English

Rama reagon pas deklaratave të Berishës: Më ka sharë me libër shtëpie

Tiranë, 26 Nëntor NOA - "Në vigjiljen e një feste të madhe fetare Sali Berisha hyri në shtëpitë e shqiptarëve me një shkulmë të pafre shpifjesh e sharjesh në adresën time, që shqip do të quhej me libër shtëpie e shoqërie dhe më tej akoma, deri në akuza monstruoze për krime e lidhje me kriminelë".

Ky ishte reagimi i parë që bëri mbrëmjen e sotme kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, pas fjalës së kryeministrit pak orë më herët në seancën plenare të Kuvendit.

Rama vlerësoi se Berisha kërcënoi opozitën e mediat opozitare me një gjuhë që na turpëroi të tërëve si shqiptarë për kryeministrin që kemi në vitin 2009 në mes të Europës.

"Nuk do të hyja unë pas tij në ekranet tuaja sonte dhe aq më pak do të bëja replikë në këtë orë me njeriun e dalë jashtë çdo kontrolli të vetvetes në këtë vigjilje feste, sikur i tërë ai shfrim shtazarak të lidhej thjesht me mua e me të gjallët e të vdekurit e familjes sime. Të cilët prej dhjetë vjetësh Sali Berisha i thërret në gjuhën e tij sa herë nuk i dalin hesapet e veta me këtë popull", - tha kreu i PS.

Ai sqaroi se vendosi të reagojë sonte sepse "dua të ndaj me të gjithë ju shqetësimin për ekuilibrin mendor të njeriut që ka në dorë qeverinë e Shqipërisë në këto orë të vështira për vendin, për demokracinë, për shtetin e së drejtës, për ekonominë shqiptare".

Për Ramën vendi është në udhëkryq, demokracia është në rrezik, shteti i së drejtës ka rënë dhe ekonomia shqiptare po falimenton.

"Dhe ne të gjithë drejtohemi nga një njeri që, bashkë me ekuilibrin mendor, ka humbur vetë aftësinë për t'i fshehur ato që fatkeqësisht mendon me të vërtetë për demokracinë, për lirinë e të drejtat e njerëzve në Shqipëri, për opozitën, për të gjithë ata që thjesht nuk e duan për të parin e vendit dhe për vetë normat më elementare të edukatës qytetare", - tha Rama, duke i kthyer kështu reston Berishës që e akuzoi se po kurohet nga skizofrenia.

Më tej Rama tha se Berisha e ka të kotë "gjithë atë angazhim të fshehtë për të tentuar edhe manipulimin e kutive në depot ku i mban".

Për Ramën, Berisha nuk i ikën dot ballafaqimit me të vërtetat e qeverisjes së tij, duke iu drejtuar nga foltorja e parlamentit nënës time.

Më përfundim të reagimit të tij, Rama siguroi se "populli i opozitës, pa asnjë dyshim e kthim mbrapa, do t'ia kërkojë Berishës deri në fund llogarinë e zgjedhjeve të 28 qershorit".

e.r/NOA

Si lindi reagimi: Berisha i premton Ramës: Do përballem me ty me të njëjtin vullnet që u përballa në vitin 91

Berisha: Rama, çfarëdo që të ndodhë në këtë vend, përgjegjës do jesh ti dhe vetëm ti

KOMENTE