English

Berisha: Mafias shqiptare nuk i intereson heqja e vizave dhe as anëtarësimi në BE

Pogradec, 27 nëntor, NOA - Ashtu si edhe një ditë më parë nga foltorja e Kuvendit, edhe ditën e sotme kryeministri Berisha është shfaqur mjaft i ashpër me deklaratat e tij ndaj opozitës dhe kryetarit të saj.

Gjatë një ceremonie inaugurimi nga qyteti i Pogradecit, kreu i qeverisë ka lëshuar akuzat e tij publike ndaj opozitës për pengesat e qëllimshme që po shfaq lidhur me procesin e liberalizmit të vizave.

Duke deklaruar se mafias shqiptare nuk i intereson heqja e vizave për shqiptarët ai e vijoi më tej këtë argument, duke pohuar se asaj nuk i interesoka as vetë anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Më tej, kryeministri ka premtuar para të pranishmëve se qeveria e tij do të bëjë maksimumin për të përmbushur qëllimin që i ka vënë vetes, atë të heqjes së regimit të vizave gjashtë muajt e parë të vitit të ardhshëm, e se për këtë nuk ka për ta penguar askush, duke nënkuptuar në këtë rast, opozitën dhe kreun e saj.

Ndërkaq, duke përfituar nga rasti, kryeministri nuk ka harruar as të urojë besimtarët muslimanë për ditën e Kurban Bajramit.

Nga xhamia e qytetit të Pogradecit, ku ai ndodhet për vizitë ka uruar që festa e ardhshme e Kurban Bajramit t'i gjejë ata me ëndrra të realizuara.

"Urime besimtarëve shqiptarë, urime në ditën e sakrificës më sublime", e ka cilësuar kreu i qeverisë këtë ditë.

a.ymeraj/NOA

KOMENTE