë Shqipëri që duam.

Ne nuk do të kemi kurrë po ashtu zgjedhje të lira e të ndershme si një vend evropian, në qoftë se nuk luftojmë vetë për lirinë e ndershmërinë e tyre.

Dhe ne do të luftojmë me të gjithë forcën e zemrës, mendjes e trupit tonë, duke u frymëzuar nga shembujt e lavdishëm të betejave për zgjedhje të lira e të ndershme në Evropën ku sot, miqtë e partnerët tanë, jetojnë pa ankthin e manipulimit të zgjedhjeve dhe pa barrën e pushteteve të vjedhura, pikërisht se ato beteja i kanë zhvilluar e fituar me kohë.

Kutitë e votimit nuk na i mbajnë mbyllur miqtë tanë evropianë dhe as nuk do të na i hapin ata.

Kutitë e mbyllura të 28 qershorit i mban mbyllur Sali Berisha dhe duhet t'i hapë Sali Berisha.

Thirrja jonë për Sali Berishën, thirrja e të gjithë popullit opozitar dhe e çdo qytetari demokrat që nuk druhet nga e vërteta, nga transparenca, nga hetimi ligjor parlamentar, është:

Mos u fshih as pas integrimit, as pas ndërkombëtarëve, as pas atij mikut të huaj që të del në ëndërr dhe të thotë, "Sali mos hap kutitë se të ndalon ligji!", po hapi kutitë përpara sesa populli sovran të të detyrojë të largohesh bashkë me kutitë!

Sepse në qoftë se Parlamenti s'ka forcë të bëjë një ligj për të hapur kutitë, atëherë s'ka as pse vetë Parlamenti të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura.

Në qoftë se qeveria s'ka kurajë të bëjë bashkë me opozitën transparencën e zgjedhjeve, duke hapur kutitë në sytë e publikut për të marrë të gjitha masat ligjore, që çdo shkelës i ligjit në këtë proces zgjedhor të çohet para drejtësisë dhe çdo përmirësim ligjor të bëhet nga parlamenti, atëherë s'ka as arsye që vetë qeveria të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura.

Shkurt e troç:

Në qoftë se kutitë do të mbahen forcërisht të mbyllura, ne do të kërkojmë me forcë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.

Me protesta të pandërprera, kudo, për çdo arsye që lidhet me çdo detyrë të qeverisë, ne do të kërkojmë që qeveria të largohet.

Sepse një qeveri që i mohon popullit lirinë e plotë për të zgjedhur me votën e tij, që u shkel qytetarëve të saj të drejtën e barazisë para ligjit të zgjedhjeve dhe që nuk u jep zgjedhësve lirinë e të drejtën, të shohin në dritën e diellit çfarë ka në kutitë e votave të tyre, është një qeveri që populli jo vetëm nuk ka detyrimin ta mbajë në kurriz, po çdo qytetar ka të drejtën ta luftojë për ta hequr nga kurrizi.

Demokracia është asgjë më shumë sesa forca e të vërtetave, të cilat konkurrojnë lirisht, për një pushtet që është gjithmonë i përkohshëm dhe që është pa pushim nën trysninë e konkurrencës së lirë.

Ndërsa regjimi i grabitjes së gjithçkaje përmes grabitjes së votës, i shkatërrimit të vlerave të lirisë dhe i poshtërimit të parimeve të demokracisë, që po instalohet fort në Shqipëria dita-ditës, nuk ka të bëjë asgjëkundi me demokracinë dhe me qytetarët, por vetëm me kusarinë e me pushtetarët.Â

Këto regjime që s'duan të dëgjojnë, po vetëm të sundojnë, kanë vetëm një ilaç:

Protestën popullore!

Për lirinë e munguar, të dalim në rrugën e protestës.

Për dinjitetin e cënuar, të dalim të rrugën e protestës.

Për jetën e shtrenjtuar, të dalim në rrugën e protestës.

Kjo protestë është më shumë sesa beteja politike e një pale, është shumë më shumë sesa interesi për pushtet i një partie apo një koalicioni partish, është shumë më shumë sesa e majta dhe e djathta.

Kjo protestë është një e drejtë dhe detyrim që shkon përtej të majtës e të djathtës.

Ashtu siç është vetë Shqipëria përtej të majtës e të djathtës.

Ashtu siç janë vetë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut përtej të majtës e të djathtës.

Ashtu siç është shteti demokratik përtej të majtës e të djathtës.

Të protestojmë me force, të gjithë pa dallim, qytetarë dhe qytetare, sepse Shqipërinë Evropiane nuk mund ta bëjnë grabitësit e zgjedhjeve, nuk mund ta bëjnë grabitësit e pronave, nuk mund ta bëjnë grabitësit e arkës së shtetit.

Shqipërinë Evropiane mund ta bëjë vetëm liria e drejtësia, barazia e të gjithëve përpara ligjit dhe mundësia e barabartë për secilin në hapësirën e lirë të konkurrencës.

Nuk ka Shqipëri Evropiane pa lirinë e të gjitha lirive që është liria e votës dhe nuk ka drejtësi në Shqipëria pa të drejtën për të votuar lirisht dhe që vota të numërohet lirisht.

Ja pse jemi sot këtu në këtë shesh! Ja pse do të jemi nesër këtu! Ja pse e ardhmja fillon këtu, ashtu siç shkruhet në faqen e parë të Librit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Po vjen ora që populli të rimarrë në dorë fatin e tij.

Mirënjohje të gjithëve ju. Mirënjohje çdo burri dhe gruaje që ka ardhur sot në këtë bulevard, që është i jashtëzakonshëm si asnjëherë. Faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje që na ndjek e mbështet nga çdo skaj i Shqipërisë dhe nga jashtë kufijve të saj, aty ku jetojnë e punojnë 1 milion e gjysmë shqiptarë që e mbajnë gjallë, qindra mijëra familje. Mirënjohje të gjithëve dhe faleminderit me gjithë zemër.

(*) Fjala e mbajtur në tubimin e opozitës më 20 nëntor

KOMENTE