English

Berisha në Pogradec: Mafia ka tmerr nga liberalizmi i vizave

Pogradec, 27 nëntor NOA - Kryeministri, Sali Berisha inauguroi sot rikonstruksionin e rrugës së fshatit Lin në Pogradec.

Duke përshëndetur banorët e pranishëm, kryeministri Berisha i siguroi ata se qeveria do të bëjë çdo investim që Lini turistik të rimëkëmbet gjithnjë e më shumë.

"Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë për këtë ditë të bekuar, këtë ditë të shenjtë, ditën e bajramit ne inaugurojmë këtë rrugë kaq të bukur, një bulevard të vërtetë, në një prej fshatrave më piktoreske të Shqipërisë, në fshatin Lin.

Shfrytëzoj rastin, ti uroj të gjithë besimtarëve myslimanë, por dhe të gjithë të zotit, Gëzuar Ditën e bajramit, këtë ditë të madhe, dita e sakrificës së njeriut për zotin , për familjen e tij. Gjithçka ka ndërtuar dhe ndërton njeriu, gjithçka të mirë e realizon për vete, për fëmijët, për familjen, për shoqërinë, e ka të bazuar në mundin, në djersën në sakrificën e tij" tha Berisha gjatë fjalës së tij.

"Ky ishte viti i më i mbarë. Këtë vit u vendos që vizat për ju, vizat për shqiptarët të hiqen brenda vitit të parë të këtij mandati. Dje parlamenti evropian, tempulli i demokracisë evropiane, institucioni më i fuqishëm në Evropë, pas ratifikimit të traktatit të Lisbonës votoi në unanimitet për heqjen e vizave për Shqipërinë, mbështeti vendimin e Këshillit të Ministrave për pranimin e kërkesës për anëtarësim.

Në dritën e proceseve të integrimit, të interesave jetike të çdo qytetari shqiptar për heqjen e vizave, heqja e vizave do të thotë bashkim familjar, heqja e vizave do të thotë punësim sezonal dinjitoz, do të thotë lëvizje e lirë në mbarë kontinentin, heqja e vizave do të thotë shkollim i fëmijëve ku të duan në të katër anët e kontinentit, do të thotë një preferencë shumë me e madhe për turizmin për shkëmbimet tregtare, pra lehtësim të gjithanshëm. Në rrjedhën proceseve integruese në një kohë kur BE votoi në 16 nëntor për të pranuar kërkesën e Shqipërinë për anëtarësim ,në këtë rrjedhë në këtë ditë thirrjet e çirrjet se nuk na duhen të huajt shëmbëllejnë me një atavizëm që vjen nga thellësitë e kohërave më të zeza që ka kaluar ky vend" shtoi më tej kreu i qeverisë.

"Ata që bëjnë thirrje se nuk na duhen ndërkombëtarët mos mendoni se kanë interesat tuaja, mos mendoni se kanë interesat e familjeve tuaja apo të familjeve shqiptare, jo të dashur qytetarë, ata kanë vetëm një interes, interesin e mafies.

Mafies nuk i intereson Evropa. Mafia ka tmerr nga liberalizmi i vizave, mafia ka tmerr nga integrimi në BE. Sepse ndjekja ndaj saj, lufta ndaj saj fuqizohet çdo ditë e më shumë, ndaj dhe ne të shohim interesin, tonë, interesin e lëvizjes së lirë, interesin e prosperitetit, e progresit drejt BE-së" deklaroi Berisha.

k.k/NOA

Â

KOMENTE