English

Konflikti me OSSH dhe Entin Rregullator, Prifti i del në mbrojtje çekëve që të rritet çmimi

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 21 Nëntor NOA - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), Dritan Prifti, ka dalë në mbështetje të kompanisë OSSH, e cila kërkon që të pranohet niveli i humbjeve në rrjet prej 35.7%, shifër kjo 3% më e lartë se niveli zyrtar.

Deklarata e Prifti, u bë sot në konferencën e rregullt për shtyp që ai zhvilloi me mediat në selinë e tij ministrore.

Por kjo kërkesë e mbështetur sot publikisht nga Prifti, është hedhur poshtë nga Enti Rregullator i Energjisë, si e paargumentuar duke hapur në këtë mënyrë konfliktin e parë mes çekëve të OSSH-së dhe shtetit shqiptarë.

Sipas ministrit është e përcaktuar në kontratën e privatizimit që humbjet do të vendosen nga një kompani audituese e pavarur, gjë të cilën OSSH e ka bërë.

Por në rast se do të pranohet niveli i humbjeve aq sa e kërkon kompania private, atëherë edhe tarifat e energjisë që do të vendosen do të jenë më të larta.

Ky konflikt pritet të përfundojë në gjykatë dhe sipas Priftit, në rast se palët do t'i drejtohen drejtësisë, probabilitetin për të fituar do ta ketë kompania private OSSH.

"Unë, - tha Prifti, nuk mund dhe nuk kam pse të ndërhyjë në këtë situatë".

Konflikti duket se nuk ka kaluar në heshtje nga kompania që privatizoi OSSH.

Pak ditë më parë drejtuesi më i lartë çek mbërriti në Tiranë ku kërkoi mbështetje politike të qeverisë shqiptare për rritjen e çmimit të energjisë.

Në takimin që ai pati me shefin e qeverisë, Berisha, kreu i bordit drejtues çek kërkoi që të ketë pranim të shifrave që paraqet OSSH lidhur me nivelin e humbjes. E gjitha kjo, bëhet me qëllim që OSSH të arrijë rritjen e dëshëruar të çmimit për kilovat/orë të energjisë elektrike.

OSSH ka aplikuar që tarifat për familjarët të rriten mbi 20 për qind duke nisur nga 1 janari i vitit 2010.

Në fund të këtij viti Enti Rregullator i Energjisë (ERE), ka paralajmëruar se do të përcaktojë se sa do të jenë tarifat duke nisur nga viti i ardhshëm për abonentët familjarë dhe të tjerë. r.l/r.b/NOA

KOMENTE