English

Dhuna në familje, raporti: Viktimat janë gra të martuara dhe jetojnë në qytet

Tiranë, 27 Nëntor NOA-Dhuna në familje vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues për shoqërinë shqiptare, por ndryshe nga çfarë ishte menduar, numri më i madh i viktimave jetojnë në qytet dhe janë të martuara.

Kjo kategori I përket moshës 31-40vjeç dhe është e arsimuar, e pikërisht kjo grupmoshë ka depozituar dhe numrin më të madh të denoncimeve në gjykatë.

Këto janë përfundimet e raportit që ka publikuar Qendra për nisma ligjore dhe qytetare.

Në një monitorim që kjo qendër ka kryer në disa gjykata të vendit ka evidentuar se në 91.51% të vendimeve të monitoruara, paditëset janë gra dhe në 8.49% të rasteve paditësat janë burra.Â

Këto të dhëna nxjerrin dy konkluzione të rëndësishme: së pari, gruaja vazhdon të jetë pjesëtari më i dhunuar në marrëdhëniet familjare dhe së dyti, ndërgjegjësimi i grave dhe vajzave, për të denoncuar dhunën në familje është rritur.

Sipas raportit, viktima e dhunës në marrëdhëniet familjare që ka përdorur mjetet ligjore që ofron ligji është kryesisht një grua me arsim të mesëm, e martuar, e punësuar, me dy fëmijë, që i përket grupmoshës 31-40 vjeç dhe me vendbanim në qytet.

"Mendimi ynë është se ky nuk është tipi i gruas më të dhunuar në Shqipëri, por tipi i gruas që ka kurajën dhe aksesin për të kërkuar mbrojtjen nga dhuna, përmes mjeteve që ofron ligji", thuhet në raportin e publikuar nga kjo qendër.

Sipas ekspertëve, kjo shifër tregon se viktimat kanë nevojë për një mbështetje më të mirë psiko-sociale dhe ligjore për pjesëtarët e dhunuar të familjes, përpara se ata të vendosin të paraqesin në gjykatë një kërkesë për urdhër mbrojtje, si dhe gjatë procesit të shqyrtimit të saj.

"Vetëm nëse një viktimë e dhunës në marrëdhëniet familjare do të këshillohet profesionalisht para se ajo të vendosë t'i drejtohet gjykatës, ajo mund të ndërgjegjësohet në lidhje me situatën në të cilën ndodhet dhe mbi përdorimin e mjeteve ligjore që ofron ligji "Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare", si dhe mbi efektet që këto mjete do të sillnin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna" thuhet në raport.

Në 42.85% paditëset, viktima të dhunës në marrëdhëniet familjare janë të martuara dhe në 9.82% të rasteve paditësja është e divorcuar.

Pra, siç rezulton nga të dhënat, dhuna është e pranishme gjatë martesës.

Shifra prej 9.82% e paditësve të divorcuar, tregon se zgjidhja e martesës shoqërohet me probleme të mprehta sociale, të cilat shfaqen si dhunë midis ish-bashkëshortëve.

Midis të tjerave, kjo ndikohet edhe nga fakti se në një përqindje të lartë të rasteve, pas zgjidhjes së martesës, ish-bashkëshortët vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën shtëpi dhe hasin vështirësi e probleme të mirërritjes, edukimit dhe kontributit për fëmijët. Shpesh nuk e gjejnë gjuhën e përbashkët dhe përballen edhe me probleme të tjera të mentalitetit patriarkal, të cilat gjenerojnë konflikte dhe mosmarrëveshje të ndryshme.

Nga monitorimi u vu re një rol i pakët i avokatit falas për zbatimin e ligjit, pasi u konstatuan një numër i konsiderueshëm rastesh ku viktima nuk përfaqësohej nga avokati përpara Gjykatës.

Gjithashtu një rol të vakët ishte ai i prokurorit dhe qendrave sociale pranë pushtetit vendor, për zbatimin e këtij ligji.

Nga monitorimi rezultoi se subjektet e ngarkuara me ligj për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve nga dhuna në marrëdhëniet familjare nuk i kanë ushtruar sa dhe si duhet këto të drejta në favor të fëmijëve.

b.m/NOA

KOMENTE