English

Shqipëria dhe Italia lançojnë së shpejti partneritetin strategjik mes dy vendeve

Tiranë, 24 nëntor NOA - Kryeministri, Sali Berisha priti sot Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, ambasadorin Mario Bova, i cili shoqërohej nga ambasadori italian në Tiranë, Saba D'Elia.

Në takim, u diskutua nisma e fundit e të dy qeverive për përgatitjen e partneritetit strategjik midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, i cili parashikon ngritjen në një stad të ri edhe më të lartë e më të konsoliduar të marrëdhënieve të ngushta e të shkëlqyera midis dy vendeve dhe dy qeverive dhe bashkëpunimit shumë dimensional midis dy vendeve.

Partneriteti strategjik, i cili pritet të lançohet nga dy kryeministrat Berisha dhe Berluskoni në fillim të vitit 2010, përfshin organizimin e samiteve të niveleve më të larta politike në mënyrë të përhershme e periodike, forumeve ekonomike, eventeve kulturore dhe artistike, të mbështetura nga një kuadër edhe më i gjerë dhe i sofistikuar ligjor dhe institucional, i cili do t'i shërbejë forcimit të mëtejshëm të miqësisë dhe lidhjeve të ngushta ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe do të zgjerojë dhe thellojë bashkëpunimin dypalësh ekonomik, tregtar, në fushën e turizmit, mbrojtjes së mjedisit, kulturës, në fushën e mbrojtjes etj., në të mirë të progresit, zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe prosperitetit të të dy vendeve, si dhe do të japë një kontribut shtesë në përshpejtimin e hapave të mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjithashtu, partneriteti strategjik merr parasysh angazhimin e të dy vendeve për të intensifikuar kontributin e tyre në të gjitha nismat me karakter rajonal.

Në takim u shpreh edhe një herë interesi i madh i të dy vendeve për projektin e rëndësishëm infrastrukturor të Korridorit 8-të, i cili do të sillte një kontribut të ri në zhvillimin ekonomik, në rritjen e shkëmbimeve tregtare e të gjithanshme ndërmjet vendeve të rajonit, si dhe do të forconte miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve të këtyre vendeve.

k.k/NOA

Â

KOMENTE