English

Rama replikon me Berishën, deklaron mostërheqje nga protesta para Kryeministrisë

Tiranë, 21 Nëntor NOA - Situata politike në vend po vijon të bëhet edhe në e nxehtë pasi kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka replikuar në distancë me Berishën dhe paralajmëruar atë se protesta para Kryeministrisë do të vazhdojë.

Rama, reagoi për deklaratën e Berishës se nuk do të ketë dalje mbi gjykatat dhe vlerësoi se "Kryeministri fyen një popull të tërë duke thënë "Edhe Enver Hoxhën po ta zgjosh nga varri, nuk mund të hapen kutitë".

"Ne jemi të qartë për atë që kërkojmë dhe kryeministri nuk na dikton dot nga kërkesat tona".

I bëjmë thirrje kryeministrit të pranojë hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit, të bëjë transparencën e plotë të procesit, të hapë kutitë e votimit", - kërkoi Rama.

Duke përfunduar, Rama tha se protesta e mbrëmshme, ishte vetëm fillimi i fundit të qeverisë.

Reagimet e Ramës erdhën pak pasi sot në mesditë, Kryeministri duke folur nga Kruja për protestën e opozitës, i bëri thirrje Ramës të lërë tubimet dhe të shkojë në Kuvend.

Berisha ka lëshuar dhe garancinë e fortë për faktin se nuk do të ketë rihapje kutish pasi gjyqësori e ka dhënë verdiktin: "Edhe Enver Hoxhën po ta zgjosh nga varri, harroje se mund të ndryshosh vendimin e gjykatave të këtij vendi të lirë"

Në këtë pikë, Berisha lëshoi edhe një herë tjetër një ftesë ndaj kryetarit të PS për bashkëpunim: "Nga vendi i Skënderbeut, i them Edi Ramës se jam i hapur për bashkëpunim, por jo me kocka mafioze të tipit "Gramoz Ruçi".

Në vijim, duke folur për zhvillimin e vendit, Berisha u tha të pranishmëve se "në këtë vit, që nga koha e Skënderbeut, ne shënuam hapat më të mëdha në drejtim të integrimit tonë".

Këto pohime, Berisha i bëri ndërsa ishte në Krujë, ku përuroi aksin Krujë-Sarisaltik, i cili vlerësoi se kjo rrugë do t'i japë gjallëri kësaj zone si për pelegrinazhin në teqenë e Sarisalltikut, ashtu edhe për mundësitë e zhvillimit të turizmit.

/a.a/r.b/NOA/

KOMENTE