English

Kërkesa tronditëse e OSSH: Vitin e ardhshëm, çmimi të rritet 44.2 për qind

Nga Rajmonda Lajthia rajmondalajthia@noa.al

Tiranë, 25 nëntor NOA - Qytetarët shqiptarë rrezikohet shumë që të përballen vitin e ardhshëm me rritjen më të madhe të çmimit të energjisë.

Tre kompanitë në vend, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, ai i Transmetimit dhe Prodhimi kanë publikuar kërkesën për rritje të tarifave.

Kërkesa që ka ndikimin më të madhe të konsumatorët është ajo e kompanisë çeke OSSH, e cila propozon një rritje prej 44.2%, që parashikohet të shtrihet në dy vite.

Gjatë 2010-ës propozohet që rritja të jetë 23.1% ndërsa pjesa tjetër të aplikohet një vit më pas.

Por çekët i propozojnë Entit Rregullator që të shmangë tarifimin me dy nivele.

Bazuar në këto shifra një familje i duhet të paguajë 10 lekë për kilovat orë çmimin e energjisë pa llogaritur edhe 20% TVSH.

"Ne kemi aplikuar për një rritje prej 44.2%, nga e cila 23.1 të vendoset në vitin e ardhshëm. Në argumentet tona vlerësojmë se faturimi me blloqe nuk është efiçent dhe me këtë propozim ne duam të japim sinjalin e qartë që të gjithë duhet të paguajnë për kostot. Viti 2009 po mbyllet me një bilanc negativ, humbjet në rrjet janë më të larta se ato që janë deklaruar, pra situatë aktuale financiare është larg situatës optimale", - shprehet Josef Hejsek, drejtor i përgjithshëm i OSSH.

Aktualisht çmimi është 7 lekë për ata që konsumojnë 300 kv dhe 12 lekë për ata që e kalojnë këtë kufi. Por megjithëse detyrimi ligjorë është që kompania të pajiset me matësja të gjithë abonentët deri në fund të këtij viti, sërish ky afat nuk është respektuar nga çekët, edhe pse e kanë marrë drejtimin e shoqërisë në qershor të këtij viti.

Janë mbi 100 mijë abonent të cilët nuk kanë sahate. Përfshirja e tyre në skemë do të ndikonte direkt në të ardhurat e kompanisë.

Enti Rregullator i Energjisë dëgjoi tre kompanitë me argumentet e tyre për të rritur tarifat. Bordi i Komisionerëve, tha se do të vendosë në 15 dhjetor 2009 se sa do të jenë çmimet e reja.

r.l/NOA

KOMENTE