English

Dhuna ndaj grave, presidenti Topi takohet me përfaqësuese të 6 shoqatave

Tiranë, 26 nëntor NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot paradite, në kuadër të 16 ditëve të sensibilizimit kundër dhunës ndaj grave, përfaqësuese të gjashtë shoqatave, pjesë e Rrjetit të Fuqizimit të Grave Shqiptare, konkretisht të Qendrës Sociale për Gra e Vajza-Durrës, të Qendrës "Forumi i Gruas"- Elbasan, të Qendrës "Gruaja tek Gruaja"-Shkodër, të Qendrës "Unë Gruaja Pogradec", të Qendrës Psiko Sociale "Vatra"-Vlorë dhe të Qendrës "Aleanca Gjinore për zhvillim"-Tiranë.

Gratë përfaqësuese të këtij Rrjeti i shprehën Presidentit të Republikës mirënjohjen për pritjen, por edhe mbështetjen që ka dhënë vazhdimisht nëpërmjet mesazheve publike për gratë dhe vajzat.

Ato bënë një prezantim të detajuar të aktivitetit konkret të tyre në drejtim të sensibilizimit kundër dhunës ndaj grave e vajzave, por dhe mbështetjes e mbrojtjes së viktimave të kësaj dhune, në bashkëpunim me organizma të huaja që veprojnë në Shqipëri.

Gratë vunë në dukje si shqetësim mungesën e zbatimit të legjislacionit për barazinë gjinore e kundër dhunës e trafikimit të grave e vajzave, mungesën e shërbimit ligjor falas për këtë kategori, mungesën e zbatimit të vendimeve gjyqësore nga ana e zyrave të përmbarimit si dhe mungesën e mbështetjes financiare nga shteti për aktivitetin mjaft intensiv të shoqatave të tyre. Presidenti i Republikës vlerësoi kontributin e këtyre shoqatave, e veçanërisht motivimin që ato kanë me rolin e tyre mjaft aktiv në këtë proces sa impenjues aq edhe të vështirë. Kryetari i Shtetit i garantoi përfaqësueset e këtij Rrjeti për mbështetjen Institucionale në drejtim të sensibilizimit të strukturave të gjyqësorit për shmangien e problemeve që hasen në trajtimin e këtyre rasteve të dhunës dhe i inkurajoi në këtë mision të çmuar që mbështet një kategori të ndjeshme të shoqërisë shqiptare, për të cilën duhet një angazhim sa më i madh e gjithëpërfshirës.

k.k/NOA

KOMENTE