English

Premiera e filmit ‘Honeymoons sot në mbrëmje në TIFF, merr pjesë Paskaljeviç

Tiranë, 27 nëntor, NOA Nga Milena Selimi - "Nuk kam një imazh, unë kam shpirt. Me këtë do të doja që të më identifikonin të gjithë, nuk bëj kurrë një film të paramenduar por jam i hapur dhe me shumë shpirt, edhe atëhere kur bëj filma me karaktere negative unë përpiqem t'i kuptoj personazhet". Me këto fjalë regjisori Goran Paskaljeviç takohej në 2006 me gazetarët shqiptarë në TIFF.

Sot vjen me një premierë të veçantë, e cila ka bërë bujë edhe pa patur prezantimin e saj shqiptar. Sot në mbrëmje, në sallën "Kadri Roshi" të TK-së do të nisë edicioni i shtatë i TIFF, i cili hapet me filmin "Muaj mjalti", filmi i parë serbo-shqiptar. Është konfirmuar nga organizatorët edhe prezenca e regjisorit serb Goran Paskaljeviç.

"Honeymoons" sjell një realizim filmik jo të lehtë. Paskaljeviç ka treguar se si synimet e tij filmike u sulmuan si nga nacionalistët serbë dhe ata shqiptarë. Disa serbë "më përshkruan mua si një tradhtar". Nuk flitet për një film politik. Për fat të keq Ballkani tregon se politika është fort e ndërthurur në jetët njerëzore. Shumë herë ajo ndryshon edhe fatet njerëzore.

Paskaljeviç këmbëngul se "Muaji i mjaltit" është larg politikës, ai sjell fate dhe ngjarje njerëzore, i pasur me ndodhitë e të përditshmes.

Goran Paskaljeviç, u nderua me çmimin e karrierës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik. Pas "Olympia Theatre" të Selanikut, më 19 nëntor, "Muaji i mjaltit", fituesi i çmimit "Golden Spike" në Valladolid të Spanjës. Gjithashtu fili ka patur prezenca ndërkombëtare në Festivalin e Venecias dhe Torontos. Sot është premiera e parë zyrtare shqiptare në Tiranë.

Produksioni & Buxheti

Edhe buxheti i "Muaj mjalti" është larg produksioneve që çajnë tregjet. I prodhuar me mbështetjen financiare nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (Shqipëri) Ministria e Kulturës së Serbisë (Serbi) Pulia Film Commission (Itali), buxheti kap vlerën 1.5 milion eurosh. Mësohet se filmi është një bashkëprodhim mes shtëpive filmike "Nova Film" në Beograd, "Ska-ndal" në Tiranë, "Verdeoro" dhe "Paolomar" në Itali, "Neue Cameo Film" në Gjermani dhe "Sëiss Effects" në Zvicër.

Në ndihmë të qarkullimit të filmit, do të jenë edhe përfaqësuesit e kompanisë Digitalb, të cilët kanë të drejtat për shpërndarjen e filmit në kinematë e Shqipërisë dhe Kosovës dhe më pas në TV.

Skeda e filmit:

Muaji i mjaltit: Medeni mesec /Honeymoons / 2009,

Kohëzgjatja: 95 min

Xhirimet në: 35 mm, Dolby digital surround

Vendi i origjinës: Shqipëri, Serbi.

Regjia: Goran Paskaljeviç

Skenari :Goran Paskaljeviç, Genc Përmeti

Drejtor fotografie: Milan Spasic

Në rolet kryesore: Nebojsa Milovanovic (Marko) Jelena Trkulja (Vera) Jozef Shiroka (Niku) Mirela Naska (Majlinda) Bujar Lako (Rroku) Yllka Mujo (Vevo), Lazar Ristovski aktori i parë me shpesh në filmat e Paskaljevicit. Të tjerë aktorë shqiptarë luajnë Rozeta Feri, Kristaq Skrami, Timo Flloko, Çun Lajçi, Myzafer Zifla, Genti Kame, etj.

KOMENTE