English

Berisha, mesazh Ramës: Ultimatumin tënd do ta kthej në festë popullore

Krujë, 24 Nëntor NOA Update - Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi sot socialistët dhe pjesëtarë të tjerë të opozitës me në krye Edi Ramën se ultimatumi do të ketë si përgjigje 8 dhjetorin kur premtoi se do të ketë një festë të madhe.

"Ju ftoj të festojmë së bashku me 8 dhjetor, sepse ne meritojmë të festojmë sepse kemi bërë një rrugë të gjatë, të lodhshme, të mundimshme e të vështirë, por të  suksesshme, dinjitoze, të ndershme, optimiste", - tha Berisha.

Duke bërë një paralele të qartë me thirrjet e Ramës në rrethe që të bashkohen me tubuesit në Tiranë, Berisha bëri ofertën e kundërt për banorët e Kurbinit:

"Më datën 8 dhjetor, qytetarët e Gurrëzit, Kurbinit, Fushë-Milotit, Lezhës dhe të mbarë Shqipërisë do të festojnë në Tiranë, ditën e idealit të tyre europian, ditën e krenarisë së tyre të madhe, ditën që studentët liberatorë, të mbështetur nga qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, u përballën nëpër rrugët e Tiranës, me diktaturën më të egër të planetit dhe e gjunjëzuan atë".

Kurse argumentoi se "më 8 dhjetor, ne festojmë krenarë, sepse festojmë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s;Â ne festojmë krenarë si qytetarë të një vendi që u vendos përfundimisht për t'u pranuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian; ne festojmë si qytetarë të një vendi që brenda disa muajve, vitin e ardhshëm do të lëvizim të lirë pa viza në tërë kontinentin. Këto i kemi realizuar bashkërisht, i kemi realizuar me mund dhe sakrifica dhe duhet të jemi krenarë për realizimet tona".

Deklaratat e kryeministrit u bënë pasditen e sotme kur përuroi përfundimin e rikonstruksionit e rrugës Fushë Milot-Gurrëz, në rrethin e Kurbinit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 100 milionë lekë. Â

Berisha theksoi se "vota juaj e 28 qershorit nuk pranohet, nuk njihet nga një aleancë punisto-mafioze, nga një grup miliarderësh mafiozë, të cilët menduan se, duke mobilizuar dhjetëra e dhjetëra milion euro në zgjedhje, do të mund të blinin pushtetin tuaj. Por atë nuk e realizuan dot dhe tani na kërkojnë të heqim gurin e themelit të kësaj ndërtese, të anulojmë me politikë vendimin e gjykatave apo ta shqyrtojmë atë".

Në përfundim, Berisha lëshoi mesazhin e qartë: "Unë jam këtu për t'ju siguruar juve se ultimatumeve të tyre, ne do t'u përgjigjemi me rrugë të reja; ultimatumeve të tyre, ne do t'u përgjigjemi me shkolla të reja për këta fëmijë; ultimatumeve të tyre, ne do t'u përgjigjemi me heqjen e vizave për secilin prej jush dhe lëvizjen tuaj të lirë; ultimatumeve të tyre, ne do t'u përgjigjemi me garancinë e protestës për ata dhe për çdo qytetar shqiptar. Ju garantoj ju se aleanca punisto-mafioze do të marrë përgjigjen më të merituar ligjore. Dhe një ditë ultimatumin e tyre do ta gjejnë si të dhjetat e aleancës së tyre".

Berisha në fjalën e tij siguroi se zgjedhjet e 28 qershorit janë zgjedhjet e historisë dhe shtoi:

"Ato jo vetëm janë zgjedhjet më të lira, më të mira dhe të ndershme që ka pasur ndonjëherë vendi, por ato mandatuan në pushtet forcën integruese, lokomotivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian".

"Votën tuaj të 28 qershorit e ka vlerësuar lart mbarë bota e qytetëruar; e kanë vlerësuar lart të gjitha vendet anëtare të NATO-s, të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian; e kanë vlerësuar lart Parlamenti Europian, Këshilli i Evropës, Asambleja Parlamentare e OSBE-së dhe ka gëzuar të gjithë miqtë e këtij vendi, kudo në botë", - theksoi shefi i qeverisë.

e.r/NOA

Â

KOMENTE